Rama promovon sërish Mini-Schengenin: Lëvizja shkon tutje në takimin e 10 nëntorit në Ohër

Nga Gerard Gega
Rama promovon sërish Mini-Schengenin: Lëvizja shkon tutje në takimin e 10 nëntorit në Ohër Kryeministri Rama gjatë deklaratës në Forumin 17+1.

Kryeministri Rama shfrytëzoi sot mbledhjen e Forumit 17+1 për të promovuar më tej projektin e “Mini-Schengen”-it të firmosur pak javë më parë me Presidentin e Serbisë Vuçiç dhe Kryeministrin në largim të Maqedonisë së Veriut, Zaev.

Rama konfirmoi deklaratat e Vucic rreth projektit se marrëveshja bazohet “në 4 liritë e BE-së për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve”. Ai tha se në datën 10 tetor do të zhvillohet takimi i radhës në Ohër, takim në të cilin janë ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor:

“Dua të nënvizoj rëndësinë e pranisë së kryebashkiakëve nga rajoni që vijnë këtu si vende që përbëjnë Forumin 17+1. Është periudhë kohe në historinë e përbashkët. Përpara disa javësh bëmë takim me krerët e Maqedonisë dhe Serbisë bazuar në katër liritë e BE […] Kjo lëvizje do të shkojë më tutje me takimin në Ohër me 10 nëntor, ku janë të ftuar të gjithë liderët e rajonit, por edhe protagonistë të tjerë, partnerë ndërkombëtarë, protagonistë të transformimit të kësaj hapësire nga një zonë konlfikti në një hapësirë bashkëpunimi.”

Forumi 17+1 për Evropën Qendrore dhe Lindore është nismë e ngritur në vitin 2012 nga Ministria e Jashtme e Kinës, për të promovuar investimet dhe marrëdhëniet kineze me 17 vendet anëtare (mungon Kosova): Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Greqia, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia, Republika Çeke, Hungaria, Polonia, Rumania, Estonia, Letonia dhe Lituania.

Kryeministri Rama dhe Kryetari i Bashkisë Veliaj në Forumin 17+1.

Marrëveshja për “Mini-Schengen” hapi debat pasi nga Kosova u konfirmua se Kryeministri Rama nuk kishte diskutuar me asnjë përfaqësues të saj, ndërsa nuk është e qartë se si mund të bëjë pjesë e kësaj marrëveshje ajo, në një kohë kur bisedimet me Serbinë i ka të ndërprera, ajo nuk ia njeh pavarësinë dhe qasja e Beogradit ka qenë bllokues për Prishtinën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Vëmendja “Forumit 17+1” ka qenë rritja e lidhjeve me Kinën në fushat e kulturës, edukimit dhe turizmit. Duke folur rreth kësaj “vëmendjeje” Kryeministri Rama e vlerësoi bashkëpunimin me Kinën duke e konsideruar “urë që sjell dije”:

Njerëzit e shohin bashkëpunimin me Kinën si një mundësi për financime por urat e bashkëpunimit me Kinën sjellin dije përmes të cilave këmbehen eksperienca dhe dijë që kthehen në përfitim për vendet dhe qytetet.

Ditën e djeshme në një intervistë për Financial Times, Presidenti Aleksandar Vuçiç, justifikoi forcimin e lidhjeve me Rusinë dhe Kinën me faktin se BE po tregohej bllokuese me proceset integruese në rajon.

Ndërkohë më herët, në një intervistë tjetër, për Der Standard ai thoshte se vendet e Ballkanit nuk kanë qenë të interesuara për një marrëveshje të tillë – si Mini-Schengeni – por pas qëndrimeve bllokuese nga Brukseli, palët janë interesuar më tepër.

Nga BE-ja ka patur shqetësime rreth shtimit të influencave nga Kina dhe Rusia në rajon. Vetë rezoluta e Parlamentit Evropian e miratuar të enjten fliste qartë se “BE duhej të hapte ngeociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut” për “të mos lënë vend që influenca që nuk përcjellin vlerat e BE-së të ndikojnë në rajon”.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme