Shpërfillës: socialistët injorojnë Venecian, përpara me shkarkimin e Metës

Nga Alba Mborja
Shpërfillës: socialistët injorojnë Venecian, përpara me shkarkimin e Metës

Shumica socialiste do të vazhdojë shkarkimin e Presidentit Meta, edhe pse Komisioni i Venecias e kundërshtoi qartazi këtë gjë.

Në një deklaratë për median sot paradite, numri dy i PS-së Taulant Balla pohoi se vendimi përfundimtar në lidhje me shkeljet e Presidentit i përket vetëm Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese:

“Kuvendi, siç thotë edhe Venecia, do të vlerësojë nëse shkelja është e rëndë sipas nenit 90 e më pas vlerësimin e saj e bën vetëm Kushtetuesja.”

Të njëjtin mendim Balla e shprehu menjëherë pas publikimit të opinionit përfundimtar, me një status në Facebook:

“Është kompetencë e Kuvendit dhe më tej vetëm e Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë nëse shkeljet e gjetura të Presidentit janë bazë për shkarkimin e tij nga detyra.”

Ky qëndrim është ndryshim i madh nga ato të mëparshmet, kur shumica socialiste besonte apo shpresonte për një opinion kritik të Venecias ndaj Presidentit.

Drafti paraprak, i cili fliste për ‘tejkalim kompetencash’ të Presidentit, u përdor për sulme publike ndaj Metës nga socialistët, të cilët këtë togfjalësh të papërcaktuar ligjërisht, e interpetuan si ‘shkelje të Kushtetutës’.

Komisioni i Venecias e qartësoi gjuhën e përdorur në opinionin pëfundimtar. Ndonëse argumentoi se Kushtetuta dhe ligji nuk e njohin të drejtën e Presidentit për të shtyrë zgjedhjet, Komisioni hoqi togfjalëshin “tejkalim kompetencash’ dhe nuk bëri asnjë cilësim të veprimit të tij.

Për më tepër, Venecia qartësisht u shpreh se veprimet e Presidentit:

“…nuk përmbushin kriterin e kërkuar për krijimin e rrethanave për një kërkesë kaq serioze sa shkarkimi i Presidentit.”

Edhe pse e kërkoi vetë dhe e propagandoi me të madhe rëndësinë e opinionit të Venecias, edhe pse shtyu afatin e komisionit hetimor parlamentar për të pritur opinionin, shumica socialiste tashmë duket se ka vendosur ta injorojë atë, sikurse pohoi sot Taulant Balla.

Është një ndryshim kryekëput nga qëndrimet e socialistëve të brenda pak ditëve.

Vetëm pesë ditë më parë, më 11 tetor, pas pjesëmarrjes në mbledhjen e Komisionit të Venecias në Itali, Taulant Balla pohoi:

 “Draft-opinioni është i plotë dhe analiza është shumë profesionale. Kam disa propozime për amendimin e raportit. Presidenti i Republikës nuk ka bërë asnjë përpjekje për dialog mes partive. Shkeli të drejtën themelore të drejtën për t’u zgjedhur.”

Dy ditë më herët, Balla kishte komentuar për median:

Kam dëgjuar një lumë kritikash përkundrejt Komisionit të Venecias dhe dua t’i them kujtdo, madje dhe ndonjërit që fjalën shkollëpak e përdor shumë, që Komisioni i Venecias është organi, ekspertiza, e gjithëpranuar jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, dhe që kur ky komision flet, gjithë të tjerët duhet të heshtin. Dua që të gjithë ta presin me respekt verdiktin e Venecias dhe pastaj kush u zotua që do mbajë fjalën, ta mbajë”.

Më 27 shtator 2019, përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla komentoi draft-raportin e Komisionit të Venecias:

“Që e shkele, e shkele Ilir, po sa e shkele do ta vendosë procesi ligjor…”

Më 10 shtator 2019, pas takimit me katër anëtarët e Komisionit të Venecias, që edhën në Tiranë për të mbledhur faktet, Taulant Balla  falenderoi publikisht në Twitter:

“Mirënjohës Komisionit të Venecias për gadishmërinë për të dhënë mendimin e tyre në Parlamentin shqiptar.”

Si duket mirënjohja dhe vlerësimi për opinionin u zbehën pasi Komisioni i Venecias doli hapur kundër qëllimit politik të shumicës socialiste për shkarkimin e Presidentit Meta.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme