PD

Strategjia e vetme e opozitës: negociata me popullin

Nga Neritan Sejamini
Strategjia e vetme e opozitës: negociata me popullin

Kryeministri Rama nuk do ta japë asnjëherë dorëheqjen dhe në Shqipëri nuk do të ketë qeveri kalimtare. Nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme—zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në qershor 2021.

Përjashto ndonjë ndodhi të paparashikueshme (ka pak gjasa për këtë), pohimet e mësipërme janë të sigurta.

Çdo lloj këmbënguljeje e opozitës që Rama të japë dorëheqjen apo për të mbajtur zgjedhje të parakohshme do të jetë shpërdorim i kohës dhe i energjive të saj. Do të jetë edhe krijim i panevojshëm iluzionesh dhe shpresash të rreme, të cilat do t’u sjellin zhgënjim atyre që i besojnë.

(Nuk dua të zgjatem këtu për faktin se, edhe sikur të ishin të mundshme, këto objektiva janë shterpë politikisht—e kam argumentuar këtu disa muaj më parë.)

Politika ka natyrë strategjike: rezultati i veprimeve politike nuk varet vetëm nga dëshirat dhe zgjedhjet e njërit, por edhe nga dëshirat dhe zgjedhjet e kundërshtarit—ndaj në vendimarrjen politike duhen marrë gjithmonë parasysh veprimet apo kundërveprimet e mundshme të kundërshtarëve (dhe faktorëve të tjerë).

Në analizë strategjike, bazuar nëatë se si janë gjërat sot, Edi Rama nuk ka arsye të japë dorëheqje dhe as të mbajë zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, opozita nuk ka asnjë mjet dhe mundësi ta detyrojë për këto.

Mbasi opozita nuk e detyroi dot të jepte dorëheqjen me braktisjen e Kuvendit, protestat në rrugë dhe bojkotin e zgjedhjeve, është e asyeshme të mendosh se nuk mund ta detyrojë Ramën të ikë duke e nxitur atë të reflektojë si “patriot” apo si maqedonas.

Qytetarët, që mund ta detyronin, nuk duket se zhgënjimin e tyre do ta kthejnë në ndonjë lëvizje për largimin e Ramës—ndërkohë mbetet fakti kokëfortë (dhe tragjik) se Rama është ende politikan popullor dhe i votuar.

Komuniteti ndërkombëtar, edhe pse më i vetëdijshëm për autokracinë dhe abuzimet e Ramës, për arsye strategjike, për inerci apo nga mosbesimi i përgjithshëm i politikës shqiptare, është duke bërë atë që bën më rëndom, ruajtjen e status quo-së, pa pritur ndryshim të qeverisë para zgjedhjeve të vitit 2021.

Ndërkohë, goditja që mund të ketë marrë Rama tani me moshapjen e negociatave mund t’i kthehet në bekim nesër. Me gjasa, Shqipërisë dhe Maqedonisë do t’i hapen negociatat rreth majit 2020—refuzimi për herë të dytë i tyre do të dëmtonte vërtet rëndë besueshmërinë e BE-së, çfarë mund ta bëjë Makronin të reflektojë.

Duhet pasur parasysh, gjithashtu, se deri atëherë do të jenë plotësuar, të paktën në mënyrë sipërfaqësore, shumica e kushteve të Bundestagut.

Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë do të krijohen në 3-4 muajt e ardhshëm. Po ashtu SPAK, i cili nën trysninë e huaj do të nisë ndonjë proces për korrupsion—këto hetime mund të zvarriten me vite, por në fillim ato mund të shiten si luftë ndaj korrupsionit të lartë. Me të njëjtën qasje, do të nisë me siguri edhe ndonjë hetim sipëfaqësor për manipulimin e votave.

Brenda janarit të ardhshëm duket se do të miratohet, gjithashtu, edhe reforma zgjedhore.

Të gjitha këto zhvillime do të rrisin gjasat e një vendimi pozitiv për hapjen e negociatave më 2020.

Nëse do të ndodhë, Rama do të shpallë disa herë triumfin e tij, fillimisht në maj 2020 kur merret vendimi i Këshillit, pastaj nga mesi i vjeshtës 2020 kur do mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, dhe sërish diku nga pranvera 2021, kur do të hapet kapitulli i parë i negociatave.

Kështu, ai do të shkojë drejt zgjedhjeve të vitit 2021 me energji dhe propagandë të rilindur.

Ndërkohë, Edi Rama ka filluar që tani nxitjen dhe sponsorizimin direkt apo indirekt të krijimit të aktorëve politikë jashtë opozitës së bashkuar—parti apo lëvizje të reja politike. Edhe pse, me gjasa, do të kenë sukses minimal apo zero zgjedhor, ato do të jenë efikase në fragmentimin e votës kundër—një pjesë e kësaj vote në vend që t’i shkojë opozitës të sotme, do të shpërndahet në parti jashtë saj.

Gjithashtu, këto parti apo lëvizje të reja do të relativizojnë të keqen e Ramës, duke i sulmuar njësoj të gjitha krahët politikë, si pjesë e një elite politike të dështuar, duke dobësuar legjitimitetin e opozitës në përqafimin e kauzës së ndryshimit.

Opozita duhet të mendojë strategjikisht dhe të planifikojë veprimet dhe kundërveprimet e saj duke marrë parasysh të gjitha këto zhvillime dhe veprime të pritshme të Edi Ramës.

Mbi të gjitha, ajo duhet të veprojë me supozimin se zgjedhjet e vitit 2021 nuk do të jenë as tërësisht të lira dhe as të ndershme—Rama do të manipulojë një pjesë të votës.

Në këto kushte, opozita ka vetëm një veprim të bëshëm strategjik: synimin e mbështetjes masive të shqiptarëve—nëse i gjithë populli është me të, Edi Rama nuk i vjedh dot zgjedhjet, në asnjë rrethanë dhe me asnjë mënyrë.

Për të qenë realist: nëse opozita merr votat e militantëve të saj, merr pjesën dërrmuese të votuesve të lëkundur, arrin të bindë të dalin në votime një pjesë e atyre që sot nuk duan të votojnë, atëherë ajo do të sigurojë votën masive të shqiptarëve—sikurse Edi Rama mori 1 milionë vota në vitin 2013.

Edhe sikur të vjedhë vota në mënyrë industriale, Edi Rama do ta ketë të pamundur të përmbysë rezultatin dhe të mbajë pushtetin përballë një milion votave të opozitës—nga rreth 1,6 milionë votues, sa kanë votuar në tre zgjedhjet e fundit.

Pikërisht, arritja e “1 milion votave” duhet të jenë synimi dhe strategjia e opozitës dhe jo orvatja për të prekur apo edukuar Edi Ramën “të ikë” apo “të hapë krahun” për të mirën e Shqipërisë.

Opozita duhet t’i drejtohet popullit dhe jo Ramës. Ajo duhet të kërkojë marrëveshje me popullin dhe jo me Ramën. Ajo duhet ta gjejë zgjidhjen tek populli dhe jo tek Rama.

Marrëveshja me popullin është e thjeshtë: njerëzit duan të luftohet krimi e korrupsioni, të çlirohet ekonomia dhe mundësitë e kapura nga oligarkët dhe klientët e qeverisë; të çlirohet politika nga autokracia dhe pushteti i pathyeshëm i kryetarëve.

Në shkëmbim, njerëzit janë të gatshëm t’i japin votën masive opozitës.

Dhe njerëzit fitohen me ide, me frymë, me besim.

Sot, shqiptarët presin nga opozita ide dhe jo muskuj, presin shpjegime dhe jo sharje, presin vizion për ndryshim dhe jo ankesa.

Shqiptarët presin nga opozita, veçanërisht nga PD, t’u tregojë një ekip të ardhshëm qeverisës të aftë, të përkushtuar, që ngjall shpresën se ka kurajën të luftojë krimin, korrupsionin, oligarkinë dhe monopolet, pa u shitur dhe korruptuar si të tjerët para tyre.

Për çdo gjë tjetër shqiptarët kanë Edi Ramën.

5 komente

  1. Durim 21 Tetor, 2019 në 9:00 am

    Strategjia do lekë shumë, fare shumë, te cilat opozita nuk i ka. Rama i ka blerë të gjithe pra është fitues sot e përgjithmonë

  2. t 21 Tetor, 2019 në 9:33 am

    Ne takimin e bere ne mars 2019 ne paris midis trojkes Rame,Soros,Bashe,kane rene dakort per zgjedhje te parakoheshme me mars 2020.

  3. Alma Bektashi 21 Tetor, 2019 në 7:27 pm

    Me terhoqi vemendjen argumenti se cdo levizje pertej opozites eshte detyrimisht e orientuar nga rama. Pra fakti qe opozita eshte shterpe, nuk prodhon, perfaqesohet nga figura te kalbura dhe te diskretituara ne publik, refuzon te hapet, refuzon te integroje te rinj ne strukturat e saj eshte nul sipas sejaminit. Te tjeret duhet te rrine te presin deri sa ti vije rradha bashes sepse e ka me te drejte hyjnore. Gara e ideve, e parimeve, kerkesat e qytetareve per produktin politik nuk kane fare rendesi.
    Kisha nje fare respekti per ty o Neritan, por ky shkrim eshte me poshte se niveli i militantit te rendomte. Gjynah per ty!

  4. Koli 22 Tetor, 2019 në 11:10 am

    Opinioni i shprehur eshte shume afer te vertetave , por sdo te thote qe mund te ndodhe detyrimisht sic parashikohet. Ka shume te verteta brenda, por e verteta me e madhe eshte qe USA nuk ka interes ne Shqiperi. Ky interes mund te ishte faktor vendimtar per ndryshime te shpejta dhe ndoshta te duhura. E keqja eshte qe shqiptaret qe jetojne keto kohe jane/jemi fatkeqe – dhe ketu lind emigrimi pasi eshte i mundur, dhe njeheresh kjo fatkeqesi dhe ky migrim ndikon pozitivisht per Ramen per te zgjatur pushtetin e tij dhe demtuar me shume shqiptaret. Vihet re nje pafuqi e shoqereise per te reaguar dhe per te ndryshuar thelbin e problemit qe ne fakt eshte modeli i Rames dhe Rilindjes ne politike dhe qeverisje.

    Asnjehere nuk eshte vone per te hequr nje qelbesire apo kriminel nga pushteti. Rama duhet te ike. Por duhet hequr pasi vete ai eshte i pangopur dhe i papergjegjshem per tu larguar.

    Situata eshte me te vertete kunder ketij vendi, kunder shqiptareve. Opozita-PD ka te drejte ne ate qe thote dhe eshte ne te drejte te saj per cfare ka bere deri tani, Veprimet e PD jane mese te drejta dhe padyshim qytetare. Por pyetja eshte , a mjaftojne per ta hequr Ramen ? Ai ska ndermend te ike vete.

    PD ka kunder shume faktore sot. Sot eshte shume here me veshtire per te permbysur nje regjim- ne fakt Rilindja eshte nje regjim me shume sesa nje Qeveri- Ne 1990 zaret ishin hedhur hde europa lindore do ndryshonte. Shqiperia nuk mund te rrinte dot e vetme. Regjimi ne 1990 ra , ra me shume se u permbys. Merita ishte e atyre qe moren inisiativen per ta permbysur kur regjimi ishte ne renie te lire dhe te gjithe shiptaret ishin te vetedijshem qe do binte. Sot kjo gje, renia e nje regjimi, eshte tejet e nderlikuar, ndoshta jo e pamundur por shume e veshtire. Qe Rama te hiqet duhet qe te goditet Krimi dhe Korrupsioni.

    Krimi gjeneron nga trafiku miliarda EURO mbi 3 miliard euro hyjne cdo vit nga trafiqet. Jane shume njerez te lidhur me keto para. automatikisht per keta njerez u duhet alternative qe te largohen nga krimi dhe te kerkojne nje jete me dinjitet , nje jete me te mire dhe me te shendetshme. viktimat nga ky rreth jane te pakta per te qene faktor. Kjo kategori nuk eshte e vogel pasi me te jane lidhur shume biznese dhe shume familje. Ky eshte nje rrjet i tere ne shqiperi qe merret me trafik Krimi-bandat dhe Rilindja e drejtojne.
    Alternativa per keta njerez cila eshte ? Duhet te ndryshojne ose do te behen viktima. Atyre u duhet mbeshtetje dhe organizim pasi kjo kategori vete nuk del dot jashte kur te gjitha guret i ka rama me shtetin dhe kriminelet me bandat.

    Korrupsioni gjeneron me miliona euro ne vit, afersisht nje miliard euro vidhen me ane te korrupsionit shteteror. jane diku 3.5- 4 miliarde euro qe mblidhen nga taksat, dhe pjesa tjeter qe smblidhet rreth 30% pra 1 miliard shkon automatikisht . nga 3.5 -4 miliard euro q e shpenzon buxheti, duhet te theme ne menyre empirike qe 25% eshte korrupsion .
    Ky korrupsion perfshin nje numer te madh njerezish dhe familjesh. perfshirja ne administrate e krimit te organizuar dhe perfshirja si biznes ne kete korrupsion e ka bere me te nderlikuar situaten duke qene se pervecse drejtues te institucione , ose qe i drejtojne nepermjet personave te kapur, po keta kriminele jane duke u perfshire ne tendera dhe ne sherbime per hesap te qeverise-shtetit. Jane bere edhe me te fuqishem dhe jane pengese serioze per zhvillimin e biznesit. Ky korrupsion miklon dhe frikeson te gjithe te punesuarit ne administrate. dhe shume biznese dhe familje te tjere qe jane jashte administrates por qe per shkak te biznesit do te bejne korrupsion ose me deshire ose pa deshire . Rreziku per administraten eshte buka e perditshme ose burgu. Kjo mase e madhe njerezish duhet qe te clirohet nga korrupsioni dhe kriminelet. Biznesi duhet te clirohet gjithashtu nga korrupsioni, dhe gjobat e krimineleve.

    dhe nje kategori tjeter e KORRUPSIONIT eshte oligarkia, mediat dhe shoqeria civile. Keta jane kunder dhe jane edhe me fort te kapur pas Rames. E vertete eshte e Rama nuk i shkaterron dot , pro nga ana tjeter i ka lidhur aq fort saqe ata vete nuk e lene Ramen. Ata mund ta zevendesojne . Por zevendesimi eshte njesoj dhe kjo nuk i vlen Opozites as shqiptareve, ndaj keta jane te gatshem per te investuar sic po investojne ne media dhe ne shoqerine civile per ta mpakur opoziten dhe per te zgjatur jeten e Rames. opozita e ka te qarte e keta jane kunder dhe qe sdo te jene me ate. Kjo kategori ka vetem nje opsion , burgun, por meqe burgu nuk ka per te ndodhur duhet te ndodhe ajo qe ndodh rendom ne politike, mashtrimi dhe hileja.

    Shqiptaret e dine fare mire qe rama dhe rilindja jane fatkeqesi per ta. Nese shqiptaret rrine urte dhe nuk reagojne nuk ka arsye pse te qahen cdo dite per nje mije e nje te zezat e Rames rilindjes apo lali erit, liderit ne pritje te Rilindjes.
    Shkoqur, dhe shqip, shqiptaret duhet te reagojne per veten e tyre. ska rendesi nese eshte PD apo Basha eshte i mire apo eshte i keq, nje gje eshte e sigurt me Ramen nuk ka te ardhme nuk ka shprese , ka vetem fatkeqesi qe te pret tek porta. NEse shqiptaret e pranojne atehere le te jetojne sic jane, POR nuk kane te drejte te fajesojne opoziten PD apo Bashen , sepse vete ta jane te frikesuar dhe me mire presin kur ti vije rradha sesa te ngrejne koke, ka rrezik por nuk eshte viti 1945 apo 1970 kur ishte spaci hapur. Nuk mund te fajesohet opozita.
    Ne anen tjeter e vertete eshte qe Opozita duhet te jete me aktive ne publik dhe me cdo person opozitar. Por zgjedhjet jane larg, keshtu qe kjo ndodh kur eshte koha e duhur

  5. Gjergj 22 Tetor, 2019 në 6:02 pm

    Populli duhet te reagoje Kunder Padrejtesive qe shikon perdite ketu nuk eshte fjala qe te iki njeri e te bike tjetri por te ndryshoje mentaliteti nga themelet per pushtetin pra per mua
    1_ qeveri me njeres te devotshem Jo partiake
    2_ reforme zgjedhore
    3_ sistem zgjedhor proporcional kombetar
    4_ cdo shtetar i administrates deri tek kryeministri te mbaje pergjegjsi personale

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme