Trump emëron ambasadorin Richard Grenell përfaqësues të posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi

Nga Erblin Vukaj
Trump emëron ambasadorin Richard Grenell përfaqësues të posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi Ambasadori Grenell gjatë një ceremonie betimi për në detyrë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi. Ai do të jetë ambasadori amerikan në Gjermani, Richard A. Grenell, i njoftuar të enjten nga Presidenti Donald Trump.

Grenell, 53-vjeç, është ambasador i SHBA-ve në Gjermani që prej majit të vitit të kaluar. Njihet si ekspert i politikës së jashtme, ish-zëdhënës në OKB dhe themelues i firmës “Capitol Media Partners”, që ofron konsulencë për çështje të jashtme. Ai ka qenë gjithashtu komentator në Fox-News.

Matthew Karnitsching, korrespondenti kryesor i Politico-s për Evropën, e përshkruante Grenellin vitin e shkuar si “kokë turku të Presidentit Trump në Berlin” – Donald Trump’s Berlin whipping boy.

Sidoqoftë emërimi si i dërguar i posaçëm i SHBA-ve të Grenell u mirëprit me deklarata në rrjetet sociale nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri në largim Ramush Haradinaj.

Washington Post ka raportuar se Presidenti Thaçi, më 21 dhjetor 2018, ka zhvilluar takim të pa raportuar diplomatik në Berlin me ambasadorin Richard Grenell, në të cilin qe zotuar për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Vendosja e një të dërguari të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi vjen rreth 1 muaj pasi SHBA-të emëruan Matthew Palmerin si përfaqësues të Departamentit amerikan për Ballkanin Perëndimor. Palmer, ndryshe nga Grenell, është diplomat karriere. Detyra e tij tashmë zbehet duke patur parasysh mbështetjen personale që ka Trump për Grenell.

Ky zhvillim vë gjithashtu në trysni BE-në. Prej rreth 2 muajsh është përfolur se një përfaqësues të posaçëm do ta vendoste edhe Brukseli. Megjithatë kjo gjë nuk është komentuar ende zyrtarisht nga unioni.

Bisedimet Kosovë-Serbi nisën në vitin 2011 si një proces që do të siguronte paqe, stabilitet, bashkëpunim mes dy vendeve dhe ecuri drejt integrimit në BE. Bisedimet janë pezulluar që prej nëntorit të vitit 2018, kur Kosova vuri tarifa 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes bllokuese të Serbisë ndaj njohjeve të pavarësisë së saj. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

BE dhe SHBA kanë kërkuar herë pas here rifillimin e dialogut.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme