Vuçiç: Pak gjasa ta njohim Kosovën me kufijtë e tanishëm

Nga Erblin Vukaj
Vuçiç: Pak gjasa ta njohim Kosovën me kufijtë e tanishëm Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Presidenti Aleksandar Vuçiç pothuajse e ka përjashtuar mundësinë që Serbia ta njohë Kosovën pas rinisjes së bisedimeve. Në një intervistë me gazetaren Adelheid Wolfl për Der Standard, Vuçiç tha “ka pak gjasa që Kosova të njihet me kufijtë e tanishëm të saj”.

Si fillim Vuçiç ka folur për marrëveshjen me Ramën dhe Zaevin për të krijuar një “Mini-Shengen” në Ballkan. Ai tha se “duke parë vështirësitë e BE-së për t’u zgjeruar, kemi vendosur që 4 liritë themelore të unionit t’i implementojmë mes vetes: lëvizjen e lirë të njerëzve, të të mirave, të kapitalit dhe shërbimeve”.

Vuçiç  tha se deri në fund të vitit pret që të arrihet marrëveshje për lëvizjen e lirë – vetëm me kartë identiteti – së paku mes tre shteteve, Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Veriut.

Aktualisht mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka një marrëveshje të tillë për lëvizje me kartë identiteti, ndërsa me Serbinë jo, duke qenë se Shqipëria nuk ka kufi me të. Më tej, bashkimi doganor, sipas Vuçiçit, mund të arrihet në vitin 2022.

Për sa i përket dialogut me Kosovën, Presidenti i Serbisë ka këmbëngulur se kushti i vetëm për nisjen e tij është heqja e tarifës 100 për qind për mallrat serbe. “Pas kësaj, diskutimi duhet bërë pa parakushte” – tha Vuçiç. Megjithatë, presidenti serb shtoi se:

“[…]Por nëse dikush thotë, përpara një dialogu të mundshëm, se ne nuk po diskutojmë territore, nuk po diskutojmë për status autonom për Veriun, për çfarë duhet të diskutojmë atëherë? Në këto rrethana, nuk ka negociata.”

Gazetarja Adelheid Wolfl e pyeti disa herë Vuçiçin nëse Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai fillimisht tha se “Kosova nuk kanë qenë kurrë shtet”, dhe shtoi se “deri më sot Evropa nuk na e ka kërkuar njohjen” dhe se ideja fillestare e bisedimeve ka qenë si “traktati themeltar mes dy Gjermanive në vitet ’70”, pa njohje formale, gjë që, sipas tij, “do të ishte më e lehtë për Serbinë”.

Pyetjes nëse do ta njihte Serbia Kosovën me kufijtë aktualë, Vuçiçi i është përgjigjur se ai “pothuajse e përjashton këtë mundësi”.

Nuk e di çfarë do të ndodhë, sepse ka pak gjasa që ne ta njohim Kosovën. Nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Por ne nuk mund t’i mbyllim derën bisedimeve. Të dyja palët kanë çfarë të humbin dhe çfarë të fitojnë. Nuk mund të ndodhë që njëra palë të fitojë gjithçka, njohjen, territoret dhe njerëzit tanë. Çfarë marrim ne? Një anëtarësim të mundshëm në BE pas 10 vitesh? E kush na e garanton këtë? Do të ishte një garanci e ngjashme me atë që mori Maqedonia e Veriut, që iu tha se do t’i hapeshin negociatat.

Çështja e ndryshimit të kufijve nxiti debat në Kosovë dhe Shqipëri. Angazhimi i Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Edi Rama u mohua disa here, derisa çështja u pranua nga vetë Thaçi. Presidenti i Kosovës këmbënguli se diskutimin e kishte nisur ai dhe jo Vuçiçi, për të përfshirë në kufijtë e Kosovës, Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin, “por pa humbur territore”. Këtë ide, më pas, ai dhe Kryeministri Rama, e cilësuan si “korrigjim kufijsh”.

Kryeministri Ramush Haradinaj i kundërshtoi dhe i cilësoi këo ide si “të rrëzikshme për Kosovën dhe rajonin”.

Pas dorëheqjes së Haradinajt dhe zgjedhjeve, tashmë Kosovën do ta drejtojë Albin Kurti i Vetëvendosjes. Sipas presidentit serb, deklaratat e bëra nga kreu i Vetëvendosjes kanë qenë “tri herë më të këqija se ato të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt”.

Në intervistën e tij, Vuçiçi ka folur edhe për shkrimtarin austriak Handke, i cili u vlerësua me çmimin Nobel. Për këtë vlerësim pati reagime të forta pasi Handke ka mbështetur regjimin dhe luftërat e Milloseviçit.

Vuçiçi tha se nuk e njihte personalisht, por që e kishte uruar për çmimin. Presidenti serb u shpreh se kishte nisur të lexonte librat e tij dhe se e priste që Handke të vizitonte shumë shpejt Serbinë. Kreu i shtetit serb shmangu pyetjen nëse Handke kishte pasur të drejtë me “qëndrimin pro Serbisë” në vitet e luftërave, por ai tha:

“[…] Ai kishte të drejtë në pikëpamjen e tij, por nëse më pyesni mua për Milloseviçin, atëherë pyetja ime do të ishte: si i llogariti ai gjërat? Pas së gjithave, ne humbëm numrin më të madh të njerëzve, shkatërruam vendin, dhe vetëm tani kemi arritur atë nivel të prodhimit që kishim në vitin 1990. Pra kemi humbur 30 vite. Ishte faji i vet apo faji i të tjerëve? Mendoj se më shumë ishte faji i të tjerëve, por edhe gjykimi i tij i gabuar, faji ynë. Kjo është ajo që të gjithë mendojnë në Serbi. Por Handke kishte absolutisht të drejtë kur erdhi me qasjen prej një shteti perëndimor, ishte absolutisht e shmangshme që ky vend (Serbia) të mos bombardohej.”

Në muajin mars Serbia do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare. Partia e Vuçiçit synon të marrë mandatin e pestë qeverisës. Ajo e drejton Serbinë prej vitit 2012 dhe ka fituar 2 zgjedhje të parakohshme. Në zgjedhjet e fundit koalicioni i Partisë Progresive të Serbisë fitoi 154 nga 250 deputetë që ka parlamenti.

2 komente

  1. t 22 Tetor, 2019 në 11:54 am

    Ta mbajne ne leter minishengenin,kurse rama ta fuse ne prapanice,se pa kosoven vetem rrahin ujin ne tavan dhe u duket vetja burra te forte(ne fakt sjane fare burra)se po u kundervihen BE.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme