613 kg kokainë, prokuroria kërkon 21 vite burg për Arbër Çekajn

613 kg kokainë, prokuroria kërkon 21 vite burg për Arbër Çekajn Arbër Çekaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 21 vite burg për Arbër Çekajn, i akuzuari kryesor për trafikimin e  613 kilogramëve kokainë nga Kolumbia në Durrës, në shkurt 2018.

Prokuroria ka kërkuar 16 dhe 8,8 vite burg për dy të akuzuarit e tjerë Donaldo Lushajn, menaxher i kompanisë, dhe Armando Pezakun, shoferin e kamionit.

Të tre të akuzuarit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ndaj në rast se gjykata pranon dënimet e kërkuara nga prokuroria, të dënuarit do të vujnë vetëm 2/3 e dënimit.

Për Arbër Çekajn dënimi do të ulej në 14 vite, për Donaldo Lushajn në 10 vite e 8 muaj, ndërsa për Armando Pezakun në 6 vite e 10 muaj.

Gazetarja Klodiana Lala, në një njoftim për ‘News24’, raportoi se sipas prokurorisë, pas një vit hetimesh ka rezultuar se Çekaj ka qenë garant për sasinë e drogës, ndërsa kishte si bashkëpunëtor menaxherin dhe shoferin.

Në shkurt 2018, 613 kilogramë kokainë kolumbiane u trafikuan në Shqipëri përmes kontejnerët të bananeve të porositura nga firma shqiptare “Arbi Garden”, në pronësi të Arbër Çekajt. Në flagrancë u arrestuan menaxheri i kompanisë, Donald Lushaj dhe shoferi i kamionit, Armando Pezaku.

Arbër Çekaj u arrestua në Gjermani më 4 maj 2018 për llogari të drejtësisë shqiptare për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Vendimi për ekstradimin e tij u dha nga Gjykata e Dusseldorfit në korrik 2019.

Arbër Çekaj u ekstradua nga Gjermania më 19 shtator 2019 dhe doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda më 21 shtator, ku u konfirmua masën e arrestit ‘arrest me burg’.

Më parë Arbër Çekaj ka deklaruar për News24, se policia dhe prokuroria kanë ndërprerë në mënyrë të qëllimtë operacionin dhe hetimet, pasi ‘nëse operacioni do të shkonte deri në fund, patjetër që do të ishte kapur grupi kriminal e jo unë’.

Çekaj ka thënë se prokuroria dhe policia ‘po mbrojnë grupin e vërtetë kriminal që ata e dinë se kush është, por askush nuk guxon ta prekë’.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme