9 persona nën hetim për sulmin ndaj policisë dhe punonjësve të IKMT te Unaza e Re

Nga Gerard Gega
9 persona nën hetim për sulmin ndaj policisë dhe punonjësve të IKMT te Unaza e Re Pamje ilustruese nga një prej protestave në zonën e Unazës së Re.

Policia njoftoi sot se kishte arrestuar 1 person dhe kishte shpallur në kërkim 8 të tjerë për sulmet që u bënë në “Unazën e Re” ndaj policisë dhe punonjësve të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ditën e enjte.

Paraditen e së enjtes IKMT njoftoi se një punonjës i saj ishte lënduar rëndë “me fraktura në kokë dhe duar”. IKMT dënoi sulmin dhe tha se “ishte kryer nga banorë të zonës për shkak të detyrës”.

Ngjarja mbeti e paqartë, por rreth 24 orë më vonë, policia raportoi zyrtarisht duke thënë se të lënduar kishin qenë “4 punonjës të IKMT dhe 1 i policisë”. Sipas njoftimit zyrtar:

“[…] rreth orës 10:45, një grup personash, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me gurë e sende të forta punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë, të cilët ishin duke bërë njoftimin e bizneseve që preken nga projekti i rrugës (së Unazës së Re). Si pasojë e sulmit […] mbetën të plagosur 4 punonjës të IKMT-së dhe 1 punonjës i Policisë […] dhe është dëmtuar edhe një automjet i Policisë.”

Për ngjarjen policia tha se kishte arrestuar “në flagrancë” një person (Sh.S. 50 vjeç) dhe kishte shpallur në kërkim 8 të tjerë (J.M.; S.H.; F.D.; V.D.; L.K.; Sh.N.; G.S dhe E.D.).

Prej më shumë se një viti banorë të zonës së “Unazës së Re” kundërshtojnë projektet e zgjerimit të rrugës pasi gjurma e projekteve prek banesat dhe bizneset e tyre. Qeveria ka përjashtuar dëmshpërblimet, pasi një pjesë e ndërtimeve nuk janë legalizuar.

Protestat e vazhdueshme të banorëve janë shoqëruar shpesh me përplasje me policinë dhe me arrestime.

Situata aktualisht po përshkallëzohet pasi qeveria mbylli çështjen e tenderave dhe ka nisur të dëmshpërblejë vetëm banorët që kanë pasur ndërtime me dokumentacion të rregullt. Më 6 nëntor në media u njoftua dëmshpërblimi për 8 familje.

Megjithëse fondet për zgjerimin e Unazës së Re shkojnë mbi 35 milionë euro, qeveria nuk ka parashikuar dëmshpërblimin e të gjithë banorëve që preken nga projektet. Kompania Salillari do të ndërtojë 2 nga 3 segmentet e rrugës për rreth 27 milionë euro, segmenti i tretë do të ndërtohet nga Viktoria Invest për 9,4 milionë euro.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme