A janë anashkaluar kriteret për kandidatët e KED-it të vitit 2020?

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
A janë anashkaluar kriteret për kandidatët e KED-it të vitit 2020? KED 2019

Më 15 nëntor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) publikoi listën e kandidatëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për vitin 2020 (KED). Lista përmban 11 kandidatë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe 16 nga prokuroritë pranë gjykatave të Apelit.

Ajo që bie në sy, është se lista e KLP-së me prokurorë kandidatë është shumë më e gjatë se lista e hartuar në vitin 2018 nga Prokuroria e Përgjithshme për zgjedhjet e KED 2019. Lista e prokurorisë vjet kishte vetëm një kandidate nga Prokuroria e Përgjithshme, Arta Marku, dhe një nga prokuroritë e Apelit, Fatjona Memçaj.

Lista me prokurorët që nuk kualifikoheshin për garën ishte e gjatë, por të gjithë megjithëse përmbushnin kriteret e tjera të përcaktuara nga Ligji 115/2016 ‘Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë’,  nuk kishin përfunduar Shkollën e Magjistraturës.

Bie në sy fakti se në listën e publikuar tani nga KLP, 25 nga 27 kandidatët kualifikues, vitin e kaluar u skualifikuan nga gara. Kjo do të thotë se ose 25 prokurorë brenda një viti mbaruan Shkollën e Magjistraturës ose që KLP nuk ka zbatuar nenin 221, pika 1,d të ligjit 115/2016, që thotë se ‘magjistrati duhet të ketë përfunduar Shkollën e Magjistraturës’. Më shumë gjasa ka të jetë skenari i dytë.

Ajo që tregon kjo situatë, për të disatën herë, është se legjislacioni i reformës në drejtësi është hartuar keq, duke mos marrë parasysh rrethanat dhe realitetin në Shqipëri. Nëse kërkesat e nenit 221 do të ndiqeshin, do të kishim përsëri  vetëm dy kandidatë për të tre pozicionet e rezervuara në KED për prokurorët: Arta Markun dhe Fatjona Memçajn.

Fakti që KLP ka zgjeruar mundësitë e zgjedhjes për KED-in e vitit të ardhshëm është në vetvete diçka pozitive, por kjo vjen në kurriz të shkeljes së kritereve të përcaktuara në ligj. Prandaj është një veprim që bie në kundërshtim me një parim themelor të reformës në drejtësi: të vendosësh një shtet të fortë të ligjit.

Javët e fundit, ne kemi parë një lumë shkeljesh të ligjeve të ndryshme të reformës në drejtësi dhe Kushtetutës, nga pothuajse të gjithë aktorët e përfshirë. Pranimi i kësaj situate si status quo-ja e re do të thotë të pranosh dështimin e reformës dhe një vazhdim të së njëjtës situate të vjetër.

Exit.al i ka shkruar KLP-së për të konfirmuar nëse kandidatët kualifikues kanë përfunduar apo jo Shkollën e Magistraturës.

 

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme