A po përgatitet qeveria Rama të shesë nënshtetësinë shqiptare?

Nga Redaksia Exit
A po përgatitet qeveria Rama të shesë nënshtetësinë shqiptare?

Edi Rama është në listën e folësve në Konferencën e 13-të Botërore të Henley&Partners për Nënshtetësinë, e cila do të mbahet në në Londër javën e ardhshme.

Henley&Partners është një firmë ndërkombëtare për çështjet e nënshtetësisë. Ajo këshillon dhe punon me qeveritë për të hartuar dhe zbatuar të ashtuquajturat “programe të nënshtetësisë”.  Të quajtura skema “para në kesh për pasaportë”, këto programe u mundësojnë personave të pasur të marrin pasaportën e një vendi në shkëmbim të investimeve në të.

Skema të tilla janë zbatuar në Maltë, Qipro, Moldavi, Malin e Zi, Bullgari dhe shumë vende të tjera. Skema është kritikuar nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, Këshilli Europës dhe Kombet e Bashkuara për rreziqet që ato sjellin.

Në fillim të këtij viti, Këshilli Evropian deklaroi se skema të tilla ndihmojnë krimin e organizuar të hyjë në Evropë dhe rrisin rrezikun e pastrimit të parave, korrupsionit dhe evazionit fiskal.

Moldavia e ka ndërprerë këtë skemë, ndërkohë që në Bullgari u zbulua se zyrtarët që administronin skemën shisnin pasaporta në këmbim të rryshfetit.

Një rapor i fundit i Transparency International i titulluar “Porta hyrëse në Evropë: brenda botës së turbullt të vizave të arta” thekson se një skemë e tillë përmban një rrezik të lartë për krimet financiare dhe pastrimin e parave.

Henely&Partners, të cilët janë koncesionarët e kësaj skeme në Maltë, kishin lidhje edhe me kompaninë Cambrige Analytica.

Një komisioni parlamentar britanik gjeti se SCL Group, kompania mëmë e Cambridge Analytica, drejtuesi i  Henley&Partners Christian Kalin dhe drejtuesi i Partisë Laboriste në Maltë Joseph Muscat ishin takuar përpara zgjedhjeve parlamentare në 2013.

“Ne kemi kuptuar se SCL ka zhvilluar takime në Maltë dhe Christian Kalin drejtues i Henley&Partners u njoh me John Muscat përmes SCL në vitin 2011, dhe që Christian Kalin u takua me kryetaret e të dyja partive politike përpara 2013”, shkruhet në raport.

Muscat më pas fitoi zgjedhjet në Maltë dhe menjëherë zbatoi skemen “kesh për pasaportë” në bashkëpunim me Henley&Partners.

Katër vjet përpara se të vritej, gazetarja maltese Daphne Caruana Galizia shkroi për lidhjet mes SCL/Cambrige Analytica dhe fitores së Partisë Laboriste të Maltës. Ajo shkroi “Kompania SCL Elections është një kompani e regjistruar në Britani që ofron “shërbime për fushata zgjedhore”, dhe ka lidhje të ngushta me Henley&Partners. Kompania deklaron se se nuk ka humbur asnjë fushatë zgjedhore ku ajo ka marrë pjesë”.

Gjithashtu, Henley&Partners ka kërcënuar portalet që raportojnë mbi të me padi për shpërblime të rënda financiare të cilat kanë për qëllim t’i paralizojnë financiarisht këto portale.

Media malteze The Shift News u kërcënua në dhjetor 2017 nga Henley&Partners, e cila i kërkoi të heqë një artikull mbi të. The Shift News nuk pranoi.  Daphne Caruana Galizia, gjithashtu, u kërcënua direkt nga kjo kompania.

Më pas u zbulua se Henley&Partners ishte e gati të niste procedurat ligjore kundër gazetarëve maltezë nëse ata do të merrnin “të paktën një OK joformale nga vendimarrësit”, duke ju referuar Kryeministrit Maltez Joseph Muscat.

Rama do të flasë në krah të Muscat dhe Klain. Exit.al e pyeti Henley&Partners se cila do të jetë tema e fjalimit të Ramës dhe nëse ata e kanë këshilluar qeverinë shqiptare të nisë skemën “kesh për pasaportë”.

Ata u përgjigjën se fjalimi “do të trajtojë se si një vend i vogël përballet me një treg shumë të konkurueshëm për kapital të huaj, qoftshin investime të huaja direkte, qofshin likuidete në tregjet e kapitalit”.

Në përgjigje të pyetjes nëse Shqipëria po përgatitet të shesë pasaporta, një zyrtar i kompanisë u shpreh “e kuptoj se ku do të dalësh, por sinqerisht nuk e di dhe nguroj të spekullojë për këtë”.

Në gusht 2019, qeveria shqiptare propozoi ndryshime në ligjin mbi nënshtetësinë, dhe në relacionin shoqërues u përfshi mundësia që të huajt të marrin pasaportë shqiptare përmes investimeve.

Mbetet për t’u parë nëse Henley&Partners janë të interesuar ose nëse ata do të bëhen koncesionarët e kësaj skeme në Shqipëri.

Mbajtësit e pasaportës shqiptare mund të udhëtojnë pa viza dhe qendrojnë për tre muaj në Bashkimin Evropian, dhe mund të udhëtojnë pa viza në 116 vende të botës.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme