Air Albania blen me 3,2 milionë euro emrin e Stadiumit Kombëtar, dyshime për tenderin

Nga Erblin Vukaj dje në 14:26
Air Albania blen me 3,2 milionë euro emrin e Stadiumit Kombëtar, dyshime për tenderin SkyScraperCity//Tribuna Kryesore e Stadiumit Kombëtar.

Kompania e fluturimeve Air Albania ka blerë për 3,2 milionë euro emrin e Stadiumit Kombëtar, por blerja duket se nuk ka respektuar një nga kushtet e vendosura nga FSHF, që kompania duhet të kishte të paktën 10 milionë euro xhiro vjetore. Air Albania u themelua vitin kaluar dhe për 2018-ën nuk kishte të ardhura.

Top-Channel raportoi se Air Albania paraqiti ofertë prej 650 mijë eurosh në vit për të blerë për 5 vite emrin e Stadiumit Kombëtar. Oferta thuhet se ishte më e madhe se interesi i shprehur nga Bolv-Oil, Vodafone apo Sigal.

Marrëveshja, e cila nënshkruhet të hënën, ngjall dyshime pasi kushtet e vendosura nga FSHF ishin që “kompania të kishte xhiro prej të paktën 10 milionë eurosh në vit”.

Në thirrjen e muajit korrik FSHF thoshte:

Shfaqja e interesit (nga kompanitë) do të konsistojë në një letër ku të parashtrohet deklarimi i kompanisë se është e interesuar dhe të paraqitet dokumentacion bazë për xhiron e kompanisë dhe një CV të saj në lidhje me veprimtarinë në vendin tonë apo jashtë tij.

Nuk është e qartë se si kompania Air Albania, e formuar më 13 gusht të vitit 2018 – me aksioner 10 për qind AlbControl (shtetërore), 41 për qind MDN Investment dhe 49 për qind nga Turk Hava Yollari – i ka plotësuar kushtet e thirrjes së shpallur më 22 korrik të këtij viti.

Pra, nuk është e qartë se si Air Albania u kualifikua, megjithëse nuk kishte mbushur as një vit aktivitet në momentin e hapjes së thirrjes. Ndërkohë në bilancin e vitit 2018 ajo rezultoi pa të ardhura dhe me 100 mijë euro humbje (12,265,000 lekë).

Bilanci i paraqitur në QKR për periudhën gusht-dhjetor 2018 nga Air Albania.

Kompania Qendra Sportive Kuqezi, e cila zotëron “anën sportive të Stadiumit Kombëtar” ka aksioner 25 për qind Ministrinë e Ekonomisë dhe 75 për qind FSHF-ën. Megjithatë ajo nuk e sheh të detyrueshme respektimin e transparencës, aq më shumë kur bëhet fjalë për Stadiumin Kombëtar.

Vlen të theksohet se pjesa tjetër, “jo-sportive” – e cila është e paqartë se çfarë sipërfaqe ka – është në pronësi të privatëve dhe do të vazhdohet të quhet Arena Center.

Kështu marrëveshja e shitjes së emrit i shtohet serisë së marrëveshjeve të dyshimta dhe jo-transparente mes qeverisë, FSHF-ës dhe privatëve, të cilat kanë përçudnuar Stadiumin Kombëtar.

4 komente

  1. Toni 10 Nëntor, 2019 në 1:07 pm

    Prsh Exit.al.

    Mund te na jepni ndonje te dhene se kush jane pronari ose pronaret (ne letra) te Hotelit qe i ben hije stadiumit? Jam kurioz ta di.

    Personalisht mendoj qe i vetmi stadium legjendar qe kishim, ai Qemal Stafa, u vodh! Nga nje stadium olimpik eshte kthyer ne nje stadium regbie! Dhe perseri, populli yne pellazg rri e veshtron yjet! Mbase pret te kaloj kometa edhe njehere.

    flm

    • . 11 Nëntor, 2019 në 1:02 pm

      populli eshte hallexhi, nderkombetaret njelloje si rama po perdorin karten e vjeter, meqe keta kane halle hajde i luajme fen dhe pastaj i bejme per budallej duke i thene se ejta eshte e bukur e ju keni plot te drejta…mbasi ti shkelim te gjitha te drejtat kuptohet. e sheh fuqin totalitare ore djale, nuk na pjerdh njeri, mos ja ver fajin popullit. neve as 30 vjet skemi bere ne planet dhe na shkelen me kembe cdo te drejte e cdo ender. tani skuqim patate per ata.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme