A do të shpërblehet Arta Marku për shërbimet e saj politike?

Nga Arjan Balla
A do të shpërblehet Arta Marku për shërbimet e saj politike? Betimi i Arta Markut, e sapo zgjedhur kryeprokurore e përkohshme

Sot Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bëjë  renditjen e tre kandidatëve të kualifikuar në garën për Prokuror të Përgjithshëm. Dje zonja Marku kishte seancën e saj dëgjimore para KLP. Me një fjalor të cunguar, e me njohuri të pakta për ligjin, ajo paraqiti programin e saj për mënyrën se si do të drejtojë Prokurorinë e Përgjithshme.

Burime për Exit, pohuan se me shumë gjasa Marku do të renditet e para. Në këtë mënyrë, edhe nëse kandidatura e saj nuk do të arrijë të marrë tre të pestat e votave, ajo do të emërohet automatikisht Prokurore e Përgjithshme.

Sipas Kushtetutës, nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë brenda 30 ditëve me tre të pestat e votave asnjë nga tre kandidaturat që i çon KLP-ja, atëherë kandidatura e renditur e para në listën e KLP-së shpallet e emëruar automatikisht.

Nëse ndodh kjo, atëherë kjo do të jetë finalizimi i një ngritjeje meteorike për një prokurore me aftësi modeste, me përvojë të pakët pune, pa ndonjë aftësi të spikatur profesionale, por e cila, pasi u emërua prokurore e përgjithshme e përkohshme në mënyrë antikushtetuese dhe të njëanshme nga shumica socialiste, i shërbeu haptazi dhe në mënyrë të bindur kësaj shumicë politike.

Në dhjetor 2017, zonja Marku u zgjodh prokurore e përgjithshme e përkohshme me ndoshta jetëshkrimin profesional më të varfër që mund të ketë pasur ndonjëherë ndonjë homolog i saj në botë, pa ndonjë përvojë profesionale dhe pa aftësi organizative dhe drejtuese.

Deri në momentin e emërimit ajo kishte punuar gjithë kohës si prokurore në Prokurorinë e Shkodrës, ku kishte ushtruar më shumë funksione koordinuese dhe burokratike sesa hetimore dhe teknike. Sikurse pohoi vetë në seancën e pyetjeve në Kuvend, në gjithë karrierën e saj deri para emërimit ajo kishte ndjekur një numër çëshjesh që “numëroheshin me gishtat e dorës” dhe nuk kishte mbrojtur asnjëherë ndonjë çështje para gjykatës.

I vetmi element i dalluar në karrierën e saj si prokurore ka qenë një rast abuziv me kompetencat e saj, i nxjerrë në dritë nga Komisioni i Vetingut. Sikurse deklaroi anëtari i ONM-së Theo Jacobs, në seancën e vlerësimit të Markut, ajo kishte kërkuar arrest me burg për një të pandehur të arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi e kishte mbajtur atë në arrest përtej afateve ligjore. Kjo kërkesë, sipas Jacobs, ka qenë e ekzagjeruar dhe në shpërpjestim me veprën për të cilën akuzohej personi.

Pavarësisht mangësive të theksuara, Marku u zgjodh në krye të sistemit të prokurorisë. Në mënyrë të pritshme, e gjithë historia e mëpasme gati dyvjeçare e drejtimit prej saj të sistemit të prokurorisë është karakterizuar nga një mungesë e aftësive organizative dhe njohjes së ligjit dhe nga shkelje serioze të kuadrit ligjor dhe standardeve të administrimit të mirë.

Më poshtë Exit.al po sjell disa nga veprimet më shqetësuese të Arta Markut në krye të sistemit të prokurorisë.

Që në momentin e parë në detyrë, Marku nisi një ndryshim të thellë të strukturës së të gjithë sistemit të prokurorisë dhe një ndryshim rrënjësor të dejtuesve të të gjitha njësive dhe degëve të prokurorisë. Të gjitha këto ndryshime u bënë pa asnjë analizë, plan apo metodë.

Ky fakt u theksua sërish nga komisionerët e vetingut. Në raportin e KPK-së mbi figurën e Markut, relatorja Suela Zhegu u shpreh se Marku kishte dështuar të aplikonte një metodologji për riorganizimin e Prokurorisë dhe se “që nga riorganizmi i nisur [nga Marku] në Janar 2018 nuk është bërë asnjë hap për të miratuar ndonjë procedurë”.

Pak ditë mbas emërimit të saj në mënyrë antikushtetuese vetëm më votat e shumicës socialiste, zonja Marku shkarkoi nga detyra disa drejtues të prokurorive të rretheve dhe të Prokurorisë së Pëgjithshme, duke komanduar të tjerë.

Sipas opinionit të përgatitur nga Euralius dhe OPDAT, që shërbeu si bazë ligjore për emërimin e saj, kjo e fundit nuk e kishte këtë kompetencë. Opinioni përcakton se ajo do të ushtronte detyrat e Zëvendës-Prokurorit të Përgjithshëm. Neni 39/2(a) i Ligjit  97/2016 shprehet se Zëvendës-Prokurorit të Përgjithshëm i lejohet vetëm të “përmbushë detyrat që janë të nevojshme për funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme, prokuroritë në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm dhe Policinë e Gjykatës.”

Në janar 2018, Marku pohoi se lejimi i ekstradimit në Itali të Nazer Seitit, financierit të bandës së Habilajve, ishte i paligjshëm, por argumentoi se Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, nën varësinë direkte të saj, nuk e dinte që Prokuroria e Krimeve të Rënda po hetonte Seitin, ndaj kishte autorizuar ekstradimin në emër të saj.

Në vend që të mbante përgjegjësi për këtë skandal, Marku u mundua ta kalonte situatën duke pohuar se kishte urdhëruar hetimin e çështjes. Por, duke tregur mungesë të thellë njohurish ligjore, ajo dha si bazë ligjore të hetimit disa përcaktime ligjore që ishin shfuqizuar. Në njoftimin e saj Marku, pohoi:

“Në mbështetje të nenit 160 pika 5, në lidhje me Kreun V, të Ligjit Nr. 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të fillojë hetimin disiplinor për rastin, për të nxjerrë përgjegjësitë disiplinore nëse ka, të prokurorëve që kanë trajtuar çështjet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Prokurorinë Për Krime të Rënda”

Por Gjykata Kushtetuese me vendimin Nr. 34, datë 10.04.2017 e ka shfuqizuar Kreun V të Ligjit 96/2016, të cilit i referohet Marku. Kjo do të thotë që urdhëri i saj nuk ka asnjë efekt praktik dhe hetimi që ajo ka urdhëruar nuk ka vlerë ligjore.

Në shkurt 2018, Arta Marku dhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj firmosën një marrëveshje, e cila vendosi krijimin e seksioneve të posaçme për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe prokurorive të rretheve.

Por e gjithë kjo strukturë dhe mënyra e veshjes së saj me personel bie ndesh me Kushtetutën, e cila ka parashikuar ngritjen e Prokurorisë së Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit, të quajtur SPAK, dhe njësisë së hetimeve nën varësinë e saj, të njohur ndryshe si Byroja e Hetimit.

Në gusht 2018, Marku përfitoi nga një kundërshtim procedurial i disa prokurorëve të krimeve të rënda dhe ajo vendosi nisjen e hetimit disiplinor për shtatë prokurorë dhe urdhëroi transferimin e tre prokurorëve nha krimet e rënda në prokuroritë e rretheve.

Ky urdhër i Arta Markut u shfuqizua nga Gjykata Administrative, si dhe u rrëzua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Në shtator 2018, Arta Marku u bëri thirrje Prokurorëve të Apelit të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke qenë se nuk kishte mjaftueshëm prokurorë që kishin kaluar vetingun nga lista e parë.

Për të zgjidhur këtë situatë, Arta Marku zgjodhi të ndjekë një procedurë të paligjshme—të injorojë dispozitat kalimtare të Ligjit 115/2016, të cilat përcaktojnë mënyrën e zgjedhjes së KLP-së së parë, dhe të përdorë dispozitat që ligji ka parashtruar për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLP-së për të zëvendësuar anëtarët në detyrë që përfundojnë mandatin e tyre.

Në qershor 2019, Marku shpërfilli në mënyrë të paligjshme dekretin e Presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve, nëpëmjet një udhëzimi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, edhe pse kjo datë ishte shfuqizuar nga Presidenti.

Në gusht 2019, Arta Marku vendosi në mënyrë antiligjore që dosja e Dibrës të kalojë në prokurorinë e Dibrës pa miratimin e gjykatës. Marku argumentoi se duke qënë se nuk ka akuza për personat nën hetim, nuk është i nevojshëm miratimi i gjykatës për pushimin e çështjes.

Por Kodi i Procedurës Penale përcakton të kundërtën e asaj çfarë zonja Marku ka shkruar në vendimin e saj. Neni 329/a i Kodit nuk e lidh dërgimin e kërkesës në gjykatë për pushimin e çështjes me ngritjen apo jo të akuzave, por me përfundimin e hetimeve nga ana e prokurorisë.

Para pak kohësh, Marku i kërkoi  Prokurorisë së Tiranës të nisë vlerësimin ligjor për përhapjen e lajmeve të rreme për tërmete të pritshme, të cilat krijuan panik në popullsi.

Ligji për Prokurorinë, në nenin 38 përcakton qartë kompetencat dhe përgjegjësitë e Prokurorit të Përgjithshëm, një pjesë të detyrave të të cilit ushtron zonja Marku, dhe ajo nuk gëzon asnjë të drejtë të ndërhyjë, madje as të kërkojë informacion, për asnjë hetim apo çështje hetimore të kujtdo prokurori të sistemit të drejtësisë.

Nga ana tjetër, kërkesa e zonjës Markut ka nxjerrë në pah mungesën e njohurive të saj ligjore. “Vlerësimin ligjor” që ajo kërkon ta bëjë prokuroria, në fakt, mund ta bëjë vetëm gjykata. Vetëm gjykata mund të shprehet për ligjshmërinë apo jo të një veprimi.

3 komente

  1. t 25 Shtator, 2019 në 11:05 pm

    Emrimi i saj ishte i paligjshem qe ne fillim dhe keshtu do perfundonte me kete mazhorance qe eshte kthyer ne noter te veprimeve te paligjshme te qeverise.Emrimi i saj si PP e perhershme eshte prova qe kjo reforme drejtesie eshte per te na hedhur hi syve neve publikut dhe per te mos pranuar deshtimin e saj.Emrimi i A.Markut si P e perhershme eshte nje turp qe do kurorezoje deshtimin e ref.ne drejtesi

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme