Atentat me armë prokurorit Arjan Ndoja, udhëtonte me një person të dyshimtë

Atentat me armë prokurorit Arjan Ndoja, udhëtonte me një person të dyshimtë Prokurori Arian Ndoja dhe makina e tij në vendin ku iu bë atentati.

Prokurori i Durrësit Arian Ndoja u plagos sot në një atentat me armë ndaj tij, të ktyer nga persona ende të panjohur. Sulmi ndodhi rreth orës 16:30, ndërsa ai udhëtonte si pasagjer në një makinë në mbikalimin e Shkozetit në autostradë Tiranë-Durrës.

Sipas raportimeve në media, Ndoja është goditur me dy plumba.

Në makinë bashkë me të udhëtonin edhe Aleksandër Laho, i njohur gjithashtu me emrin Landi Muharremi, dhe Andi Maloku, ne rolin e shoferit, të cilët mbetën, gjithashtu, të plagosur.

Të tre të plagosurit po trajtohen në reanimacionin e Spitalit të Traumës në Tiranë, gjendja e tyre raportohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Sulmi ndaj Ndojës u bë nga persona që udhëtonin ne dy makina që e kishin ndjekur. Më vonë gjatë mbrëmjes, policia gjeti rreth 25 kilometra larg vendngjarjes, në fshatin Shkafanë të Ishmit, një nga automjetet e dyshuara se u përdorën në atentat. Brenda makinës u gjetën dy kallashnikovë dhe dy maska. Makina tip Benz kishte targa të vjedhura në Tiranë.

Arian Ndoja është prokurori, i cili pak ditë më parë u sulmua politikisht nga Kryeministri Edi Rama dhe Zv/Kryeministri Erion Braçe pasi Ndoja çoi për ndjekje penale ish-drejtorin e hipotekës së Durrësit Liridon Pula. Pula u akuzua për shpërdorim detyre.

Ndoja u emërua prokuror rreth 10 vite më parë, pasi ishte liruar njëherë nga detyra nga Prokurori i Përgjithshëm i asaj kohe, Theodhori Sollaku. Përpara se të ishte prokuror, Arian Ndoja ushtronte profesionin e avokatit. Si avokat njihej si mbrojtës i Arian Selimit, akuzuar për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe ekzekutuar në vitin 2011.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme