Avokati i Popullit: Dhunë e pajustifikuar ndaj banorëve të Unazës së Re

Nga Stafi i Exit
Avokati i Popullit: Dhunë e pajustifikuar ndaj banorëve të Unazës së Re Foto pas aksionit të shembjes së ndërtesave në Sheshin Shqiponja.

Avokati i Popullit e cilësoi të pajustifikueshme dhunën e policisë ndaj banorëve të Unazës së Re gjatë aksionit të së martës për prishjen e 33 ndërtesave rreth Sheshit Shqiponja.

Në një raport të publikuar sot, Avokati i Popullit (AP) ka ngritur shqetësimin e përdorimit të vazhdueshëm të gazit lotsjellës nga policia edhe përballë grave dhe fëmijëve, ndërkohë që thekson se përplasja e së martës me banorët:

“[…] mund të shmangej me një qasje më pajtuese, konsensuale dhe mirëkuptuese nga ana e autoriteteve shtetërore kundrejt komunitetit të qytetarëve që ndjehen të cënuar nga projekti i zgjerimit të Unazës së re. Sidomos e domosdoshme ka qenë kjo qasje dhe më e panevojshme është bërë forca represive, në kushtet kur ky projekt duhet të ishte në fazë ngrirjeje, deri në verifikimin e plotë të dyshimeve të lindura për parregullsi ligjore në procedurat e tij”.

Sipas raportimit të AP policia qe vendosur në zonë që rreth orës 5 të mëngjesit dhe bllokoi lëvizjen e qytetarëve. Ajo ndaloi edhe grupet e punës së AP-ës, të cilëve nuk u lejua të afroheshin pranë vendeve ku IKMT po kryente aksionin.

AP thotë në raport se:

  • u përdor dhunë e pajustifikueshme nga ana e policisë për largimin nga zona të banorëve
  • banorëve nuk iu mundësua largimi i orendive dhe sendeve jetësore të përditshme nga ndërtesat
  • 7 banorë dhe 5 policë u dërguan në spital
  • në disa raste u ushtrua dhunë ndaj të shoqëruarve për në komisariate
  • grupet e AP nuk u lejuan të kryenin punën

Sipas dëshmive të mbledhura nga AP banorët janë sulmuar rreth orës 5:30 pasi kishin dalë duke protestuar paqësisht. Sulmi u bë pa lajmëruar me hedhje gazi lotsjellës megjithëse mes tyre kishte qartësisht fëmijë dhe të moshuar.

“Disa prej banorëve janë shtrirë në tokë, disa të tjerë janë futur në një lokal. Një shtetas pohon se është përpjekur të largohet nga vendi ku u krye sulmi me gaz, por në ecje e sipër ka ndierë se është goditur nga diçka dhe ka rënë pa ndjenja. Kur ka ardhur në vete ka parë se gjendej në spital ku u është nënshtruar ekzaminimeve.”

Në lokalin e përmendur nga AP ishin vendosur rreth 50 gra dhe fëmijë, por pavarësisht kësaj policia theu xhamat dhe hodhi gaz lotsjellës brenda. Kjo u shkaktoi shumë prej tyre gjendje të fikti dhe u dërguan në spital nga banorë të tjerë.

Shoqërimet dhe dhuna e policisë

AP konstatoi dhjetëra shoqërime në polici në harkun kohor të tre orëve të para të mëngjesit. Prej orës 6:00 deri në 9:00 AP numëroi mbi 20 të shoqëruar, por që ato vazhduan edhe më tej gjatë mesditës. Në 4 raste personat ishin shoqëruar me dhunë ndërkohë që në Drejtorinë e Policisë Tiranë ishte “shoqëruar në orën 6.45 një grua së bashku me një fëmijë”. Ata ishte liruar në orën 9.00.

AP shprehu shqetësimin për përdorimin e vazhdueshëm të gazit lotsjellës “si mjet i parë nga ana e policisë për të sulmuar grupe qytetarësh që protestojnë paqësisht, madje mbetet i paqartë protokolli i përdorimit të këtyre lëndëve, sidomos ndaj grumbullimeve të njerëzve ku të pranishëm janë edhe fëmijë, gra e të moshuar”.

Ky është raporti i radhës pas atyre drejtuar Kuvendit ku AP ka adresuar shkeljet e kryera nga institucionet publike si në rastin e Shkozës, një tjetër zone në Unazën e Madhe.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme