Basha për ekonominë: Ulim taksat, pagë minimale 300 euro

Nga Stafi i Exit
Basha për ekonominë: Ulim taksat, pagë minimale 300 euro Kryetari i PD-ës në takimin me biznesin në Durrës.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha premtoi për biznesin taksa më të ulëta dhe marrëdhënie më lehtësuese me shtetin si politikat kryesore të një qeverie të mundshme të drejtuar prej tij në të ardhmen.

Në një takim me biznesmenë të Durrësit, kryetari i PD-ës tha se sektori i biznesit po mbytet nga politikat e gabuara të qeverisjes. Zoti Basha e cilësoi klimën e biznesit në Shqipëri si “klimën më të keqe në Evropë”. Ai tha se aktualisht vendi po cilësohet në arenën ndërkombëtare jo për suksese në ekonomi, por si “qendra e krimit dhe e drogës”.

Përfaqësues të biznesit dhe Dhomës së Tregtisë u ankuan për barrën e lartë fiskale, tatimin mbi fitimin, tatimi mbi vlerën e shtuar, kostot e prodhimit dhe vështirësi për shitjet në treg. Ata kërkuan reformimin e inspektoriateve të taksave dhe reduktimin e kontrollorëve ndaj bizneseve, kërkuan mbështetjen e prodhimit vendas dhe bllokimin e produkteve të falsifikuara apo pa cilësi që vijnë nga tregjet e huaja.

Për këtë Zoti Basha tha:

Biznes i çliruar është vizioni për një biznes të suksesshëm. Ju duhet një qeveri që nuk ua bën jetën më të vështirë por më të lehtë. Ne jemi për taksa më të ulta dhe ulje të korrupsionit. Ky është në themel të vizionit tonë.

Biznesi në Durrës u ankua gjithashtu për mungesën e meritokracisë, konkurrencës së ndershme dhe barazisë përpara ligjit, largimin e krahut të punës, sidomos në sektorin e turizmit, ku dhe taksat nuk e kanë favorizuar atë.

Kryetari i PD-ës iu përgjigj përfaqësuesve të biznesit duke thënë se aktualisht Shqipëria ndodhet nën një “byroje oligarkike” e cila “fiton gjithë tenderat dhe nuk lejon konkurrencën”.

Zoti Basha tha se “si fillim do të bëjmë çmos të rikthejmë konkurrencën”. Këtë ai tha se do ta arrinte duke “vendosur një administratë të efektshme” dhe duke “aplikuar taksë të sheshtë 9 për qind, e cila heq nga loja dy-bilancet dhe formalizon bizneset”.

Paketa e ekonomisë sipas PD-ës do të ketë:

  • tatimin mbi fitimin 9%
  • kontributet shoqërore 18%
  • taksa e transferimit të pronës 3%
  • taksa e dividentit zero ose 1,2 apo 3 %
  • ulja e çmimit të naftës me 24 lekë për litër duke hequr taksat
  • ulje e çmimit të energjisë elektrike për biznesin prodhues
  • rritja e pagës minimale në 300 euro
  • mbështetje e stazheve të paguara

Kryetari i PD-ës premtoi moratorium 6 mujor dhe se “të gjitha inspktoriatet do të shkrihen dhe më pas do të rishikohen mbi baza europiane që të mos jenë terror i biznesit”. Për emigracionin Zoti Basha tha se duhet rritur rroga minimale dhe se kjo rritje e rrogës minimale arrihet pas aplikimit të uljes së taksave për biznesin.

2 komente

  1. . 11 Nëntor, 2019 në 1:36 pm

    fuck yeah ! ja arritem

  2. . 11 Nëntor, 2019 në 1:44 pm

    ku do ti gjeje leket sepse duhet te mbarte edhe koston e PPP qe jane dhene pa kriter?

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme