FSHF detyron sportdashësit të blejnë bileta për 2 ndeshje

Nga Gerard Gega
FSHF detyron sportdashësit të blejnë bileta për 2 ndeshje Dyqani i FSHF dhe njoftimi për biletat.

Federata Shqiptare e Futbollit detyron qytetarët që të blejnë 2 bileta ndeshjeje futbolli, pavarësisht se ata mund të jenë të interesuar për të parë vetëm një ndeshje. Dyqanet e FSHF janë udhëzuar që të shesin biletat e ndeshjes Shqipëri-Francë bashkë me bileta të Shqipëri-Andorrë. Kështu për biletat më të lira për të parë Francën me 1,500 lekë, qytetarët detyrohen të paguajnë edhe 500 lekë më shumë për të blerë bileta për ndeshjen kundër Andorrës.

Më 14 nëntor Shqipëria luan me Andorrën në Elbasan Arena, ndërsa tre ditë më vonë në Tiranë përurohet Stadiumi Kombëtar me ndeshjen e fundit, kundër Francës. Dëshira për të qenë të pranishëm në ndeshjen përuruese, por edhe për të parë kampionët e botës nga afër ka shtuar shumë interesin e sportdashësve për të blerë bileta.

Por nëse për Francën interesimi ka qenë jashtëzakonisht i madh, krejt ndryshe ndodh për ndeshjen tjetër, atë kundër Andorrës. Në përpjekje për të shtuar artificialisht tifozët në këtë sfidë, FSHF ka vendosur të detyrojë blerjen e biletave për të dyja takimet, mirëpo kjo po kthehet në valë pakënaqësish.

Radha e njerëzve që ankoheshin nëpër dyqanet e FSHF-ës ishte tejet e madhe gjatë fundjavës. Për një biletë të thjeshtë për Francën, e cila kushton 1,500 lekë, sportdashësit duhet të paguajnë edhe 500 lekë biletë për Andorrën. Bileta më e shtrenjtë, ajo 5,000 lekë detyron një biletë tjetër prej 2,000 lekësh.

Problemet me tifozët

Që prej ndarjes së kombëtares me nga një përfaqësuese të Shqipërisë dhe Kosovës në ndeshje janë parë shumë më pak mbështetës. Tifogrupi që e ka ndjekur kombëtaren historikisht, Tifozat Kuqezi (TKZ) janë mënjanuar nga FSHF përmes përpjekjes për të kontrolluar organizimet. Federata ka krijuar një tifogrup paralel të quajtur “Tifozët e Kombëtares”, të cilët i privilegjon me të drejtën e blerjes së biletave përpara TKZ.

Duke parë reagimin e tifozëve, të cilët e kanë parë këtë përpjekje të FSHF-ës si mënyrë biznesi, shpesh në ndeshje të caktuara ka pasur edhe bojkotime. Disa herë Federata është drejtuar me letra të hapura tifozëve që “të mos e braktisin kombëtaren”, por mënyra se si po veprohet me dy përballjet e radhës po krijon klimë edhe më pak dashamirëse ndaj sportit.

Si mund të ishte zgjidhja

Ka shumë mënyra se si mund të nxitet shikueshmëria. Duke parë interesimin e madh për ndeshjen me Francën, FSHF mund të ulte çmimin e biletave.

Duke e ditur se shumëkush parapëlqen të shohë ndeshjen me Francën, shitjet e biletave për këtë sfidë ta hapeshin pas ndeshjes me Andorrën dhe kushdo që e shihte ndeshjen në Elbasan të kishte skonto për ndeshjen me Francën në Tiranë.

Nëse vërtetë FSHF-ës i intereson të nxisë prezencën e tifozëve në stadiume nuk duhet të privilegjojë një organizëm të saj dhe të përjashtojë organizime të tjera tifozësh për të drejtën e blerjes së biletave, apo rezervimet. Një politikë tjetër mjaft nxitëse do të ishte që kushdo i cili ndjek ndeshjet e përfaqësueses shpresa, përfiton ulje ose biletë falas për ndeshjen e kombëtares.

Eksperimenti me detyrimet në blerje biletash tregon mungesë respekti ndaj sportdashësve, për faktin se përfaqësuesja e futbollit nuk është klub privat. Ndërkohë për t’u theksuar është fakti se pavarësisht investimit madhor në Stadiumin Kombëtar, sërish FSHF mbetet prapa me biletën online.

Sportdashësit shqiptarë vazhdojnë të enden nëpër sportele biletarish, edhe pse pas 17 nëntorit do të kenë stadium prej 70 milionë eurosh.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme