Francezja Libération: Makron kundër “fesë” së zgjerimit të BE-së

Francezja Libération: Makron kundër “fesë” së zgjerimit të BE-së Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Makron, me kërkesën e tij për reformimin e procesit të zgjerimit dhe më pas fillimin e pranimit të vendeve të reja në BE, po e gjen veten të sulmuar nga shumë institucione dhe qeveri të BE-së.

Evropa është një besim fetar. Si e tillë ajo ka dogmat dhe priftërinjtë e saj. Dhe kush del nga rreshti, duhet të marrë përsipër rrezikun e blasfemisë, herezisë dhe të shkishërimit.

Emanuel Makron u përball me këto akuza kur vendosi të bllokojë hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 18 tetor.

Presidenti Macron ka sulmuar një nga shtyllat e mendimit evropian—sikurse edhe disiplinën buxhetore, përparësinë e tregut dhe përkatësinë në NATO—atë të zgjerimit pafund të Bashkimit.

Që prej atëhere, të gjithë që në Europë vetë-mbahen për të drejtë, nga drejtuesit e institucioneve të BE-së, te pjesa më e madhe e mediave e deri tek shumë qeveri, duan ta shohin në shkallët drejt gijotinës.

Kështu, Presidenti në ikje i Këshillit Evropian Donald Tusk, e kritikoi ashpër, më 13 nëntor, vendimin e Makron, duke e akuzuar se po dobësonte BE-në: “Nuk do të ketë një Evropë sovrane pa një Ballkan stabël të integruar në pjesën tjetër të kontinentit, dhe nuk ka nevojë për të sjellë fakte historike për ta kuptuar këtë.”

Reforma e procesit

I fundit që vuri në dyshim politikat e zgjerimit të BE-së ishte ish-ministri francez i Punëve të Jashtme Hubert Vedrine. Në vitin 1998, në York, ai pyeti 14 kolegët e tij, minsitrat e jashtëm të vendeve të atëhershme të BE-së, nëse do ishte më mirë ta ngadalësonin procesin e zgjerimit, duke qënë se Evropa nuk ishte e përgatitur institucionalisht për të pranuar menjëherë 10 vende të Evropës Qendrore.

Reagimi ishte unanimisht i dhunshëm—kolegët e tij, sidomos gjermanët dhe britanikë, e akuzuan për mungesë solidariteti, egoizëm dhe për refuzimin e shlyerjes të një borxhi historik ndaj këtyre vendeve.

Atëherë, në përfundim të takimit, Vedrine u tha gazetarëve se “unë guxova të rrezikoj, por nuk do ta ripërsëris më “. Dhe në fakt, që prej atij takimi, zgjerimi është kthyer në një proces më shumë teologjik.

Për më tepër, asnjë nga problemet që kanë lindur nga zgjerimi nga 15 në 28 vende (së shpjeti në 32 deri 35) nuk është zgjidhur. Ndaj Makron pyet se pse duhet të mendojmë që “ajo që nuk funksionoi për 28 duhet të funksionojë për 30”.

Ai e veuri Gjermaninë përpara përgjegjësisë, e cila ndonëse kërkon uljen e buxhetit të BE-së, kundërshton çdo reformim të BE-së.

Sipas një dokumenti jozyrtar—një dokument pune që do të shërbejë si bazë për bisedimet—dërguar partnerëve javën e kaluar, Franca shpjegon se ajo nuk po kërkon të bllokojë përgjithmonë zgjerimin, por po kërkon të reformojë procesin e zgjerimit, përpara se të hapë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Integrim gradual

Në veçanti, ajo do që procesi i bisedimeve të mos bëhet më “me kapituj“, por me “një bllok koherent politikash” me qëllim t’i jepet mundësia një vendi kandidat të marrë pjesë në politikat sekoriale dhe të përfitojë financime të veçanta, përfshi fonde strukturore: në këtë mënyrë, do të kemi integrim gradual në BE me qëllim për të provuar nëse vendet do t’i përmbahen detyrimeve të tyre.

Vetëm nëse vendi kandidat do të arrijë të zbatojë këto politika dhe të marrë pjesë në “shkrirjen e vërtetë ekonomike dhe shoqërore”, Makron mund të nisë bisedimet për pranimet e vendeve të reja në BE.
Parisi kërkon që në këtë mënyrë procesi të bëhet i kthyeshëm, pra, nëse një vend nuk respekton angazhimet e tij, procesi të kthehet nga fillimi.

A do të jetë Makron, Lutheri i rindërtimit të Bashkimit Europian?

2 komente

  1. Emigrata 19 Nëntor, 2019 në 9:22 pm

    O gazete ka te drejte se e keni mush vendin me turq dhe arab ju muta me salen dhe lulin dhe edi me legen me erdoganin shiteni per dy leke

  2. astrit 20 Nëntor, 2019 në 8:47 am

    Shkrim ne thelb prek nje qasje te vjeter te politikes Evropjane.Humbjen e peshes nderkombetare te Evropes.Evropa e Bashkuar u krijua per te ndaluar ekspasionin Boterore te Amerikes plus qe ne skene po dalin fuqi te tjera rajonale si Rusia, Kina, deri diku Turqia e te tjera vende qe duan te marin boshllekun qe vazhdimisht Evropa po len ne dobesine e saj. Realisht Makron po i fut nje pyke vetes me mos pranimin e zgjerimit gjeografik te Evropes

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme