Grushti kushtetues, përcaktues për fatin politik të Edi Ramës

Nga Ergys Mërtiri
Grushti kushtetues, përcaktues për fatin politik të Edi Ramës

Zgjedhja e Arta Vorpsit, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, është një akt i rëndë i shkatërrimit të themeleve mbi të cilat ngrihet shteti. Ky akt i jep Kryeministrit mundësinë të kontrollojë dhe instrumentalizojë Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet të ishte garanti themelor i rregullave të lojës.

Kjo gjykatë ekziston pikërisht për të penguar qeverinë të kapë shtetin. Ajo është gardiane e ndarjes së pushteteve. Është mekanizmi kryesor që garanton të mos kemi diktaturë. Ajo ekziston pikërisht për të penguar qeverinë dhe parlamentin të mos tejkalojë kompetencat dhe hapësirën që i ofron ligji. Kapja e kësaj gjykate do të thotë fund i këtij funksioni të saj dhe shfuqizim i demokracisë.

Ndër të tjera, kjo gjykatë pritet të marrë vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me jetën politike të Kryeministrit Rama. Vendimi për njohjen ose jo të zgjedhjeve të 30 qershorit, si dhe për jo/legjitimitetin e parlamentit aktual mund të përcaktojnë fatin e tij në politikë.

Deri kur ishte funksionale, ka pasur një ekuilibër midis anëtarëve të kësaj gjykate. Vendimet e saj të pritshme, shumë të rëndësishme, mund t’i ndajë edhe një votë e vetme. Për këtë arsye, Rama do të lëvizte çdo gur, vetëm e vetëm të mos lejonte një gjykatë të pavarur.

Mënyra sesi u zgjodh Arta Vorpsi ishte një spektakël i shkeljes së paskrupullt të ligjit dhe kushtetutës. Për realizimin e një “operacioni” të tillë, Dvoranit dhe njerëzve të maxhorancës u është dashur të kryejnë shkelje në seri, duke thyer ligje hap pas hapi, vetëm e vetëm që Presidentit t’i grabitej e drejta kushtetuese për të emëruar anëtarët e tij në Gjykatën Kushtetuese. Procesi tregoi një konstelacion shkeljesh flagrante, njëra pas tjetrës, që ndër të tjera tregojnë nevojën e dëshpëruar të socialistëve për ta kapur këtë gjykatë.

Fillimisht Dvorani vetë u mbajt në detyrë, jashtë çdo mandati ligjor. Ai rezultoi të ishte pika kyçe e kësaj masakre dhe ekzekutor i të gjitha marifeteve për pengimin e zbatimit të Kushtetutës në formimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përvec kësaj, Rama e përforcoi KED-në me kryeprokuroren Arta Marku, si anëtare, dhe bëri të mundur që KED të bënte një vlerësim të paskrupullt për gjykatësen Marsida Xhaferllari, e perceptuar si një kandidaturë e pakontrollueshme nga Rama. Ajo u rendit e fundit në listën e kandidatëve të dërguar Presidentit dhe Parlamentit për të plotësuar vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykatësja Xhaferllari u rendit e fundit në listë, megjithëse kolegët e saj anëtarë në KED e vlerësuan me pikë të larta. Pesë anëtarë nga anëtarët e vlerësuan me 8-10 pikë kandidaturën e saj, ndërsa Dvorani dhe Arta Marku e vlerësuan me zero pikë për integritetin moral, reputacionin dhe angazhimin civil. Si rezultat, Xhaferllari përfundoi e fundit në listë. Ky ishte një hap i rëndësishëm për shkeljet që do të vijonin.

Kushtetuta përcakton 9 anëtarë për Gjykatën Kushtetuese, prej të cilëve 3 zgjidhen nga Presidenti, 3 nga Parlamenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë. KED harton listën me tre kandidatë të renditur sipas meritës për secilin vend bosh në gjykatë. Lista i dërgohet institucionit që ka radhën të zgjedhë dhe ky mund të zgjedhë secilin nga tre kandidatët. Nëse brenda një afati të caktuar nuk zgjedh, kandidati i parë në listë emërohet automatikisht.

Të tri institucionet zgjedhin me radhë, njëri pas tjetrit, sipas Kushtetutës.

Por, ja që në KED qeveria ka njerëz që mendojnë se mund ta prishin këtë rradhë, duke i rrëmbyer kompetencat njërit institucion. KED i dërgon jo nga një, po nga dy lista secilit institucion, por Parlamentit disa ditë më vonë. Pas zgjedhjes së emrit të parë nga Presidenti, radha i kaloi Parlamentit, me dakordësinë e heshtur që Gjykata e Lartë t’i zgjedhë tre të vetët kur të formohet. Por Parlamenti e vonon zgjedhjen e kandidatit të tij deri pranë fundit të afatit të lejuar nga Kushtetuta.

Ndërsa Presidenti po priste radhën, pasi Parlamenti të zgjidhje një anëtar, ky i fundit zgjodhi dy. Pikërisht, ky ishte edhe qëllimi i vonesës së Parlamentit, që të digjte afatin e Presidentit, me sugjerimin antikushtetues që edhe ai të kishte zgjedhur dy anëtarë.

Në këtë moment, Dvorani konsideron se Presidenti nuk u shpreh brenda afatit, ndonëse atij nuk i kish ardhur radha të shprehej. Dvorani automatikisht konsideron fitues kandidaten e parë në listën e dytë të Presidentit, Arta Vorpsin. Kjo e përjashton përjashton mundësinë e zgjedhjes së Xhaferllarit, e treat në listë.

Pra, në këtë kuptim, Gjykata Kushtetuese jo vetëm që nuk po ngrihet sipas Kushtetutës, por ajo po formohet sipas Dvoranit dhe Arta Markut.

Por nuk mbaron këtu. Një sërë problemesh dalin për faktin se nuk ka një institucion që mund ta njohë të ligjshëm këtë makinacion. I vetmi institucion që mund të interpretojë ligjshmërinë e këtyre veprimeve është vetë Gjykata Kushtetuese.

Për këtë, Dvoranit dhe qeverisë i duhet një tjetër akrobaci. Ai e dërgon për botim dhe qeveria e boton në Fletoren Zyrtare listën me emrin e Arta Vorpsit, të nesërmen e gjoja skadimit të afatit të Presidentit, ose afro një muaj e gjysmë pasi KED e kishte marrë atë vendim. Kështu, kjo përdoret si justifikim ligjor se lista është zyrtare, e botuar në Fletoren Zytare, dhe e para në listë, Arta Vorpsi është automatikisht anëtare e gjykatës, pasi Presidenti heshti.

Në fund, për t’i vënë qershinë tortës, Arta Vorpsi sajon betimin notarial, si procedurë e shmangies formale nga një detyrim ligjor, duke i dhënë nota qesharake epilogut të sakatimit të themeleve të shtetit.

E gjithë historia është një aksion për t’i hequr Presidentit atë çfarë ia jep Kushtetuta, në një prej akteve më të rëndësishme për të cilin ekziston si Presidenti, ashtu edhe vetë Gjykata Kushtetuese. Edi Rama po krijon kështu gjykatën e tij private, duke marrë peng institucionet e formimit të saj.

Treqind vjet më parë, Monteskjeja arsyetonte se, nëse një pushtet ka dorë të lirë për të bërë çfarë të dojë, do të sillet doemos në mënyrë despotike. Ndarja e pushteteve sipas tij, është i vetmi instrument që e pengon këtë.

Një ndër qëllimet kryesore të Kushtetutës, si ligji themelor i një vendi, është të garantojë ndarjen e pushteteve. Ky është instrumenti më i rëndësishëm që e mban shtetin në këmbë dhe nuk e lë shoqërinë të bjerë në tirani. Që kur kanë filluar të konceptohen, kushtetutat moderne janë ndërtuar në atë mënyrë që të shmangin përqëndrimin e pushtetit në një dorë të vetme. Lejimi i kapjes së pushteteve është eksploziv mbi Kushtetutën dhe, rrjedhimisht, mbi themelet e demokracisë shqiptare, që është tepër e brishtë edhe pa ekzekutimin e një krimi të tillë kushtetues.

Përqëndrimi i pushteteve në një dorë të vetme është i rrezikshëm edhe kur pushtetin e ka një lider i drejtë dhe i ndershëm, lëre më kur në dorë e ka Edi Rama.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme