Haradinaj: Taksa ndaj Serbisë frenoi projektet për ndarjen e Kosovës

Nga Stafi i Exit
Haradinaj: Taksa ndaj Serbisë frenoi projektet për ndarjen e Kosovës Foto ilustruese, Haradinaj gjatë një aktiviteti për nder të UÇK.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbrojtur politikën e vendosur prej tij me taksë 100 për qind ndaj mallrave serbe duke theksuar se përmes saj u përfitua ekonomikisht dhe politikisht duke u kundërshtuar projektet e ndarjes së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Zoti Haradinaj iu përgjigj pretendimeve të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se “taksa është kthyer në litar për Kosovën”. Ai tha se deklarimet që e quajnë taksën të paefektshme “vijnë nga shpirtrat e shitur dhe argatët e Serbisë së madhe”. Me këtë ai nënkuptoi përkrahësit e idesë për “Mini-Schengen” dhe marrëveshje me Serbinë për shkëmbim territoresh nga Zoti Rama dhe Presidenti i Kosovës Thaçi.

Zoti Haradinaj tha se “sulmi ndaj taksës është po aq i rrezikshëm sa edhe vizatimet e hartës së Ballkanit nga tavolinat antishqiptare dhe të antipaqes në Ballkan”.

“Është për të ardhur keq që sot, shpirtrat e shitur dhe argatët e Serbisë së madhe, në qarqe të ndryshme, duke folur gjuhën tonë, të shqiptarit, i japin të drejtë vetës dhe tentojnë të influencojnë opinionin, duke kalkuluar interesa të tjera, që asesi nuk janë të Kosovës dhe përveç tjerash janë në dëm të saj, duke prodhuar lajme, si formë presioni për ta hequr taksën, për ta dobësuar Kosovën dhe për ta rrezikuar integritetin e saj”.

Zoti Haradinaj këmbëngul se taksa i ka dhënë Kosovës fitime ekonomike dhe më shumë forcë politike, sidomos në kundërshtimin e projekteve për ndarjen e Kosovës. Ai tha se presionet për heqjen e saj i ka kaluar qeveria e tij dhe se qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit nuk do ta ketë këtë peshë.

Në një intervistë për Top-Channel, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, pati thënë:

“[…] (tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe) e kam mbështetur fuqimisht. Ama e kam mbështetur si veprim që duhet të prodhonte rezultat politik dhe jo si tarifë ekonomike […] kur erdhi puna që tarifa u kthye mjet i politikës së brendshme, e rrethoi Kosovën me zhgënjim dhe deri mospërfillje nga partnerët strategjikë të Kosovës dhe nuk u përdor si mekanizëm, kur i erdhi momenti të përdorej për të hequr vizat për Kosovën. Atëherë pa diskutim që kjo u kthye nga vënie e pasqyrës përpara botës për një shqetësim të madh të Kosovës, në litar në këmbët e Kosovës.”

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme