Illyrian Guard, shtetëzimi de fakto i sektorit të sigurisë fizike

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Illyrian Guard, shtetëzimi de fakto i sektorit të sigurisë fizike

Ditët e fundit, Balkanweb raportoi se më shumë se 15 institucione shtetërore po ruhen nga kompania e sigurisë fizike Illyrian Guard, kompani private 100 për qind në pronësi të Ministrisë së Brendshme. Deri në krijimin e Illyrian Guard në prill 2019, të gjitha shërbimet e sigurisë fizike të institucioneve i nënshtroheshin ligjit të prokurimit publik.

Me kalimin e viteve, firmat private të sigurisë kanë pasur çmimet artificialisht të larta përmes skemave të fiksimit të çmimeve. Exit.al ka raportuar shpesh për këto kartele, për të cilat Autoriteti i Konkurrencës nuk ka reaguar. Hera e fundit që firmat e sigurisë u gjobitën për pengimin e konkurrencës së lirë ishte në vitin 2012. Më vonë të gjitha hetimet për skemat e përcaktimit të çmimeve mbylleshin pa asnjë rezultat.

Padyshim që tenderat publikë të shërbimeve të sigurisë për godinat e institucioneve kanë qenë burimi kryesor i të ardhurave për sektorin privat të sigurisë.

Në periudhën 2015- 2019, kompania Eurogjici fitoi 302 milionë lekë (2.4 milion €) nga tenderët e shtetit, Toni Security 481 milionë lekë ( 3.9 milion €) dhe Dea Security 138 milionë lekë (1,1 milion €). Vetëm për institucionet të qeverisjes vendore, shuma e shpenzuar për tenderët e sigurisë në periudhën 2015-2019 arrin në 703 milionë lekë (5,7 milion €), që është mbi 1 milion € në vit.

Me krijimin e Illyrian Guard, qeveria Rama ka shtetëzuar në mënyrë de fakto pjesën më të madhe të sektorit të sigurisë fizike, duke e kthyer atë nga oligopol në një monopol shtetëror. Institucioneve shtetërore u kërkohet automatikisht që shërbimet e tyre të sigurisë t’i jepen Illyrian Guard. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 177 e 4 prillit 2019:

“10. Të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, i drejtohen me kërkesë, kësaj shoqëria, për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike.

11. Nëse kjo shoqëri merr vendim për pamundësinë e ofrimit të shërbimit të kërkuar, institucionet dhe subjektet publike mund ta sigurojnë këtë shërbim në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.”

Natyrisht, ky vendim shkaktoi reagimin e firmave të sigurisë fizike. Gëzim Demiraj, pronar i Pelikan Security dhe kryetari i shoqatës Union Security Albania, deklaroi në qershor:

“Sipas bindjes tonë, ky ligj atakon direkt të drejtën e zhvillimit të biznesit te shoqërive të ruajtjes së sigurisë fizike. Është në konflikt të hapur interesi sepse shoqëritë e ruajtjes së sigurisë fizike në daljen e kësaj VKM-je, shikojnë veten jashtë çdo tregu të ruajtjes.

Ky akt bie në kundërshtim dhe me ligjin për prokurimet publike pasi shoqëria “Illyrian Guard” nuk i ofrohet ligji për prokurimet publike, por do të lidhë kontratë pa pasur asnjë konkurrencë në treg. Në këto kushte ne jemi përpara disa fakteve të shkeljes ligjore, siç është: Shkelja e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, shkelja për ligjin e Policisë së Shtetit, shkelja e ligjit të prokurimeve publike, shkelja e akteve ku Shqipëria ka ratifikuar se çfarë është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.”

Me hyrjen në fuqi të kësaj VKM-je shumë nga këto firma do të largohen nga tregu dhe shumë prej këtyre punonjësve nesër do të jenë jashtë tregut të punës.

Union Security Albania u ankua kundër VKM-së në Autoritetin e Konkurrencës dhe ngriti një padi më 25 maj në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë. Në vendimin e 25 korrikut, Autoriteti i Konkurrencës shkruan se shërbimet e Gardës Ilire mund të prokurohen jashtë procesit të tenderit publik përmes të ashtuquajturës “prokurim i brendshëm”.

Autoriteti i Konkurrencës shton më tej, jo pa një sens ironie:

“Parë në këndvështrimin e konkurrencës shtimi i numrit të ofruesve të shërbimeve në treg favorizon konkurrencën e lirë dhe efektive duke sjellë mundësi zgjedhjeje.”

Në fund, Autoriteti i Konkurrencës këshillon Illyrian Guard që t’i përmbahej nenit 9 të Ligjit 9121/2003 për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili ndalon “abuzimin nga ata që janë në pozitë dominuese në treg”.

Fakti që tashmë siguria fizike e 15 institucioneve shtetërore i ka kaluar Illyrian Guard sugjeron që kjo pozitë mbizotëruese e tregut së shpejti do të jetë një fakt. Krijimi i Illyrian Guard do të ketë kështu një ndikim të thellë në tregun e sigurisë në Shqipëri.

Krijimi i kësaj kompania jo domosdoshmërisht ka sjellë pasoja negative për të gjitha kompanitë e sigurisë. Çuditërisht, pikërisht në momentin kur kompania e tij pësoi këtë pengesë të madhe ekonomike të shkaktuar nga një vendim politik i qeverisë socialiste, socialisti Safet Gjici, pronari i Eurogjicit, u zgjodh kryebashkiak i Kukësit.

 

1 koment

  1. kiki 2 Nëntor, 2019 në 10:17 pm

    dhe pastaj me koncesion

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme