Komisioni Evropian i shqetësuar për qeverinë, jo për shtetin ligjor

Nga Ergys Mërtiri
Komisioni Evropian i shqetësuar për qeverinë, jo për shtetin ligjor

Skandali shumëdimensional i projektit të qeverisë për të prishur Teatrin Kombëtar ka treguar edhe degradimin politik të institucioneve të Bashkimit Evropian. Vetë Komisioni Evropian, ‘qeveria e BE-së’, e thotë hapur se nuk dëshiron ta pohojë të vërtetën për planin për shembjen e teatrit, pasi kjo do t’i prishte punë marrëdhënieve të KE-së me qeverinë shqiptare.

Për rrjedhojë, shqiptarët duhet të durojnë shtetin joligjor, të pranojnë paudhësitë e qeverisë, shkatërrimin e trashëgimisë historike dhe urbane të qendrës së Tiranës, korrupsionin e hapur. Ata duhet të përpiqen të mirëkuptojmë delikatesën e marrëdhënieve mes KE-së dhe qeverisë Rama.

Kërkesës së Exit.al për t’u informuar mbi raportet e tij për ligjin special për Teatrin Kombëtar, Komisioni Europian iu përgjigj negativisht. Ai nuk pranoi t’i bëjë publike raportet, duke vlerësuar se diçka e tillë mund të shkaktonte incidente diplomatike dhe do të dëmtonte marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë.

Shkurt, KE-ja mendon se e vërteta kërcënon marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me BE-në; për t’i mbajtur të shëndetshme këto marrëdhënie, duhet të cenohet transparenca.

Në përgjigjen e tyre, KE shprehet se publikimi i opinioneve të anëtarëve të saj “do të minonte objektivin e politikave të BE-së në këtë vend, në veçanti në fushën e reformës së prokurimeve publike”. Kjo do të pengonte “progresin e vazhdueshëm të reformave në Shqipëri”.

Në fakt, ajo që KE e quan reformë në prokurime ka rezultuar një prej kasaphanave më të mëdha në progresin e korrupsionit gjatë këtyre 30 viteve. Sidomos përdorimi masiv i PPP-ve është shpikja më gjeniale e fantazisë korruptive të kësaj qeverie. Përmes kësaj ideje gjeniale ajo po vjedh jo thjesht buxhetin, hapësirat publike dhe resurset e vendit, por edhe të ardhmen. PPP-të po e vënë shtetin shqiptar në detyrimin për të paguar për dekada me radhë borxhet që burojnë nga kjo skemë e qeverisë.

Në vend që të ngrejë alarmin ndaj këtij realiteti, BE-ja hesht, duke mbështetur një skemë megakorruptive që rrezikon falimentimin e vendit. Dhe të gjithë këtë, institucionet e BE-së e bëjnë me pretendimin absurd se u duhet të ruajnë marrëdhëniet “cilësore” me Shqipërinë. Kjo na jep të drejtë të mendojmë se pikërisht këto insitucione të BE-së janë bashkëpunëtore në krim, pasi falë mbështetjes së tyre, qeveria shqiptare ka dorë të lirë për të bërë gjithçka që po bën.

Në përgjigjen e tyre se nuk mund t’i publikojnë raportet, Komisioni Evropian tregon se brenda stafit të tyre ka pasur debat për ligjin special për Teatrin Kombëtar. KE thotë se nuk dëshiron t’i bëjë publike qëndrimet e debatuara, pasi kjo do të mund të përdorej instrumentalisht në debatin politik të polarizuar në Shqipëri.

Një sinqeritet i tillë është mbresëlënës. KE-ja na tregon se rezultatet përfundimtare të raportit të tyre, që nuk është për publikim, nuk do të shfaqin debatet e brendshme në komision. Raporti është thjesht një produkt politik, që shpërfill të vërtetat ulëritëse kundër qeverisë.

Kjo shpjegon edhe përse raportet e BE-së dhe deklaratat e udhëheqësve të saj për Shqipërinë na kanë habitur shpeshherë për paaftësinë që shfaqin në pasqyrimin e realitetit ashtu siç është. Kjo shpjegon edhe se pse, ndryshe nga mendimi i shteteve të Francës, Holandës, Danimarkës, Gjermanisë, raporti i KE-së për zgjerimin ka qenë gjithnjë tejet pozitiv për një vend të zhytur keq në krim të organizuar, korrupsion e mosfunksionim të institucioneve, si Shqipëria.

E gjithë kjo na shpjegon qartë edhe sesi ka mundësi që BE-ja ka heshtur në mënyrë kaq të paskrupullt në lidhje me barbarinë e ushtruar mbi Teatrin Kombëtar. Të kundërtën ka bërë Europa Nostra, një organizatë që ekziston për të mbrojtur drejtpërdrejt trashëgiminë kulturore evropiane. Ajo e ka përfshirë teatrin në 14 monumentet evropiane që rrezikojnë shkatërrimin. Europa Nostra merret me kulturë dhe jo me politikë. Kjo e bën të mos ketë frikë nga e vërteta.

Nga ana tjetër, komisioni na thotë troç se po hesht ndaj paudhësive të qeverisë shqiptare sepse nuk dëshiron t’i japë legjitimitet akuzave të opozitës. KE nuk mund ta pohonte në mënyrë më të hapur, më jodiplomatike se kaq anësinë e tij në debatin politik shqiptar. Ai pohon serbes se po hesht ndaj të vërtetave, vetëm e vetëm për të mos lejuar që të përfitojë opozita!

Këto veprime të KE-së na rrëfejnë rolin e shëmtuar që institucione të tilla kanë mbajtur gjatë këtyre 6 vjetëve në Shqipëri. Ato kanë heshtur për mbjelljen e vendit me drogë, për lidhjet e zyrtarëve të lartë me krimin e organizuar, për skandalet e tmerrshme ku qeveria është përfshirë drejtpërdrejtë, për blerjen e strukturuar të votës, për kapjen e institucioneve, për moshetimin e skandaleve, për kapjen e mediave, uzurpimin e pushteteve të pavarura, krijimin e një shteti autokratik dhe shkatërrimin e demokracisë.

Gjithçka është bërë me vetëdije për të mos çuar ujë në mullirin e opozitës. Pra, BE-ja thotë se është e vendosur ta çojë ujin e saj vetëm në një mulli, atë të qeverisë, pavarësisht se çfarë bluhet aty dhe çfarë kostoje ka kjo për shqiptarët.

Është e vështirë të thuhet se në ç’masë kjo vjen nga pëlqimet idelogjike, interesat e ngushta të drejtuesve, nevoja e tyre për stabilitetet në vende si yni, nga ndonjë inat patologjik ndaj opozitës apo pasion perversiv për qeverinë. Sidoqoftë, BE-ja po na thotë haptazi se, për të gjitha këto bashkë, ajo pranon të flejë me kryemullixhiun, që bluan krizën e këtij vendi, dhe kërkon  t’i falimentojë të gjithë mullinjtë e tjerë.

2 komente

  1. Balo Pashaj 4 Nëntor, 2019 në 1:17 am

    Ata shkaterruan Greqine,bashke me ca greke bythëqire…
    Mos ta harrojme kete

  2. Plarent Demneri, Avv. Italian da 1999 4 Nëntor, 2019 në 4:51 pm

    Ngrehinat në gjithë Botën moderne dhe klasike, RRAFSHOHEN, dhe i lënë vend të rresë që i përshtatet kohës. Këta B… Q… këtë zanat kanë, paguaj dhe lehin. Yt farë e skaduar që në ngjitje.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme