KPK konfirmon në detyrë gjyqtarët Daniela Shirka dhe Artur Kalaja

KPK konfirmon në detyrë gjyqtarët Daniela Shirka dhe Artur Kalaja

KPK konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Krimeve të Rënda Daniela Shirka dhe gjyqtarin e Apelit Tiranë Artur Kalaja. Vendimi për zonjën Shirka u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Genta Tafa Bungo, ndërsa për zotin Kalaja trupa u përbë nga Pamela Qirko, Alma Faskaj dhe Firdes Shuli.

Komisioni ngriti dyshime në lidhje me pasurinë e zonjës Shirka. KPK konstatoi se gjyqtarja Shirka kishte mungesë burimesh në blerjen e një apartamenti në vitin 2012 si dhe ngriti pikëpyetje mbi mundësinë financiare të një huadhënësi, që gjithashtu kishte kontribuar me 2 milionë lekë në blerjen e apartamentit.

Përsa i përket profesionalitetit KPK ngriti dyshime lidhur me një çështje ku një i pandehur ishte akzuar për vrasje dhe trupa gjykuese, anëtare e së cilës ishte dhe zonja Shirka kishte ndryshuar akuzën dhe e kishte pushuar çështjen për shkak të amnistisë.

Ndërkohë për gjyqtarin Kalaja, KPK ngriti dyshime për trajtime preferenciale në lidhje me bashkëshorten e cila kishte fituar tre prona të paluajtshme në një truall të trashëguar nga familja e saj. Trajtimi preferencial gjithashtu u ngrit si çështje dhe për babain e gjyqtarit Kalaja, i cili kishte përfituar një shumë më vlerë prej 24 milionë lekësh nga Agjencia e Kthimit të Pronave.

Sipas KPK, zoti Kalaja nuk kishte arritur të dokumentonte pagesën e detyrimeve tatimore për vlerën 6.2 milionë lekë të përfituara nga shitja e një apartamenti si dhe evidentoi disa pasaktësi dhe mosdeklarime ndër vite.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme