Le Parisien: Prostitucioni në Paris—rrjetet e dhunshme shqiptare, të gatshme për çdo gjë

Le Parisien: Prostitucioni në Paris—rrjetet e dhunshme shqiptare, të gatshme për çdo gjë Prostituta shqiptare në Porte de Vincennes, Paris (XII). Foto: Le Parisien/Jean-Baptiste Quentin

“Të dëbuar nga Parisi rreth dhjetë vjet më parë, mafiozët shqiptarë tani po përpiqen të rindërtojnë rrjetet e tyre të prostitucionit me metoda tejet të dhunshme. Të martën, atyre iu dha goditja e parë e fortë.”

Kështu fillon një artikull-hetim i gazetarëve Florian Loisy dhe Julien Constant botuar në revistën e rëndësishme franceze Le Parisien, dhe ribotuar nga media të tjera francize. Më poshtë Exit.al sjell artikullin e plotë të përkthyer në shqip.

***

Të shtunën në mbremje, në zonën e Porte de Vincennes (zonë periferike e Parisit), si çdo mbrëmje, nga ora 22:30 e tutje, dhjetra vajza filluan të dilnin në trotuaret e kësaj rruge.

Bulevardi Carnot fillon në rrethrrotullimin në hyrje të Porte de Vincennes me pamje nga unaza. Kjo rrugë e vogël me një drejtim të çon tek sheshi i lodrave pranë një shkolle. Por një banor i asaj zone shprehet se “nuk janë klithmat e ndonjë fëmije ato që ne dëgjojmë çdo natë”.

Duke filluar nga ora 22:30, një furgon sjell aty dhjetra vajza nga vendet lindore. Ato janë të veshura me minifunde, dhe gjatë gjithë natës prostituohen për 40 euro, në rreshtat midis makinave të parkuara ose në sediljet e pasme të tyre.

“Në mëngjes gjejmë prezervativë të hedhur në rrugë. Është e neveritshme,” psherëtin një nënë. “Një herë isha me vajzën time dhe në makinën ngjitur me ne ishte një prostitutë me një klient.”

Banorët e zonës, janë ankuar në zyrat e bashkisë, në polici dhe kanë nisur një peticion me më shumë se 300 firma. Ata tregojnë se kur sjellin fëmijët e tyre në këndin e lojrave ndeshin klientët që vishen aty. Ata janë të detyruar të gjejnë shpesh justifikime nga më të ndryshme për fëmijët që të mos i çojnë ata në këndin e lojrave.

Ka pak më shumë se një vit, që këto vajza janë vendosur në këtë zonë, apo përballë tregut të Saint-Mande (Val-de-Marne), nga trafikantët shqiptarë, të cilët janë rikthyer në zonën më të populluar dhe më të pasur të Parisit 10 vjet pas arrestimit të drejtuesve të rrjetit më të madh të prostitucionit—tre vëllezërit (Eduart, Astrit dhe Agron) Peqini—të dënuar në qershor të 2002 në Paris me 4, 5 dhe 7 vjen burg.

Ata kanë trafikuar 300 deri në 600 vajza të blera në lokale ose të marra nga familjet e tyre.

“Gjatë dy, tre viteve të fundit, ne kemi parë rikthimin e trafikanëtve shqiptarë në jug të Francës”, tha një polic i specializuar në këtë fushë. Dhe tani ata po përpiqen të investojnë në Paris.

Por, të martën, një aksion i gjerë në rrethinat e Bulevardir Carnot (Lagjja XII e Parisit) i brigadës për shtypjen e prostitucionit mund të ketë ndaluar përhapjen e mëtejshme të rrjetit të prostitucionit në kryeqytet. “Ne duhet të reagonim”, u shpreh i njëjti oficer policie. “Sepse me metodat e tyre të dhunshme ata sulmojnë konkurrencën. Duke i hedhur më shumë benzinë zjarrit.”

Shqiptarët kontrollojnë 75 përqind të trafikut të prostitucionit në Londër

Një dokument i ministrisë franceze tregon se shqiptarët “përmes veprimeve të reja kanë pushtuar tregun francez të prostitucionit”. I njëjti dokument shpjegon se trafikantët shqiptarë tashmë kontrollojnë 75 për qind të tregut të prostitucionit në Londër.

Në Francë, shqiptarët kanë pushtuar trotuaret e Bordosë, Aubenas, Tuluzës, Lionit, Nimes, Marsejës dhe Nisës.

“Zakonisht, ata e kanë bazën në Itali, dhe nga aty përhapen në të gjitha vendet perëndimore”, sqaroi një punonjës policie i specializuar në trafikun e qenieve njerëzore.

Ata arrijnë të ushtrojnë presion dhe kontrollojnë nga jashtë Francës, duke lënë në Francë për të kontrolluar prostitutat ushtarët e tyre dhe një grua më të madhe në moshë e martuar me një anëtar të familjes së tyre.

Vajzat e komunitetit rom blihen nga familjet e tyre të varfra në Shqipëri, ose në vendet fqinje, dhe më pas dërgohen në vendet e Evropës Perëndimore.

Trafikantët i lëvizin vazhdimisht vajzat nëpër vende si Franca, Belgjika, Italia, Spanja dhe Gjermania.

“Ata nuk i lenë për shumë gjatë vajzat në një vend, për të shmangur krijimin e lidhjeve të tyre. Viktimat e trafikut shpesh janë minorene.”

Sipas dokumentit të ministrisë, klanet e trafikantëve i shkëmbejnë vajzat mes tyre nga një qytet në tjetrin sepse klanet mafioze shqiptare kanë lidhje me njeri tjetrin përmes “marrëdhënieve familjare”.

Pasi vendosen në Paris, ata punojnë “për të rritur fitimet e tyre, për të fituar terren, dhe për luftuar konkurencën, në mënyrë që të fitojnë sa më shumë”, tha një oficer policie.

Një sipërmarrje përdhunimesh, rrahjesh dhe kërcënimesh

Trafikantët shqiptarë njihen edhe për dhunën ekstreme që ushtrojnë tek vajzat që trafikojnë.

Djegie me cigare, shënimi në lëkurë i mbiemrit të shefit të bandës, kërcënime për familjet që qendrojnë në vendin e tyre, kërcënime me armë, vrasje.

“Për të treguar ndikimin e tij, një trafikant i cili u arrestua në Tuluz dy vjet më parë, e detyroi një vajzë të kthehej në besimtare myslimane, të mbulohej me perçe, gjatë ditës të shkonte në xhami dhe gjatë natës të prostituohej,” tregohet për një rast në dokumentin e policisë.

Pasi bien në dorë të trafikantëve, vajzat mbyllen në një dhomë dhe dhunohen derisa të pranojnë të prostituohen.

“Dhuna ushtrohet edhe tek konkurrentët, me qëllim për të marrë prostituta dhe treg, duke u zgjeruar çdo ditë e më shumë, deri në arritjen e objektivit, pushtimin e Parisit,” shprehet një burim i policisë për gazetarët.

“Bëhet fjalë për fitime të larta”, sqaron dokumenti i ministrisë, i cili thotë se një prostitutë fiton 10 mijë euro në muaj.

Martesa fallco në këmbim të marrëdhenieve seksuale

Por këto grupe kriminale nuk mjaftohen vetëm me prostitucionin. Ato përfshihen në trafikun e lëndëve narkotike, dhe me trafikun e emigrantëve, duke shfryteëzuar apartamentet që përdorura për këtë lloj trafiku për të prostituuar vajza.

Enkeleda Zaçe, dikur prostitutë e grupit kriminal Pelesi dhe tani menaxhon një grup të madh prostitucioni në Nice, u përfshi në sulmin terrorist të 14 korrik 2016 në Nice. Ajo u dënua si ndërmjetëse për furnizimin me armë të Lahouaiej Bouhlel, tunizianit që jetonte në Francë i cili hyri me furgon në mes të një turme njerëzish gjatë festimeve të “Ditës Kombëtare të Francës”, duke vrarë 86 njerëz dhe plagosur 548 të tjerë.

Ky rast tregon dëshirën e shqiptarëve për t’u përhapur. Zaçe “organizonte martesa të pakonsumuara (fallco) ndërmjet prostitutave të huaja dhe klientëve francezë në këmbim të marrëdhënieve seksuale falas,” thotë dokumenti i ministrisë.

Pas arrestimeve të policisë ditën e martë, banorët e zonës nuk kanë parë më prostituta në rrugë. Por për sa kohë do të zgjasë kjo?

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme