Mat, banorët vazhdojnë protestën kundër ndërtimit të hidrocentraleve

Mat, banorët vazhdojnë protestën kundër ndërtimit të hidrocentraleve

Banorët e zonës së Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj po protestojnë prej më shumë se dy javësh kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve në Sekë dhe Zais, në Bashkinë Mat.

Ata kanë ngritur një tendë brenda parkut dhe po qëndrojnë aty pasi autoritetet lokale dhe qeveria nuk dëgjuan kërkesat e tyre prej një muaji për të ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve Sekë dhe Zais.

Banorët e zonës pretendojnë se ndërtimi i hidrocentraleve nuk do t’i lejojë më ata që të përdorin ujin, përmes të cilit ata sigurojnë jetesën e tyre, si dhe do të dëmtojnë zonën. Ata kanë protestuar disa herë gjatë këtij viti, madje disa herë dhe përpara zyrës së Kryeministrit Rama.

Qeveria Rama dha lejet për ndërtimin e dy hidrocentralve në tetor të vitit 2018. Këto leje janë pjesë e 100 lejeve për HEC-e të lëshuara nga qeveria Rama në 5 vitet e fundit.

Kryeministri Edi Rama tha në korrik se qeveria nuk do të japë më leje për HEC-e të vogla, pasi ato ishin “të padobishme dhe të dëmshme”. Sidoqoftë, asgjë nuk është bërë për dhjetëra leje tashmë të dhëna, shumica prej tyre në zonat e mbrojtura.

Një investigim i gazetarit Artan Rama zbuloi se qeveria ka miratuar në total 714 kontrata koncesioni për hidrocentrale, por vetëm ka njoftuar publikisht vetëm për gjysmën e tyre. Kontratat e koncesionit lëshohen përpara se të jepen lejet e ndërtimit të HEC-ve.

Aktori Leonardo DiCaprio ishte personazhi i fundit publik që iu bashkua thirrjeve për mbrojtjen e lumit Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, në të cilin janë dhënë leje për ndërtimin e më shumë se 12 HEC-e.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme