Meta dekreton Marsida Xhaferllarin anëtare të Gjykatës Kushtetuese

Nga Stafi i Exit
Meta dekreton Marsida Xhaferllarin anëtare të Gjykatës Kushtetuese

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar sot emërimin e Marsida Xhaferllarit anëtare të Gjykatës Kushtetuese duke e çuar numrin në 6 nga 9 anëtarë të mundshëm.

Vendimi u bë me dije përmes faqes zyrtare të Presidencës, ndërkohë që burime për BalkanWeb bënë me dije se Presidenti e ka firmosur dekretin sapo është kthyer nga një udhëtim në Francë.

Tashmë Gjykata Kushtetuese ka 6 anëtarë dhe kthehet funksionale pas rreth dy vitesh. Anëtarët janë: Vitore Tusha, Besnik Muçi, Arta Vorpsi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari. Nga kjo anëtarësi Vitore Tusha është e vetmja nga anëtarët e shkuar që kaloi vetingun, ndërkoh që Besnik Muçi është i vetmi që nuk e ka kaluar ende.

Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji u zgjodhën nga Kuvendi ditën e hënë ndërsa Arta Vorpsi u emërua automatikisht për shkak se Presidenti Meta nuk u shpreh brenda afatit 30 ditor.

Çështja e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese kaloi me shumë debat mes mazhorancës dhe Presidentit. Ky i fundit e pezulloi përzgjedhjen e anëtarit të ri me argumentin se “po shkelej Kushtetuta duke mos respektuar radhën e zgjedhjes”.

Kushtetuta parashikon se “anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”.

Ndjekja e kësaj radhë, megjithatë, u bë gati e pamundur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili detyroi Presidentin dhe Parlamentin të zgjidhin 2 anëtarë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme