Meta: Përpjekje të vdekura për kapjen e drejtësisë me Gjykatën Kushtetuese

Nga Stafi i Exit
Meta: Përpjekje të vdekura për kapjen e drejtësisë me Gjykatën Kushtetuese Presidenti Ilir Meta.

Presidenti Ilir Meta theksoi sot se përpjekjet për të kapur sistemin e drejtësisë përmes Gjykatës Kushtetuese (GJK) “janë të vdekura”. Zoti Meta u tregua tejet i prerë duke këmbëngulur se zgjedhja prej tij e anëtarëve të GJK ka qenë sipas Kushtetutës:

Nuk ka institucion më të rëndësishëm në Shqipëri se Kushtetuta e Shqipërisë, e cila ka vetëm një garant të padiskutueshëm dhe të pacenueshëm në integritetin e vetë, që është Gjykata Kushtetuese. Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën dhe për të kapur përfundimisht gjithë sistemin e drejtësisë, me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura. Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetues, është institucioni më i rëndësishëm. Parlamenti me një dekret shpërndahet! Qeveria me një mocion mosbesimi rrëzohet! Presidenti, me një “impeachment” (kërkesë-shkarkim) nga një parlament, jo nga ky, përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.

Deklarata e Presidentit u bë përpara nisjes së forumit rajonal për barazinë gjinore. Ai u pyet nga gazetaret për faktin se ditën e sotme në mjediset e Gjykatës Kushtetuese u paraqitën si anëtare edhe Marsida Xhaferllari edhe Arta Vorpsi. Kjo e fundit nuk u thirr dje nga Presidenti për t’u betuar si anëtare, pasi nuk konsiderohet e zgjedhur.

Për çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca ka thirrur sot seancë të jashtëzakonshme parlamentare. Në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha për Presidentin se:

Baballarët e Kushtetutës ishin të bindur mbi rreziqet që mund të vinin nga një pushtet me atribut të madh, ndaj i atribuuan presidentit kompetenca honorifike. Ajo që nuk mund të parashikonin ishte se edhe pse me kompetenca të tilla dhe me pushtet thjesht honorifik, ende dhe dukshëm ka tentativa për të bllokuar dhe nxitur një krizë kushtetuese. Ky president do të mbahet mend gjatë për shkak se doli dhe u vetëtregua si kundërshtari më i madh i Gjykatës Kushtetuese. Në thelb duke simuluar një krizë kushtetuese, Presidenti po pengon plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet të luajë rolin e vet kushtetues.

2 komente

  1. t 15 Nëntor, 2019 në 1:01 pm

    O derr i qelbur, Drejtesine duan ta kapin ata qe kerkojne te emrojne gjykates duke u betuar te noteri dhe jo te presidenti.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme