Një propagandë e re që lind mbi gërmadhat

Nga Ergys Mërtiri
Një propagandë e re që lind mbi gërmadhat

Që prej së martës, kur sytë e shqiptarëve u mbërthyen në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti, Kryeministri Rama mori protagonizmin e ngjarjes në media. Fillimisht, në një video selfie ai foli për një pabesi të natyrës, të cilën qeveria e tij dhe të gjitha strukturat e shtetit po e përballojnë denjësisht. Ai tha se qeveria ishte në krye të detyrës, por në këtë betejë kërkohej edhe solidariteti i të gjithë qytetarëve.

Më pas, Rama u pa gjatë gjithë ditës në lëvizje, duke marrë pjesë në operacionet e shpëtimit, duke u interesuar mbi gjendjen, duke dhënë udhëzime, duke takuar njerëz e ngushëlluar viktima, si dhe duke iu shprehur mbështetjen e tij të evakuuarve në kampe. Me shiritin e kapitenit në krah, ai u shfaq si njeri betejash, luftarak në ditë fatkeqësish kombëtare. Tek ai mund të mbështetesh për të përballuar gjithçka.

Në realitet, gjendja tregoi se është ndryshe. Operacionet për shpëtimin e të mbijetuarve dhe organizimin e të evakuuarve treguan se shteti është totalisht i papërgatitur për ngjarje të tilla. Aparaturat për identifikimin gjeo-termik të të mbijetuarve në rrënoja, mjetet e shpëtimit, të ndriçimit, si edhe qentë nuhatës na i sollën nga jashtë. Edhe një shtet i ri si Kosova tregoi se ishte shumë më i përgatitur se Shqipëria amë.

Kaq shumë solidaritet kombëtar e ndërkombëtar, zero marrje përgjegjësish

Kryeministri ka qenë i kujdesshëm ta theksojë solidaritetin kombëtar e ndërkombëtar. Ai ka përfshirë pareshtur të huajt në retorikën e tij: bisedat telefonike me Makronin, me Merkelin, me Konten, me Erdoganin etj., etj., ndihmën që ata nuk kanë nguruar t’i dërgojnë popullit pas këtyre bisedave, solidaritetin e pakufishëm me Shqipërinë. Paaftësinë e shërbimeve tona të emergjencës, të shfaqura në nevojën jetike për ndihmën e huaj, ai po e shet si solidaritet ndërkombëtar, përmes tij, me Shqipërinë.

Kaq sa po e thekson Rama këtë, nuk do të jetë fare çudi që qeveria t’i mëshojë edhe më tepër, duke e bërë tërmetin kryefjalën e propagandës së muajve në vazhdim. Rama ka përvojë të suksesshme edhe në nivel ndërkombëtar pikërisht me shfaqje solidariteti. Marshi i tij në rrugët e Parisit, në mes të përfaqësuesve fetarë, ishte propagandë me efekte të përsosura ndërkombëtare për të.

Theksi mbi solidaritetin, kombëtar e ndërkombëtar, ka efekte fantastike për ta mbajtur larg vëmendjen nga katastrofa qeverisëse, kriza politike, kushtetuese dhe sociale, që janë më të mëdha se çdo katastrofë natyrore që ka goditur ndonjëherë këtë vend.

Nuk do të ketë vend për habi nëse Rama vazhdon t’i mëshojë edhe më tepër figurës së tij si heroi ynë, babai kombit, i dhembshur, i ngjashëm me Ismail Qemalin jo vetëm në pamje, por edhe në bëmje, që ua prek zemrat të gjithë liderëve të Evropës duke u treguar shpirtin e vërtetë shqiptar, vëllazërinë pa kufij krahinash e fesh, që ata pastaj të zgjidhin qesen në ndihmë të Shqipërisë dhe, rrjedhimisht, edhe në mbështetje të atij vetë.

Lideri triumfues në betejën me natyrën, ose triumfi mbi psikologjinë e turmës

Dhe deri tani Rama e ka mbajtuar veten dhe qeverinë larg marrjes së përgjegjësive për përballimin e tërmetit dhe katastrofave natyrore. Ai e ka zhvilluar betejën me vetëdijen e publikut dhe mllefin antiqeveritar të akumuluar prej kohësh.

Qëllimi i Ramës nuk është të meremetojë pasojat e tërmetit, por të zbusë indinjatën publike kundër qeverisë. Dhe natyrisht, një ngjarje si kjo, ku mplekset dhembja për humbjen tragjike të 34 jetëve dhe ankthi i pasigurisë së shkaktuar nga kërcënimi i tërmetit, është një moment i shkëlqyer.

Beteja, pra, bëhet në fushën e psikologjisë. Efekti i aksionit propagandistik nuk është prodhimi i kushteve të favorshme për të maksimalizuar përballimin e situatës. Aspak. Qëllimi i saj është të devijojë diskursin, me të cilin përcillet ngjarja, drejt termave që e përmirësojnë marrëdhënien e publikut me qeverinë.

Operacionet e grupeve të shpëtimit dhe organizimi i kampeve për të mbijetuarit mund të vazhdojnë punën e tyre pa u implikuar fare nga “paniku” popullor, për të cilin alarmohen aq shumë njerëzit e pushtetit. Gjithashtu shqetësimet e shprehura nga qytetarët si dhe indinjata për reagimin e dobët të shtetit, nuk kanë mundësi të pengojnë punën e tyre. Në fakt Rama nuk po menaxhon tërmetin, por psikologjinë e turmave.

Gjuha e luftës, e orientuar kësaj rradhe kundër natyrës, ndonëse më shumë në një nivel simbolik, është e provuar që ka rezultat. Lufta, apo edhe thjesht ndjenja e kërcënimit të saj, është përdorur masivisht për të eleminuar pluralitetin shoqëror, për të prodhuar solidaritet shoqëror, në funksion të kohezionit rreth një lideri, çka është jetike për pushtetin. Gjendja e alarmit neutralizon arsyen, duke vënë në veprim instiktin e mbijetesës, i cili eleminon çdo iniciativë për kritikë. Elementi moral që prodhon lufta imponon një unitet artificial.

Ndaj Ramës i duhet të prodhojë gjithmonë një betejë, sidomos virtuale. Atij i duhet një armik me të cilin të përballet dhe, kësaj rradhe, ai e gjen këtë armik në një figuracion mitologjik, të personifikuar tek “natyra”, e cila kërcënon me “pabesinë e saj”. Kryeministri dhe qeveria e tij bëhen shpëtimtarët tanë në përballimin e pasojave.

Kjo retorikë është instrumenti nëpërmjet të cilit qeveria realizon dy funksione të rëndësishme: së pari ajo zbut mllefin e shoqërisë ndaj saj, duke u shfaqur plot humanitet pranë viktimave në momentet e dhimbjes; së dyti, ajo imponon moralin e solidaritetit si kërcënim ndaj çdo kritike. Në këtë mënyrë, ajo e përdor solemnitetin e ngjarjes si instrument politik për të paralizuar çdo reagim normal ndaj gjithçkaje që shkon keq.

Nga ana tjetër, qeveria vendos fytyrën e saj në skenën e tragjedisë, duke përfituar nga katarsisi që provokon ngjarja, i cili shkakton për rrjedhojë njëfarë amnistie njerëzore, në subkoshiencën e publikut. Në emër të solidaritetit me viktimat kërkohet të shmanget politizimi i çështjes, dhe po në emër të këtij solidariteti, qeveria i përdor politikisht viktimat në funksion të strategjisë së saj të piarit.

Natyrisht, e gjithë kjo nuk do të bëhej e mundur nëse qeveria nuk do kishte në kontroll mjetet e komunikimit publik. Fuqia propagandistike e saj, e cila i kalon shumë më tepër 6.3 ballët e tërmetit, qëndron te monopolizimi i skenës mediatike. Në një klimë lirie të shtypit, skenarë të tillë propagandistikë nuk do të mund të funksiononin e nuk do të jepnin dot efekt brenda vendit, rrjedhimisht as jashtë tij.

2 komente

  1. . 27 Nëntor, 2019 në 10:35 pm

    Ergys e kuptoje qe te vlon nje lloj “mllefi” nqs mund te quhet, por mos humb ne keto specifika. Rama eshte nje fllucke qe po pret vete qe ta shpojne. Mendo si do ecim perpara, e njejta gje vlen dhe per ata te teatrit. Duhet te fillojne te levizin vete. E pate qe keni mbeshtetes, filloni intervistoni njerez te ndryshem. Statusin e moret ja u siguroje. Mendo per te ardhmen. Ne shqiperi, per momentin ke bashkepunim 100% midis politikaneve, lere lojen, ate e kane ne dore nderkombetaret. Kete e kupton nga fakti qe fondet i komandojne te njejtit njerez. Thjeshte po keta te njetit njerez kane gabuar kshuqr mos u merr me problemet, merru me njerzit qe jane si ty. Ndrysho profesionalisht. Po dite te gjesh njerzit, do shohesh qe edhe ata do te ndihmojne.

  2. .... 28 Nëntor, 2019 në 7:16 pm

    mbas pilafit nuk ka kuptim. tani po dolen te flasin eshte thjeshte amnisti per evropianet e leshit qe ishin shkaktar te kesaj gjendjeje…#Truth #fuckeurope

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme