PD: Atentati ndaj prokurorit, për pazaret e bandave të pushtetit të Ramës

PD: Atentati ndaj prokurorit, për pazaret e bandave të pushtetit të Ramës

Partia Demokratike deklaroi sot se atentati ndaj prokurorit të Durrësit Arian Ndoja është shkak i prishjes së pazareve mes bandave që sollën dhe mbajnë në pushtet kryeministrin Rama.

Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD, ish-deputeti Gent Strazimiri u shpreh:

“Atentati mafioz pak ditë më parë ndaj një prokurori dhe atyre që e shoqëronin nuk është thjesht një krim më shumë në statistikat e krimit shqiptar. Atentati është luftë mes bandave që kanë sjellë dhe mbajnë në pushtet Edi Ramën.

Një nga antentatorët e dyshuar, Redjan Rraja, i afërm i deputetit socialist Rrahman Rraja, është ushtar i bandës së Edi Ramës në Fushë Krujë.”

Zoti Strazimiri tha se Redjan Rraja njihet si person ‘i paprekshëm’ për policinë, pasi ai ka siguruar vota për Ramën dhe është nip i deputetit socialist Rraja.

Ish-deputeti Strazimiri tha se Redjan Rraja duhet të ishte arrestuar që pas denoncimit të nënkomisar Emiljano Nuhu e denoncoi publikisht, bashkë me djalin e deputetit Rraja, si të përfshirë në çështjen Xhisiela, por “Rama masakroi me akuza oficerin e policisë dhe mbrojti atentatorin Rraja me gjithë kriminelët e tjerë që i sigurojnë pushtetin.”

Zoti Strazimiri theksoi se kryeministri Rama veproi po njësoj në rastin e Dritan Zaganit: mori në mbrojtje kriminelët dhe akuzoi nëpunësin e policisë:

“Përfshirja e banditëve të Edi Ramës në atentate mafioze pasi ky i ka mbrojtur publikisht ata, fakton se shteti i ngritur prej Edi Ramës është thellësisht i kriminalizuar.

Në narko-shtetin e Edi Ramës trafikantët e drogës shndërrohen në biznesmenë të nderuar, në ndërtues resortesh ne bregdet mbi prona shtetërore të tjetërsuara, dhe kur u prishen pazaret për grabitjen e pasurive të vendit, bandat që sollën dhe mbajnë në pushtet Edi Ramën, godasin njëra-tjetrën në atentate mafioze.”

Ish-deputeti theksoi se asnjë plan i Ramës për të luftuar krimin e organizuar “nuk ka për të funksionuar, sepse ai është vetë kreu i organizatës kriminale ‘Kap Ça t’Kapësh’”.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme