Presidenti kallëzon për shpërdorim detyre kreun e KED Ardian Dvoranin

Nga Stafi i Exit
Presidenti kallëzon për shpërdorim detyre kreun e KED Ardian Dvoranin Presidenti Ilir Meta.

Presidenti Ilir Meta njoftoi sot se do të kallëzojë të hënën në Prokurori kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) Ardian Dvoranin. Presidenti e akuzon Zotin Dvorani për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim të kompetencave të tij”.

Në një konferencë për shtyp të thirrur rreth orës 14:00, por që u shty rreth një orë më vonë, Presidenti Meta tha se:

“Ardian Dvorani me dashje ka shpërdoruar funksionin publik dhe ka marrë përsipër të ushtrojë një akt mafioz”

Presidenti e akuzoi Zotin Dvorani se ka kthyer KED-ën nga një organ kolegjial në një organ personal, për faktin se sipas tij, më 8 tetor, në të njëjtën ditë, me vendim jo-kolegjial, i ka dërguar Presidentit listat e kandidatëve për 2 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Meta dekretoi më 16 tetor Besnik Muçin anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Ai theksoi se, sipas Kushtetutës, dy vakancat në Gjykatë nuk mund të plotësoheshin njëherazi, por duhej respektuar radha midis Presidencës, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë.

Meta akuzoi Kryetarin e KED se është përpjekur të krijojë një gjendje antikushtetuetshmërie duke e vendosur atë përpara faktit të kryer dhe duke i imponuar një “rregull të ri”, me qëllim shkeljen e Kushtetutës.

Gjatë diskutimit me gazetarët, ai iu përgjigj edhe pretendimeve të Kryeministrit se “për zgjedhjet e anëtarëve të GJK ishte konsultuar me ndërkombëtarët”. Ai tha:

“[…] dëgjova seç fliste njëri sot në parlament, nuk mu duk në rregull, që i kanë bërë këto lojëra me ekspertë amerikanë dhe europianë, i them të mos i keqpërdorë më. SHBA, ndonjë diplomat apo ekspert si ata që firmosën për zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme në mënyrë antikushtetuese me 69 vota, ta përdorë sa të dojë. Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë e kemi bërë me SHBA, BE dhe me Komisionin e Venecias. E kemi bërë tepër të qartë, aq më tepër për këtë çështje. Përndryshe do të ketë hetim ndërkombëtar dhe ndëshkim ndërkombëtar për këtë çështje. Sepse ka dy vjet që është sabotuar qëllimisht funksionimi i KED 2017-2018 për të ardhur këtu ky person i besuar i partisë të bëjë të gjithë këto veprime dhe manipulime kaq të qarta që do të sqarohen dhe më tej në ditët e ardhshme.”

3 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme