Propaganda e Veliajt me dëmshpërblimet e banorëve të Unazës së Re

Nga Gerard Gega
Propaganda e Veliajt me dëmshpërblimet e banorëve të Unazës së Re

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj keqinformon qytetarët duke thënë se banorët e Unazës së re janë dëmshpërblyer dhe kanë përfituar përqindje në pallate.

Përmes një postimi në Twitter, Zoti Veliaj tha sot se qytetarët e Unazës së Re “nuk duhet ta sabotojnë projektin” e zgjerimit të rrugës:

“Nëse ke marrë paratë apo përqindje në pallat, është e arsyeshme ta ndalosh sabotimin e Tiranës.”

Deklarata e sotme është e ngjashme me atë të së hënës kur kryebashkiaku reklamoi në Instagram ndërtimin e një kompleksi pallatesh si zgjidhje:

”Një pjesë e familjeve kanë marrë paratë për ndërtimet pa leje në mes të rrugës, pjesa tjetër në foto është future për zhvillim duke liruar rrugën e duke marrë nga 1-3.”

Keqinformimi për të fshehur dhunën dhe mungesën e dëmshpërblimeve

Pallati që reklamoi kryebashkiaku nuk ndodhet në zonën ku po prishen sot ndërtesat. Prishjet po bëhen në Lotin 1 të rrugës (Sheshi Shqiponja) dhe jo në Lotin 2 në zonën e ish-Astirit, rrethrrotullimi për në Kashar.

Shumica e banorëve vazhdon të mos jenë dëmshpërblyer dhe kjo konfirmohet nga institucionet. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) njoftoi se 12 nga ndërtesat që do të shembeshin sot rreth Sheshit Shqiponja nuk ishin dëmshpërblyer pasi “ishin skualifikuar nga procesi i legalizimit”.

Një vit më parë ish-Drejtori i Autoritetit Rrugor (ARRSH), Afrim Qendro e paralajmëroi “skualifikimet nga procesi i dëmshpërblimeve” kur njoftoi se:

“[…] në total për 5 lote të Unazës së Madhe (2 në Shkozë; 3 nga Pallati me Shqigjeta-Sheshi Shqiponja) […] janë 317 objekte. Prej tyre 163 janë në procesin e legalizimit, por do duhet të skualifikohen […]”.

Pak ditë më vonë në media u publikua lista e 107 familjeve që përjashtoheshin nga legalizimi në Unazën e Re. Por përveç banorëve që nuk kanë legalizuar ndërtesat e tyre, qeveria nuk ka mundur të shpërblejë as banorët me dokumenta të rregullta.

Në njoftimet e ditëve të fundit, ARRSH ka pranuar se nuk ka ecur përpara me dëmshpërblimet edhe për familjet që kanë certifikata pronësie. Drejtori Ergys Verdho tha për Tv-Klan:

“Nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja, ka 146 familje që janë me certifikatë pronësie dhe 138 prona të cilat janë pa certifikatë pronësie. ARRSH ka filluar për 35 prona procesin e likujdimit tek gjurma e rrugës. 25 janë proceduar, kanë marrë paratë dhe 10 prej tyre janë teknikalitete”.

Vendimet e qeverisë për dëmshpërblimet

Projekti për zgjerimin e Unazës së Re nisi në shtator 2018. Qeveria përmendi dëmshpërblimet vetëm 3 muaj më vonë, por gjithmonë ka përjashtuar familjet në ndërtesat që ishin në proces legalizimi. Për banesat, shteti duhet të dëmshpërblejë banorët pavarësisht nëse i kanë apo jo të legalizuara, kjo pasi e drejta e strehimit është e sanksionuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Më 27 dhjetor 2018, Ministria e Infrastrukturës kërkoi  9,6 milionë euro (1,1 miliardë lekë) dëmshpërblime me kërkesën që shoqëroi vetëm 128 prona. Rreth 4 muaj më vonë, në prill 2019, qeveria vendosi 9,7 milionë euro (1,2 miliardë lekë) për dëmshpërblime. VKM-ja shoqërohej me një listë prej 146 pronash. Më 24 prill me firmë të Zëvendëskryeministrit Braçe ndryshoi burimi i llogarisë nga “Fondi i shpronësimeve” (Banka e Shqipërisë) te “buxheti i shtetit” (i vitit 2019).

Aktualisht ndodhemi në fund të vitit. Qeveria shkurtoi parashikimet e të ardhurave për buxhetin me rreth 100 milionë euro, çka do të thotë se “burimi i dëmshpërblimeve” për banorët e Unazës së Re ka më pak para.

Precedenti me shvlerësim prone dhe dëmshpërblime të padhëna 

Në vitin 2016 projekti për të ndërtuar Unazën e Vogël nxiti Bashkinë që të kërkonte shpronësimin e rreth 50 pronave në zonën pas Hotel Tiranës në qendër.

Tre vite më vonë, një hulumtim i Reporter.al tregoi se shumica e pronarëve nuk kishin marrë ende dëmshpërblimet, ndërkohë që zona e hapur pas Hotel Tiranës tashmë ishte planifikuar për ndërtim të një hoteli dhe pallati shumëkatësh.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme