Rama merr në mbrojtje oligarkët: njerëz punëtorë, paguajnë shumë taksa

Nga Stafi i Exit
Rama merr në mbrojtje oligarkët: njerëz punëtorë, paguajnë shumë taksa Kryeministri Rama gjatë prezantimit të paketës ligjore "Anti-KÇK".

Kryeministri Rama i doli sot në mbrojtje oligarkëve, duke ngritur pretendimin se ata janë ndër kontribuesit më të mëdhenj në arkat e buxhetit të shtetit. Ai tha se “përsëritja e vazhdueshme e gënjeshtrave” po infekton edhe qeverinë, ndërsa theksoi se investimet e shumta me partneritet publik-privat “janë skema për të ndihmuar dhe mbështetur qytetarët”.

Mbrojtjen e oligarkëve Kryeministri Rama e bëri gjatë prezantimit në mjediset e teatrit ArtTurbina të paketës ligjore “Anti-KÇK”. Ai tha:

“Nëse ky do të ishte një vend ku oligarkët bëjnë ligjin… shikoni sa i kanë paguar shtetit… 125 milionë dollarë në qeverisjen tonë. Çfarë influence kanë mbi ne këta?! Këta janë njerëzit më të taksuar dhe kontribojnë më shumë në buxhetin e shtetit.”

Kryeministri këmbënguli se etiketimi si oligarkë nga opozita dhe një pjesë e mediave po bëhet për “të hedhur baltë”. Ai theksoi se “emrat e top 10 më të mëdhenjtë” janë të njëjtët “e atyre top 10 të katër viteve më parë”. Zoti Rama këmbënguli në pretendimin se “këta (biznesmenë) quhen oligarkë pa të drejtë”, pasi ata kanë marrëdhënie korrekte me shtetin dhe nuk “kthehen në simbiozë të pushtetit politik”.

Rreth politikës së vazhdueshme për të investuar me skemën e partneritetit publik-privat (PPP), zoti Rama tha se po hidhen gënjeshtra të vazhdueshme:

“PPP flitet aq shumë, sa janë infektuar edhe disa nga ne (qeveria, PS-ja). Përsëritja e përditshme e së njëjtës gënjeshtër afekton edhe vetë objektin ose subjektin që ushtrohet gënjeshtra. PPP-të, që ne kemi bërë, janë skema për të ndihmuar, mbështetur, lehtësuar qytetarin. Kush përfiton nga PPP-ja për Check Up?! Afro gjysmë milioni njerëz që bëjnë kontroll mjekësor falas.”

Skemën e PPP-së, zoti Rama e shpjegoi si “marrëveshje, [që] sipërmarrësi të paguajë investimin dhe të bëjë shërbimin me paratë e tij [dhe shteti] t’ia shlyejë investimin dhe në fund të marrë produktin”.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme