Revolta në art kundër cënimit të demokracisë dhe shembjes së Teatrit Kombëtar

Nga Gerard Gega
Revolta në art kundër cënimit të demokracisë dhe shembjes së Teatrit Kombëtar Kryebashkiaku Erion Veliaj në një paraqitje artistike nga Avni Delvina.

Cënimi i institucioneve demokratike dhe planet për të shembur Teatrin Kombëtar frymëzuan artistin Avni Delvina për të shprehur në arte grafike revoltën e tij.

Në mjediset e Teatrit Kombëtar, Delvina ekspozoi këtë fundjavë mbi 40 vepra të realizuara së fundmi, të cilat shprehnin gjendjen aktuale të demokracisë, presionit ndaj qytetarëve nga pushtetarët. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 16 nëntor.

Përpunim grafik i Teatrit Kombëtar nga Avni Delvina.Ekspozita është emëruar “Notre Drame De Tirane” (Drama jonë e Tiranës). Në të paraqiten shumë vepra në të cilat gërshetohen imazhe – nga regjimi diktatorial, kryengritjet, protestat, situata aktuale e qytetit të Tiranës, problematika e ndërtimeve, hapësirave publike – me personazhet politike.

Artisti vendosi t’i paraqesë realizimet e tij enkas në Teatrin Kombëtar pasi sipas tij “teatri është epiqendra e dramave të kryeqytetit dhe e rezistencës qytetare ndaj korrupsionit”.

Përpunim artistik i Avni Delvinës për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Duke folur për mediat, Delvina tha se e shihte të arsyeshme që të kontribuonte me artin e tij për të nxitur reagimin qytetar kundër abuzimeve të pushtetit, dhunimit të demokracisë apo dhe kundër projektit për të shembur Teatrin Kombëtar.

Avni Delvina është nip i delegatit të Delvinës dhe Sarandës në aktpavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Familja e tij u përndoq nga regjimi komunist. Ai u largua nga Shqipëria me mësyrjen e ambasadave më 2 korrik 1990. Jetën e tij artistike ai ndërtoi kryesisht në Itali.

Paraqitje artistike e Avni Delvinës për çështjen e Teatrit Kombëtar.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme