Serbia sistem raketor rus, pavarësisht paralajmërimit nga SHBA

Nga Gerard Gega
Serbia sistem raketor rus, pavarësisht paralajmërimit nga SHBA Sistemi raketor rus që do të blihet nga Serbia.

Serbia do të blejë nga Rusia sistem raketor pavarësisht paralajmërimeve nga SHBA-të se nëse e bën do të ketë sanskione.

Mediat ndërkombëtare cituan agjencinë shtetërore të lajmeve TASS, e cila raportoi më 6 nëntor se “sipas kontratës së nënshkruar sistemi raketor Pantsir-S do t’i dërgohet Serbisë brenda muajve të ardhshëm”.

Sistemi raketor Pantsir-S, me rreze të mesme për mbrojtje ajërore, konsiderohet i sofistikuar.

Pak ditë më parë në një takim mes Presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe përfaqësuesin e SHBA-ve në Ballkan, Matthew Palmer,  u diskutua edhe për këtë temë. Palmer citohet t’i ketë “kërkuar Vuçiçit të bëjë kujdes me marrëveshje të tilla” duke nënkuptuar sanksione.

Më 5 nëntor Presidenti Vuçiç tha se “Serbia po blen armë mbrojtjeje nga Rusia” dhe se ai kërkonte që “të shmanget çdo sanksion apo përplasje me Amerikën”.

Muajin e kaluar Serbia zhvilloi stërvitje ushtarake me Rusinë, e cila përfshiu në operacion edhe pajimet ushtarake të tilla si raketat me rreze të gjatë S-400 dhe me rreze të mesme Pantsir-S.

Serbia ka vazhduar të mbajë lidhje të forta ekonomike dhe politike me Rusinë, pavarësisht vendosjes së objektivit për t’u anëtarësuar në BE. Kjo gjë u pa qartë me vendimin e shtetit serb për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë kur kjo gjë u vendos nga NATO dhe BE në rastin e konfliktit në Ukrainë.

Ndërkohë Rusia i ka shitur Serbisë avionë, helikopterë, tanke dhe tashmë edhe sisteme raketore duke ngjallur kështu shqetësim në vendet e rajonit.

“Serbia po armatoset sepse është një vend i lirë i rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s, vende me të cilat ne duam të jemi miq” – ka thënë në të shkuarën Vuçiç, i cili së fundmi i ka justifikuar zgjimin e marrëdhënieve me Rusinë apo Kinën si rezultat i bllokimit të politikave integruese të BE-së.

Shteti serb ishte palë kryesore në luftërat që u zhvilluan në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë. NATO bombardoi Serbinë në vitin 1999 duke i dhënë fund luftës në Kosovë. Ndërhyrja dhe fakti se pas luftës Kosova u bë e pavarur ka bërë që Serbia dhe Rusia të mos e njohin pavarësinë e saj.

1 koment

  1. leshi 8 Nëntor, 2019 në 2:26 pm

    jon shtet danoc ato mer plak jo shtet spurdhjak si ne

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme