Shkëlqimi i Stadiumit ‘Air Albania’ zbehet që ditën e parë: dështimet e infrastrukturës në ndeshjen Shqipëri-Francë

Nga Gerard Gega
Shkëlqimi i Stadiumit ‘Air Albania’ zbehet që ditën e parë: dështimet e infrastrukturës në ndeshjen Shqipëri-Francë Momente nga ceremonia e përurimit me pllakatën e shkruar gabim: inaguration në vend të inauguration.

Përurimi me propagandë i Stadiumit të ri Kombëtar nuk mundi të linte në hije problemet e fushës, problemet teknike dhe ato organizative të ndërtesës 75 milionë euroshe, e cila është konceptuar më tepër për biznes, sesa për sport.

Shqiptarët panë prej ekraneve televizive fushën që u bë copash, ceremonia hapëse që u la në errësirë, ndërsa ata që ishin në stadium mundën të dallonin edhe probleme të tjera organizative dhe funksionale.

Gjatë ceremonisë përuruese, përpara Presidentit të UEFA-s Čeferin dhe Presidentit të FSHF-së Duka, Kryeministri Rama tha me mburrje se kishte pasur lëvdata edhe nga një njeri special i futbollit sikurse është trajneri i mirënjohur Mourinho:

Wow! Amazing stadium, I should go” (Uou! Stadium mbreslënës, duhet të shkoj!) – ky ishte mesazhi që më çoi Jose Mourinho, një vizitor shumë special i stadiumeve më spektakolare të botës, dhe unë në fakt u përgjigja se, në realitet ky stadium është shumë më i mahnitshëm sa ç’mund të duket nga dritarja e WhatsApp-it.

Përtej “dritares së WhatsApp-it” të Kryeministrit, apo të ERTV-së së tij, në Stadiumin Kombëtar pati pak gjëra “spektakolare”.

Punonjës të fushës duke u munduar të rregullojnë pjesët e dëmtuara të barit.

Fusha aspak cilësore

U deshtën pak minuta lojë dhe publiku në stadium vuri re se në çdo dyluftim mes lojtarëve nga tapeti i fushës shkëputeshin llokma dheu me bar. Kjo u vu re fillimisht pranë portave dhe këndeve të fushës. Këto probleme u vunë më shumë re edhe në transmetim televiziv kur shpesh regjia fokusonte lojtarët teksa rivinin në vend pjesët e dala prej tapetit.

Portieri Berisha, mbrojtësi Mendy apo mesfushori Sissoko ishin disa nga lojtarët që u munduan të mbushnin gropat e fushës.

Në pushimin mes pjesëve, punonjës inspektuan gjendjen, por nuk kishin çfarë të bënin, veçse të ngjeshnin llokmat e dala dhe të shpresonin që të mos kishte raste të tjera.

Problem i ngjashëm u pa në Luksemburg në “Stade Josy Barthel” ku vendasit pritën Portugalinë. Pas përballjes Cristiano Ronaldo e cilësoi “fushë patatesh” dhe vuri në diskutim se si “skuadra të niveleve të larta duhet të luanin në fusha të tilla“.

Nëse “Stade Josy Barthel” mund të justifikohet me faktin se është rindërtuar në vitin 1990 dhe për herë të fundit është restauruar 5 vite më parë, për Stadiumi Kombëtar në Tiranë nuk ka justifikime. Përpara përballjes me Francën kishte zhvilluar vetëm një ndeshje testuese, ndeshjen Vllaznia-Apolonia për kampionatin e vajzave.

Problemet funksionale

Stadiumi Kombëtar nuk ka rampa, ashensorë, infrastrukturë të posaçme dhe vende të përkushtuara njerëzve me aftësi të kufizuara. Nëse projekti i ka parashikuar ato, nuk janë ndërtuar.

Persona me aftësi të kufizuara përpara stadiumit.

Sërish zona përreth stadiumit u bllokua dhe nuk u lejua parkimi. Bllokimi u justifikua nga policia “për arsye sigurie”. Kjo tregon se parkingu i stadiumit synon më tepër shërbimin për hotelin dhe qendrën tregtare se sa për sportdashësit, pasi policia nuk e siguron dot për evente të tilla sportive.

Gjatë ndeshjes u provua se shiu mund të lagte një pjesë të publikut pranë fushës. Në mos nga shiu, ata mund të lageshin edhe nga vaditëset e fushës.

Problemet teknike dhe organizative

Pjesa e koordinimit të tifozëve i përket organizimit, por ajo dikton shumë në përvojën që një sportdashës mund të marrë nga stadiumi.

Hyrje-daljet nuk siguruan lëvizje të rrjedhshme të tifogrupeve. Pati probleme me bllokimin e “Check-In”-eve çka shkaktoi pakënaqësi te tifozët.

Sërish pati tifozë që u ulën shkallëve. Përgjegjësit e sektorëve nuk u kujdesën që t’i mbanin të lira për lëvizje gjë që shpesh detyron UEFA-n të gjobisë FSHF-në. Edhe pse u tha se do të ndalohej duhani, tifozë të shumtë tymosën lirisht në tribuna.

Tifozë të ulur në pjesën e shkallëve të stadiumit.

Ceremonia hapëse kaloi pa vëmendje. Spektaklin e ofroi më tepër tifozeria dhe jo organizimi artistik në fushë, që u duk sikur nuk ishte mbështetur me logjistikën e duhur. Nuk kishte regji qëndrore. Këngëtarët dhe kërcimtarët nuk u shoqëruan nga kameramanë. Ekrani i madh i stadiumit mbeti zi. Mungesa e regjisë u vu re edhe gjatë ndeshjes. Nuk pati plane të lojtarëve apo të momenteve të ndryshme kur loja ndalej.

Koreografia nuk pati ndriçim. Shumica e trupës kërcyese u la në errësirë ndërkohë që dritat ishin të efektit disko dhe nuk nxorrën në pah këngëtarët apo organizimin artistik në tërësi. Fonia gjithashtu kishte probleme me cilësinë e audios. Zëri i këngëtarëve nuk transmetohej qartë edhe pse ato ishin të regjistruar një ditë më parë. Nuk kuptohej nëse kjo vinte nga cilësia e fonisë, apo nga cilësia e përpunimit audio.

1 koment

  1. Gimi 18 Nëntor, 2019 në 8:51 pm

    Rama eshte kaqol fare si per tveshmen tha edhe per stadiumin keshtu ka per tqene moda vk fare tani bota do kopjoka ket palo stadium se eshte shpikje e shekullit per sportin sesht pa naj here

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme