Shumica socialiste kërkon shkarkimin e Metës-Pikat kryesore të kërkesës

Shumica socialiste kërkon shkarkimin e Metës-Pikat kryesore të kërkesës Presidenti Ilir Meta.

Shumica socialiste kërkoi sot shkarkimin e Presidentit Meta. Në një letër dërguar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçit, ata kërkojnë nisjen e procedurave për shkarkimin e Metës, për shkak se ai shkeli Kushtetutën me dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Kërkesa e firmosur nga 55 deputetë përmban argumentet e mëposhtëme:

1.Presidenti ka dekretuar zonjën Xhaferllari në kapërcim të kompetencave, duke cënuar kështu Kushtetutën dhe ligjin. Sipas tyre Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka vepruar në mënyrë korrekte duke dërguar listat me kandidatë tek institucionet e emërtesës. Ligji përcakton një afat kohor prej 30 ditësh, të cilën Presidenti nuk e ka zbatuar e për rrjedhojë zonja Vorpsi automatikisht konsiderohet e emëruar.

2.Presidenti mori kompetencat e KED me dekretimin e zonjës Xhaferllari. KED e renditi atë të katërtën. Sipas ligjit Presidenti duhet të zgjedhë ndërmjet 3 kandidaturave të para.Shumica socialiste argumenton se përveç se ai shkeli Kushtetutës, mori kompetencat e KED, i cili është institucioni i vetëm që rendit kandidatët.

3.Presidenti ka cënuar legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese. Me emërimin e zonjës Xhaferllari, ai ka krijuar një situatë ku për një vend janë 2 anëtare të emëruara, duke cënuar legjitmitetin dhe funksionalitetin e GJK.

4.Presidenti ka cenuar të drejtën e zonjës Vorpsi për të ushtruar detyrën si anëtare e GJK. Presidenti Meta refuzoi të njihte Arta Vorpsin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Në ceremoninë e betimit ai thërriti Elsa Toskën, Fiona Papajorgjin dhe Marsida Xhaferllarin. Sipas Kushtetutës, zonja Vorpsi nuk mund të ushtrojë detyrën si anëtare e GJK pa u betuar para Presidentit.

5.Presidenti ka cënuar të drejtën e qytetarëve për një proces të rregullt ligjor. Me dekretin e zonjës Xhaferllari, mazhoranca argumenton se krijon pasiguri tek qytetarët dhe u jep shkas atyre të kërkojnë pavlefshmërinë e vendimeve për shkak të zgjedhjes në mënyrë të paligjshme të anëtarit të GJK.

Kuvendi ka ngritur një komision të përkohshëm për shkarkimin e Presidentit Meta, për dekretin e anullimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Shumica socialiste është e vendosur të shkarkojë nga detyra Presidentin Meta, por Kushtetuta përcakton qartësisht se vetëm Gjykata Kushtetuese ka kompetencë ta shkarkojë atë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme