Unaza e Re, prishjet vetëm për Sheshin Shqiponja, 2 tenderat e tjerë të bllokuar

Nga Stafi i Exit
Unaza e Re, prishjet vetëm për Sheshin Shqiponja, 2 tenderat e tjerë të bllokuar

Projekti i Unazës së Re vazhdon punën vetëm në një segment të saj për shkak të bllokimit të tenderave të mbikëqyrjes. Kjo u konfirmua mbrëmjen e së martës në emisionin Opinion nga Zëvendësministri i Infrastrukturës Artan Shkreli.

Ditën e martë Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi prishjen e 33 ndërtesave pranë rrethrrotullimit të Sheshit Shqiponja. Zëvendësministri tha se shembjet dhe punimet do të vazhdojnë me Lotin 1 e më pas në pjesët e tjera, por pa treguar qartë një kohë se kur.

Loti 1 është pjesa e projektit që u fitua vitin e shkuar me falsifikim dokumentash nga kompania DH Albania. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se përse nuk ishte vazhduar më përpara me dy tenderat e tjerë dhe se kur do të vazhdohej me prishjet e ndërtesave të tjera, Shkreli tha:

[…](prishjet do të vazhdojnë më tej) kur të bëhen aktive kontratat me dy kompanitë e tjera […] 2 lotet e tjera me sa di unë kanë probleme me prokurorinë, akoma nuk është çliruar puna e tyre, ka pasur ankesa dhe denoncime në prokurori.

Zëvendësministri nuk tregoi shumë detaje, por në këtë pjesë foli ish-deputeti Klevis Balliu i cili tregoi se bllokimi ka ardhur për shkak të tenderave të mbikëqyrjes së punimeve.

Kush janë Lotet e punimeve në Unazën e Re? Projekti është ndarë në 3 lote, ose thënë ndryshe 3 tendera me 3 segmente punimesh:

Segmenti i parë, Sheshi Shqiponja

Projekti fillestar u ndryshua dhe ritenderua në mënyrë që punimet mos të bllokoheshin, pasi prokuroria nisi hetimet për falsifikimet e kompanisë DH Albania. Kjo gjë u pranua indirekt nga Zëvendësministri Shkreli në emisionin Opinion.

Punimet në Sheshin Shqiponja shtrihen në rreth 1,5 kilometra kryqëzim me nënkalim. Projekti do të ndërtohet nga kompania Salillari dhe Bajrami N shpk për 14,5 milionë euro.

Projekti dhe gjurma e tij në Sheshin Shqiponja.

Segmenti i dytë, Ura e Lanës-Astir

Projekti i segmentit të dytë parashikon punime në rreth 2,4 kilometra rrugë, ndërtimin e urës mbi Lanë dhe nënkalimet e rrugëve dytësore. Projekti do të ndërtohet po nga kompania Salillari për 12,8 milionë euro.

Ky segment nuk ka nisur punimet pasi në tenderin për mbikëqyrjen e saj Instituti Konsulencës në Ndërtim IKN & Geosat Group kanë pasur ankesa për përjashtim të padrejtë nga tenderi. Komisioni i Prokurimit Publik në fillim të tetorit i dha të drejtë kompanisë, por kontrata nuk është lidhur ende me ta.

Ish-deputeti Klevis Balliu pretendoi në emisionin Opinion se projektet duheshin bllokuar dhe hetuar për korrupsion. Zoti Balliu tha se kompanitë mbikëqyrëse që kanë marrëdhënie financiare me kompanitë ndërtuese përjashtohen nga tenderat e mbikëqyrjes së punimeve. Për këtë pjesë ish-deputeti i PD-ës tha se “IKN paguhet nga Salillari si mbikëqyrës në koncesionin për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit” dhe për rrjedhojë tenderi duhej bllokuar.

Projekti dhe gjurma e tij në zonën e Astirit.

Segmenti i tretë, Astir-Pallati me Shigjeta

Projekti në tërësi zgjatet në rreth 1 kilometër rrugë dhe parashikon zgjerimin e korsive, ndërtimin e hyrje-daljeve dhe rrugëve dytësore deri te rrethrrotullimi përballë shkollës teknologjike. Ky segment do të ndërtohet nga kompania Victoria Invest, por punimet nuk kanë nisur për arsye të ngjashme me atë të segmentit të dytë, për shkak të problemeve me tenderin e mbikëqyrjes së punimeve.

Projekti dhe gjurma e tij nga Astiri te Pallati me Shigjeta.

Prishja e ndërtimeve dhe protestat e banorëve

Puna në Sheshin Shqiponja nisi mëngjesin e së martës me prishjen e 33 ndërtesave, një pjesë e së cilave ishin dëmshpërblyer dhe një pjesë tjetër jo.  Prej më shumë se 1 viti banorët e zonës së Unazës së Re protestojnë për dëmshpërblim të banesave dhe bizneseve të tyre. Në emisionin Opinion, Zëvendësministri Shkreli tha se “projekti do të prishë rreth 250 ndërtesa” duke pranuar se më shumë se 100 prej tyre ishin të palegalizuara. Zoti Shkreli këmbënguli se çështja e dëmshpërblimeve ishte çështje ligjore e parashkruar se “ndërtesat që preken nga projektet publike përjashtohen nga legalizimi”.

Përjashtimi i më shumë se 100 familjeve nga procesi i legalizimit ka bërë që ato të kenë si zgjidhje vetëm “bonusin e qirasë”. Për shumë prej banorëve kjo do të thotë rrënim total pasi ata humbasin banesat e ngritura prej më shumë se 20 vitesh.

Dhuna policore, 26 banorë nën hetim

Policia njoftoi mbrëmjen e së martës se kishte nisur hetimet ndaj 26 personave për sulme ndaj punonjësve të saj.

Aksioni policor për të shpërngulur banorët e 33 ndërtesave që do të prisheshin në zonën e “Unazës së Re” nisi rreth orës 6:00 të mëngjesit dhe pati menjëherë përshkallëzim në dhunë. Policia përdori gaz lotsjellës për të nxjerrë nga banesat banorët, ndërsa këta të fundit iu përgjigjën dhunës policore me goditje me gurë.

Sipas njoftimit 5 punonjës të policisë mbetën të lënduar, ndërkohë që një makinë e saj u dëmtua nga goditjet e banorëve. Nga ana tjetër u lënduan seriozisht me fraktura 7 banorë, ndërsa dhjetëra të tjerë u dërguan në urgjencë me simptoma helmimi nga gazi lotsjellës i përdorur nga policia.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme