Video/Aferat e Unazës së Re lënë në kaos trafikun

Nga Gerard Gega
Video/Aferat e Unazës së Re lënë në kaos trafikun Situata e trafikut në hyrje të Tiranës.

Prej më shumë se një viti qeveria ka vendosur të ndërhyjë në Sheshin Shqiponja. Për punimet atje ka pasur disa projekte dhe janë bërë disa tendera. Gjatë kësaj kohe sheshi dhe infrastruktura rrugore u prishën nga kompania që më pas u ndalua pasi kishte falsifikuar dokumentat.

Si rezultat sot, në oraret e mëngjesit dhe pasditeve, nga mbikalimi i Kamzës deri te rrethrrotullimi, që është rreth 1 kilometër, mund të përshkohet deri edhe në 30 minuta pasi trafiku është në kaos dhe jashtëzakonisht i pamenaxhueshëm. Ndërkohë që punimet duket se vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Prej vitesh thuhet se për ndryshimin e situatës nevojitet ndërhyrje në këtë rrugë. Përfundimin e kanë nxjerrë Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj, të cilët kanë përjashtuar mundësitë për alternativa të tjera hyrje-daljesh nga ana perëndimore e kryeqytetit.

Në vitin 2018 kompanitë Biba X dhe DH Albania fituan tenderin për rikonceptimin e rrethrrotullimit. Në nisje të punimeve ato prishën sheshin dhe infrastrukturën e rrugës duke ndikuar edhe më keq në gjendjen e trafikut. Zbulimi se kompania DH Albania kishte falsifikuar dokumenta bëri që tenderi të bllokohej.

Projekti dhe gjurma e tij në Sheshin Shqiponja.

Pak pasi ishte zbuluar skandali i falsifikimit të dokumentave autoritetet rihapën tenderin, por ky tender u mbyll pa fitues dhe shumë informacione me arsyen se nuk u plotësuan kriteret.

Për të zhbllokuar situatën, Bashkia Tiranë propozoi projekt tjetër, që kërkonte edhe tender tjetër. Me projektin e ri rrethrrotullimi kthehet kryqëzim me nënkalim dhe kompanitë që e kanë fituar janë Salillari dhe Bajrami N shpk për 14,5 milionë euro.

Kastriot Dervishi/Trafiku Unaza e Re, rruga nga Teodor Keko te Sheshi Shqiponja.

Pas mbylljes së tenderit qeveria nisi prishjet e ndërtesave përreth për vetëm këtë lot të “Unazës së Re”. Duke akuzuar për korrupsion dhe shkelje të ligjit opozita kallëzoi në prokurori projektin dhe kërkoi pezullimin e punimeve deri në përfundim të hetimeve.

Një muaj më vonë në sheshin Shqiponja nuk ka shenja se po punohet. Nga prokuroria nuk ka informacione të hetimeve të mundshme ndërsa trafiku duket se do të jetë edhe më i rënduar për shkak të periudhës së festave.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme