Arrestimi i qytetarëve dhe mbyllja e portaleve, shkelje e të drejtave të njeriut

Nga Alba Mborja
Arrestimi i qytetarëve dhe mbyllja e portaleve, shkelje e të drejtave të njeriut Kryeministri Rama gjatë prezantimit të paketës ligjore "Anti-KÇK".

Dy ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, Kryeministri Edi Rama lajmëroi se do të “ndërhynte me forcë” në mediat që përhapnin lajme të rreme. Dje sërish me një status në Facebook, ai kërcënoi mediat duke thënë se do të merrte masa ekstreme ndaj tyre.

Pas këtij statusi, policia ka nisur hetimet penale për dy administratorë të faqes Jeta Osh Qef dhe arrestoi një qytetare nga Durrësi, Xhulia Aliaj, 25 vjeç.

Qeveria e ka përdorur justifikimim se portalet prodhojnë lajme të rreme për të kufizuar lirinë e mediave. Madje ajo ka hartuar një ligj të posaçëm që autorizon mbylljen e portaleve që sipas saj prodhojnë lajme të rreme .

Nëse do t’i referohemi ligjit, është e qartë edhe sikur portali dhe vajza të kishin për qëllim përhapjen e panikut, hetimi apo arrestimi i tyre është shkelje e ligjit dhe dhunim i të drejtave të njeriut.

Ligji për Mbrojtjen Civile, neni 49, përcakton qartë se media për raportimin e fatkeqësive natyrore, dëmeve, viktimave apo mundësisë për ndodhjen e ngjarjeve të tjera duhet t’i referohet burimeve zyrtare. Në rast të kundërt, duhet të referojnë burimin nga ku kanë marrë informacionin.

Nga ana tjetër, në asnjë nen të këtij ligji nuk referohen masat që duhet të marrë qeveria, në rast se media nuk përmbush një nga kriteret e mësipërme, ose nëse një qytetar shkruan një status alarmant në Facebook.

Xhulia Aliaj, pavarësisht se nuk i nënshtrohet këtij ligji, është plotësisht në përmbushje të ligjit. Ajo ka publikuar një artikull të një portali në Itali dhe e ka shoqëruar me një status.

Por qeveria duket se nuk mjaftohet me mbylljen e portalit.

Prej një viti ka hasur një pengesë të madhe siç janë aktivistët për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar .

Mbrëmë policia e shtetit kallëzoi dy anëtarë të Aleancës për Mbrotjen e Teatrit dhe tentoi të arrestonte zonjën Adriana Kalaja. Këta aktivistë filmuan disa oficerë të policisë të cilët po merrnin ndihmat e mbledhura për të prekurit e tërmetit dhe po i vendosnin në ambientet e Ministrisë së Brendshme. Kjo video u postuan në faqen e Facebook të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Sipas deklaratës së Shërbimit për Çështjet e e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme të botuar në gazetën Panorama, ata akuzohen për përhapjen e informacione të rreme të parashikuara nga neni 267 i Kodit Penal, i cili parashikon:

“Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.”

Që të ndodhemi përpara kësaj vepre penale, duhet të ekzistojë qëllimi i krijimit të gjendjes së pasigurisë apo panikut. Në asnjë rast postimet e këtyre qytetarëve nuk kanë patur qëllimin e krijimit të panikut po vetëm të transparencës në lidhje me ndihmat për të prekurit nga tërmeti.

Nga ana tjetër neni i mësipërm, kategorizohet te krimet kundër sigurisë publike. Qëllimi i këtyre veprave penale në këtë pjesë të Kodit Penal është ruajtja e sigurisë publike, që do të thotë se kryerja e një prej veprimeve të parashikuara në të do të shkaktonte cenim të sigurisë publike. Asnjëri nga veprimet e kryera nga anëtarët e Aleancës nuk përbën cënim të sigurisë publike.

Arrestimet e qytetarëve për shkak të postimit në rrjetet e tyre sociale dhe mbyllja e portaleve përveç se janë të paligjshëm, pasi nuk ka asnjë ligj që sanksionon arrestimin për postime të tilla, shkel brutalisht të drejtat  e njeriut, të sanksionuara në Kushtetutën e vendit dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat garantojnë lirinë e shprehjes.

Gjykata e Europiane e të Drejtave të Njeriut në Straburg ka trajtuar posaçërisht çështje që lidhen lirinë e shprehjes në rrjetet sociale. Në çështjen Cumpănă dhe Mazăre kundër Rumanisë, ajo është shprehur:

“…[K]ur ushtrojnë lirinë e tyre të shprehjes, gazetarëve u kërkohet të veprojnë me mirëbesim, në mënyrë që të sigurojnë informacione të sakta dhe të besueshme, në përputhje me etikën e gazetarisë.

Shtetet duhet të shmangin marrjen e masave që mund të pengojnë mediat të përmbushin rolin e tyre. Për më tepër, gazetarët do të pengohen të raportojnë për çështje me interes publik nëse ata rrezikojnë të dënohen me burg.”

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme