Festat që sjellin pushtetin më pranë popullit

Nga Ergys Mërtiri
Festat që sjellin pushtetin më pranë popullit

Pa kaluar as dy javë nga katastrofa që ka gjunjëzuar vendin, Kryeministri Rama bashkë me manarin e tij Veliaj nxituan të ndezin dritat e festave në Tiranë. Rrethuar nga fëmijë Veliaj u shpreh se po e bënin këtë të vetëdijshëm se vendi sapo ka kaluar një tragjedi, por sidoqoftë ai ka nevojë për gëzim dhe shpresë. Kështu, në momentin më të parë, qeveria u shfaq e gatshme t’i rikthehet avazit të të ushqyerit të popullit me aheng e spektakël, gjë që ajo di ta bëjë shumë mirë.

Në fakt, pas një tragjedie të tillë, hareja festive e nxitur me investime nga pushteti është më shumë një tradhëti ndaj viktimave. Një qeveri që nxiton të jepet pas gëzimit, në një kohë kur ende nuk ka filluar të përballet seriozisht me krizën humanitare, tregon se, ndryshe nga si e përdor për propagandë, ajo nuk do t’ia dijë për solidaritetin.

Më shumë sesa populli, është qeveria ajo që ka nevojë për festa. Ato nuk bëhen për të ndihmuar shoqërinë t’i rikthehet shpresës, por për ta bërë atë të harrojë problemet. Këto data festive fundviti janë shumë të përshtatshme të shfrytëzohen për të ulur nivelin e pakënaqësisë nga qeverisja e keqe.

Një qeveri që punon keq, do të bëjë çmos të festojë mirë. Ndërsa përgjatë gjithë vitit nuk ka shprehur kurrfarë solidariteti me ata që kanë pasur nevojë – përkundrazi, ua ka shkaktuar apo përkeqësuar problemet – ajo nxiton menjëherë të bashkohet me qytetarët në tryezën e vitit të ri. Kush nuk solidarizohet me njerëzit kur janë në hall, ka nevojë ta bëjë këtë të paktën një ditë në vit, kur ata kanë gëzim.

Pushteti ka nevojë për rehabilitim dhe festat janë një moment i mirë për këtë. Ato janë në përgjithësi instrumente ku shoqëria përforcon vlerat dhe kohezionin e saj social. Pushtetit i duhet të jetë doemos i pranishëm në këto festa për të rikonfirmuar vetveten. Ata që drejtojnë marrëdhëniet me publikun në qeveri e dinë mirë se, në përgjithësi, turmat nuk operojnë në mënyrë racionale, por në bazë të reagimeve spontane e refleksive. Pëlqimi apo mospëlqimi i kushtëzuar i shijes ndikohet nga rrethanat dhe njeriu priret të modifikojë reagimin e tij gjatë një momenti gëzimi.

Hareja dhe kënaqësia që krijon atmosfera festive përdoren në këtë rast për të kontrabanduar imazhin e qeverisë, ulur pa ftuar në tryezën e gëzimit të gjithkujt, me synimin e vetëm të zbusë sadopak mllefin dhe pakënaqësinë popullore. Kur njeriu ka gëzim, priret të harrojë dhe të tolerojë praninë e dikujt që e neverit apo indinjon. Prania e Kryeministrit në TV gjatë momenteve të tilla, në mos i nxittë njerëzit drejt simpatisë për të, zbut sadopak ndjenjën e indinjatës kolektive.

Jo më kot, bizneset, që i kanë brendësuar në mënyrën më të mirë marrëdhëniet me publikun, mezi i presin festat. Kompani të shumta turren për reklamimin e mallrave të konsumit dhe të shërbimeve; madje edhe bankat, që na rrjepin me kushtet e këqija të kredive, shfaqen si bashkëfestues me qytetarin e thjeshtë. Festa zbut reagimin shoqëror, indinjatën ndaj padrejtësive dhe na bën të priremi për të qenë më të solidarizuar dhe më të afërt me të tjerët, qofshin këta edhe burim i kësaj indinjate.

Në këtë mënyrë, industria e marrëdhënieve me publikun përdoret për ta kthyer festën në mjet kontrolli, duke i zhytur njerëzit edhe më me forcë në problemet ku gjenden. Ndërsa populli argëtohet, hazdiset dhe kënaqet, përfituesit prej kësaj janë gjithmonë aty, duke ngritur dolli për të, teksa kalkulojnë përfitimet e rastit. Politika e bën këtë edhe më paturpësisht. Festat janë për të një ditë intensive pune, çfarë do to thotë një arsye më shumë për t’u shqetësuar.

E kemi parë Kryeministrin Rama të shëtisë televizioneve, veshur madje edhe si babagjysh me thesin e urimeve, batutave dhe dhuratave ngarkuar mbi shpinë. Natyrisht, qëllimi i tij nuk është aspak të argëtojë turmat, por pikërisht t’i manipulojë ato. Për këtë ai është gati të bëjë gjithfarë marrëzish, që nga gallatat në ekran e deri te dushi përpara kamerës, në shtëpinë e tij, siç bëri vjet. Mjafton që njerëzit t’ia harrojnë sadopak padrejtësitë.

Ajo që sjellin më së shumti festat e spektakolarizuara në media nga pushteti politik apo ekonomik është harresa. Kultura e të mosmenduarit, çinteresimi ndaj të vërtetave që therin të përditshmen janë në kulmin e sundimit gjatë këtyre ditëve. Këto janë kohët më të mira për gjah kujtese për qeveri të zbërthyera nga padrejtësitë dhe nga po aq skandale. Njerëzit kanë nevojë të harrojnë që të sundohen më mirë. Ky është momenti.

Pas dritave të Bashkisë, vendi ka ndezur tashmë edhe atmosferën e haresë. E gjithë vëmendja e publikut është përqendruar te tavolina e fundvitit, gatimet, pijet, gjeli i detit, dhuratat, humori në ekran apo prenotimet e lokaleve. Ndërkohë, mijëra njerëz të strukur nëpër çadra ndihen të tradhëtuar, teksa mblidhen kruspull prej të ftohtit në këto netë të acarta fundviti. Vëmendja e shtetit u ka kthyer shpinën dhe ka ndikuar që edhe pjesa dërrmuese e shoqërisë ta bëjë këtë. Ata e kuptojnë se janë vetëm në këtë katastrofë që i ka nxjerrë në qiell të hapur.

Në fakt, të tradhëtuar nuk janë vetëm ata. Është e gjithë shoqëria, pavarësisht se duke e pasur një strehë mbi krye, ndihet mirë dhe në gjendje t’i gëzohet largimit të një tjetër viti, i cili, ashtu si paraardhësi, ishte më i keq se i mëparshmi.

1 koment

  1. ANA 2 Janar, 2020 në 11:22 pm

    I nderuar Z. Mertiri,
    Nuk mund te jem me shume dakord me ty, kjo situate e vazhdueshme po kthehet ne nje makth pa fund qe nuk po i gjejme asnje lloj melhemi magjik per ta luftuar. E di qe Ju po beni mjaft e po rrezikoni veten Tuaj, rehatine Tuaj por jeni nga ata te pakte qe e dine qe e kane dinjitetin e nuk duan kurre t’ja shkelin. Me dhemb zemra kur mendoj sa te pasur e te lumtur duhet te ishim dhe me vjen shume keq qe te gjithe ata qe njoh pothuajse duke perfshire edhe veten time, mendojme te largohemi. Ndoshta do te jemi me te forte kur te largohemi e do perfitojme ca gjera qe mund te ndihmojne ne distance sepse jeta eshte me e gjere se kaq. Une mendoj se Jeni goxha personazhe publike qe po degjohen shume e me shume vitet e fundit e duhet te mblidheni per te bere nje opozite, duhet te luftojme me armet qe ekzistojne ne treg e duhet te beni oponence, duhet te shkohet ne zgjedhje te parakohshme, duhet te kemi nje qeveri te re qe eshte e perfaqsuar nga ata qe ne kemi vite qe i degjojme te jene hapurazi ne mbeshtetje te popullit, ne menyren e vet, ne stilin e vet te shprehjes publike. Une kete shprese te fundit kam, kete deshire kam per kete vit te ri, qe Ju dhe ata si Ju te bashkojne forcat seriozisht dhe te kandidojne. Une kam besim te verber, kam vite qe Ju ndjek dhe kam besim. Gezuar dhe shpresoj qe vitin qe vjen kjo fjale te kete vertet kuptim….tani nuk ka.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme