Opozita ndërmjet pacifizmit dhe pasivizmit

Nga Vehap Kola
Opozita ndërmjet pacifizmit dhe pasivizmit

Tërmeti i 26 nëntorit, dhimbja për viktimat dhe vuajtjet e paniku i mijëra shqiptarëve që u goditën nga fatkeqësia kaluan për të paktën një jave në plan të dytë politikën. Humanizmi dhe solidariteti i shqiptarëve dhe vendeve mike mbuloi ndarjet e vjetra ndërmjet palëve politike. Ndonëse, kriza nuk ka kaluar, ajo e ka humbur fuqinë për të tërhequr interes publik pikërisht për shkak të aftësisë njerëzore për të harruar dhe për t’u përshtatur me kushtet e reja.

Tashmë që dallga e katastrofës është tërhequr, problemet e Shqipërisë janë bërë sërish të dukshme. Shqipëria vijon të mbetet nën një regjim oligarkik që udhëhiqet prej dyshes Rama-Veliaj. Reforma në drejtësi vijon të konsolidojë themelet e një regjimi anti-demokratik, ku të gjitha pushtetet kontrollohen vetëm nga një grup politik. Popullsia vazhdon të rrudhet dhe, pas tërmetit dhe rrënimit që ai ka lënë pas, ritmet e hemoragjisë demografike janë intensifikuar. Ndërsa opozita nuk ka shënuar akoma një veprim apo ngjarje politike të njëmendtë.

I vetmi ndryshim që duket se është shënuar në këtë klimë post-tërmet është të provuarit se Edi Rama është në gjendje të ngrihet nga hiri. Edhe një herë u provua se bindja opozitare se keqqeverisja dhe padrejtësia do ta gërryejnë pushtetin e Edi Ramës ishte e gabuar.

Ajo që e përshkruan më saktë opozitarizmin e Partisë Demokratike është sjellja, si krejtësisht e ndryshme nga veprimi. Në këtë kuptim, sjellje do të thotë të reagosh ndaj rrethanave në një mënyrë të zakonshme, pra të parashikueshme. Ndërsa veprim do të thotë të ndërmarrësh një nismë, e cila del jashtë pritshmërive të zakonshme që krijohen nga rrethanat.

Ajo që po ndodh në opozitë është se nuk po ndodh gjë. Nuk ka asnjë zhvillim të brendshëm politik në Partinë Demokratike. Kjo nënkupton ose se ajo është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, ose se është e sigurt se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë.

Përveç kundërshtive që ia detyron pozicioni në opozitë, Partia Demokratike nuk ka ofruar asnjë shpjegim se si ajo mendon të çmontojë regjimin Rama-Veliaj. Nëse ajo vërtet beson, ashtu siç shprehet, se reforma në drejtësi po i fal Ramës institucionet e gjyqësorit, ajo duhet të shpjegojë se si do ta shpërndajë atë regjim kur të vijë në pushtet. Pa një shpjegim të tillë, opinioni publik ka të drejtë të besojë se opozita nuk ka ndonjë kundërshtim serioz për mënyrën e instalimit të regjimit.

Në angazhimin e saj për ta çliruar ekonominë nga oligarkia, opozita vazhdon të përsërisë premtimin për anulimin e kontratave koncesionare, a thua se ishin PPP-të ato që e krijuan oligarkinë dhe që furnizojnë zgjerimin e saj në të gjithë sektorët e ekonomisë. Oligarkinë e krijoi dhe e majmi, në të paktën dy dekada, qeverisja klienteliste e kapitalizmit të miqve. Mungon, pra, deri tani një plan për rikthimin e konkurrencës në tregje dhe mbrojtjen e saj me një kuadër ligjor dhe institucional të aftë për të vepruar shpejt dhe me efiçencë.

Me pak fjalë, ajo që nga opozita serviret si pacifizëm duket të jetë thjesht pasivizëm.

Avantazhit që Ramës i jep pushteti i shtohet edhe kurajoja e tij për të prodhuar veprim dhe ngjarje politike. Këtë avantazh e thellon më tej natyra reaktive e opozitëbërjes nga Partia Demokratike. Në vend të veprimit, opozita shqiptare ofron vetëm sjellje, e cila për vetë faktin se është sjellje, është shumë e standardizuar dhe po aq e parashikueshme.

Opozita do të kishte prodhuar veprim dhe ngjarje nëse do të kishte ndjekur një kurs demokratizimi me zgjedhje të brendshme, që do të merrnin doemos vendin e tyre qendror në një vend ku zgjedhje nuk bëhen prej kohësh. Ajo mund të prodhonte veprim, dhe jo thjesht sjellje, duke hapur brenda saj debate të vërteta mbi mënyrën se si duhet çmontuar regjimi dhe çliruar ekonomia nga oligarkia.

Në vend të paraqitjeve mediatike me regji qendrore, një debat publik mbi çështjet më shqetësuese dhe për të ardhmen e vendit mund ta furnizojë opinionin me më shumë vetëdije dhe mund të injektojë optimizëm në mesin e kundërshtarëve të regjimit. Konsultime mund të zhvillojë opozita edhe rreth mundësisë së rikthimit të reformës në drejtësi në pikën ku ajo u mor peng dhe u deformua nga Rama.

Rama e ka kompleksuar opozitën duke e akuzuar atë se ajo ka frikë nga institucionet e reja të drejtësisë. Droja e Partisë Demokratike për të refuzuar mënyrën se si po zbatohet reforma në drejtësi vjen pikërisht nga fakti se opozita nuk prodhon veprim, ide dhe argumente kundër kapjes së drejtësisë nga Rama. Në kundërpërgjigje të akuzave të Ramës, duke u përpjekur të dëshmojë të kundërtën, opozita i ka lënë atij gjithnjë e më shumë dorë të lirë në krijimin e gjykatave.

Partia Demokratike nuk ia ka dalë të prodhojë fushata të suksesshme komunikimi për të vetëdijësuar opinionin publik dhe informuar institucionet ndërkombëtare se si Rama e ka kapur drejtësinë. Këtë duket se ka nisur ta bëjë Presidenti Ilir Meta. Ndërkohë, ky do të ishte një veprim krejt i natyrshëm për partinë më të madhe të opozitës.

Si veprim jashtë sjelljes pasive dhe reaguese, opozita mund ta ndajë qartë planin e saj për anulimin e koncesioneve nga plani për çlirimin e ekonomisë nga oligarkia. Këtë ajo mund ta nisë me ndarjen e listës së koncesionarëve nga oligarkët dhe me shpalosjen e një rruge të besueshme për ringjalljen e konkurrencës dhe sipërmarrjes. Si do të nxitet inovacioni në biznes? Si do të mbështeten sipërmarrjet e reja? Si do të incentivohet hyrja e kompanive të reja në tregjet e monopolizuara? Cilat masa ligjore do të ndërmerren ndaj monopoleve? Këto pyetje duhet të marrin përgjigje në planin e opozitës për rikthimin e ekonomisë së lirë të tregut.

Opozita duhet të bëhet e besueshme te publiku se do të kërkojë konfiskimin e çdo pasurie të paligjshme. Ajo duhet të paraqesë një plan se si do t’i denoncojë me prova dhe se si do nxisë hetimin e të gjitha pasurive të lidhura me funksionarët e regjimit.

Nëse Partia Socialiste e ka vërtet fuqinë për t’u distancuar nga grupi politik “Rilindje” i drejtuar nga Rama-Veliaj, ajo do ta bënte këtë për të shpëtuar ekzistencën e partisë, pasi të ketë dalë në opozitë. Përndryshe, PS-ja do të vuante fatin e një formacioni politik mafioz që demontohet nga drejtësia.

Rrugët që opozita të veprojë janë të shumta dhe nuk kanë përse të cenojnë pacifizmin e saj. Ajo thjesht nuk duhet të lejojë që çdo veprim dhe ngjarje politike në Shqipëri të ndërmerret nga Rama. Ndërsa rruga e pasivizmit është një e vetme: rruga e sjelljes së parashikueshme dhe rënies në lojën politike të Ramës thjesht përmes reagimit.

1 koment

  1. MC 14 Dhjetor, 2019 në 4:50 pm

    Cfare shantazhi ben SHBA ndaj PD? Sepse kjo “sjellje” i ngjan te ecurit mbi qelq te thyer, tipike e nje viktime shantazhi. E kuptoj pse shantazhon SHBA nje opozite, sepse PS i ka dhene naften, Bazen ushtarake afer naftes, neser gazin a naften qe do gjejne ne det. Por nese PD ose me sakte lidershipi i saj nuk do te ishte i shantazhueshem, do kishte uleritur me kohe per sovranizem dhe dinjitet sic ben presidenti sot, i cili eshte njesoj i shantazhueshem por qe e ka kuptuar ne nerv se po e hengri presionin e mbylli gojen si PD do asgjesohet ne cdo kuptim.
    Per cfare turpi shantazhohet PD nga shba? Cfare turpi i paekspozueshem eshte ky ne krahasim me turpet e frikshme publike te nje kryeministri paciperisht te frikshem si rama? Perse nuk largohen njerezit e shantazhueshem nga lidershipi i pd? Ose te vertetojne me Karta te hapura qe nuk kane turpe te mbuluara nga shba ne shkembim te squlljes, ose te demaskojne ne popull troç nje imperializem naftegllaberues qe sponsorizon narcoparti, narcogjykata,narcomedia, etc. Nese eshte e pamundur, dhe me sa duket eshte keshtu, atehere le tu thone njerezve qe te bejne “emigrim afatgjate” ne vende me spitale dhe shkolla normale, derisa te mbaroje nafta ne Shqiperi.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme