Opozita tryezë me mediat kundër paketës anti-shpifje: masë censuruese, nuk do ta njohim

Nga Redaksia
Opozita tryezë me mediat kundër paketës anti-shpifje: masë censuruese, nuk do ta njohim Tryeza e bisedimeve me median e organizuar nga opozita.

Opozita i ka konsideruar ligjet për mediat, që qeveria pritet t’i miratojë më 19 dhjetor, si “masa arbitrare censuruese”. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, është zotuar se nuk do t’i njohë këto ligje dhe nëse do të ketë mundësi, do t’i pezullojë ato.

Në një takim të thirrur nga opozita me gazetarë, përfaqësues të mediave dhe organizatave të të drejtave të njeriut, Zoti Basha tha se media në Shqipëri është në një situatë dramatike. Ai theksoi se ligjet për mediat duhet të ishin konsultuar me shoqatat dhe organizatat e gazetarëve, pasi “pa lirinë e medias nuk ka liri politike”.

Zoti Basha theksoi sërish se synimi i qeverisë me nismën e ashtuquajtur “anti-shpifje” është “mosinformimi dhe keqinformimi” në mënyrë që të fshihen abuzimet.

“Kjo është luftë e shpallur kundër medias, qeveria po propozon për të instaluar censurën. […] Nëse çmenduria çohet deri në fund (miratohet) në parlamentin e cunguar, opozita nuk do ta njohë dhe sapo të ketë mundësi qeverisëse për ta zhbërë këtë legjislacion bashkë me shoqatat e gazetarëve do ta pezullojë çdo masë të tillë arbitrare”.

Zoti Basha shprehu më pas mirënjohje për ndërkombëtarët që i janë përgjigjur shqetësimeve të gazetarëve dhe thirrjeve për t’u bashkuar për kauzën e medias. Ai theksoi se PD-ja në tryezën e organizuar nuk kërkonte marrëdhënie paternalizimi, por synonte mbështetje ndaj çështjes.

“Ne na bashkon interesi publik, interesi i qytetarëve” – tha Zoti Basha.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Zonja Monika Kryemadhi theksoi se me ligjin e propozuar nga qeveria “do të kemi një AMA si hetuesi dhe një AKEP si xhelat”.

“Jemi krah gazetarëve, jam kundër pronarëve që nëpërmjet gazetarëve të bëjnë qoka nëpërmejt ERTV-së. Të mbyllesh gojën e gazetarëve është shkelje e të drejtave të njeriut” – tha Zonja Kryemadhi.

Nga gazetarët prezent, Cukali, Çipa, Dervishi, Gjekmarkaj, Shkullaku, Koka, Abilekaj, e të tjerë, shprehën edhe njëherë kritikat kundër nismës ligjore të qeverisë.

“Gazetarët nuk lejohen në konferencat e kryetarit të qeverisë, ku gazetarët i marrin vetëm Live!. Ky ligj vjen si pasojë se Kryeministri ka krijuar një perceptim që media dhe gazetarët janë të këqinj” – tha Zoti Cukali.

“Asnjëherë nuk ka pasur adresim të tillë censurues siç po bën qeveria. Ky draft mbart në vetëvete probleme serioze në institucionalizimin e censurës siç është AMA, bordi i AMA-s merr brendinë e një agjencie censure, investoni që të zhbëhet ky draft” – tha Zoti Çipa, drejtues i Unionit të Gazetarëve.

“Me këtë ligj tretet e drejta e informimit. Nuk ka më gazetarë dhe liderët bëhen media, në rastin e tërmetit nëse nuk do të ishin gazetarët, autoritetet do të ishin në panik dhe fake-news do të mbizotëronte” – tha Zoti Dervishi.

“Deri sa të zhbëhet ky ligj do të jetojmë në një demokraci të kufizuar […] opozita duhet të reagojë në protesta si në çështjen e lirisë së votes” – tha Zoti Gjekmarkaj.

“Ky ligj special bëhet për të mbrojtur një grup njerëzish që skandalet, si Unaza të mos dalin në sipërfaqe. Nëse nuk do të ekzistonin disa media që veprojnë si qeliza të lira, asgjë nuk do të merrej vesht” – tha Zoti Shkullaku.

“Ju bëj thirrje që të paktën në mediat e tyre sociale, banerat kundër paketës së Zotit Rama të jenë prezente” – tha Zonja Aranita Brahaj, drejtuese e Open-Data Albania.

“Pas këtij ligji do të shohin vetëm skena të tilla. Do të jemi të ngjashëm me Korenë e Veriut” – tha Zoti Enton Abilekaj, drejtues i Dosja.al

“Ky është tërmet më i rëndë dhe me pasoja shumë afatgjata […] Rama kërkon të zhdukë komunikimin […]Një qeveri që e mban gojën mbyllur i qelbet goja erë.” – tha pedagogu Erion Kristo.

“Jemi në situatën a do ta mbrojmë demokracinë, apo do të kthehemi në diktaturë. Nuk kemi pasur kurrë kaq shumë media pro qeverisë, përkundrazi kanë qenë kundra dhe i sulmonin” – tha sociologu Ergys Mërtiri.

“Jam hequr nga puna sepse nuk ndiqja vijën editorial […] ERTV po mban në pronësi kontekstin video. Ne nuk kemi askes në Kryeministri, Ministri dhe institucione.” – tha gazetari Spartak Koka.

2 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme