30 vjet më pas vazhdon persekutimi i antikomunistëve

Nga Erblin Vukaj
30 vjet më pas vazhdon persekutimi i antikomunistëve Drejtues i ISKK-së, Agron Tufa.

Gjatë 45 viteve që kishte pushtet, regjimi komunist i Hoxhës, dëboi dhe internoi mbi 20 mijë njerëz. Përndjekja bëhej për arsye politike. Për arsye të ngjashme, 30 vite pas rrëzimit të komunizmit, Drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) dëbohet në Zvicër.

Drejtori i ISKK-së, Agron Tufa la detyrën dhe u largua nga vendi, pasi kërcënohej familjarisht me jetë dhe komente fyese prej më shumë se një viti. Shkak i sulmeve ka qenë detyra e tij në ISKK dhe aktiviteti publik për të nxitur debat rreth rishikimit të historisë, vlerësimit të pasojave dhe dënimit të krimeve që u kryen nën regjimin e Hoxhës.

Sulmet u shpeshtuan pas përplasjes politike që Zoti Tufa pati me qeverinë rreth punës së ISKK-së.

Reagimet e gabuara në opinionin publik

Shumëkush në rrjetet sociale reagoi me mllef ndaj lajmit se familja e Zotit Tufa ka kërkuar azil politik. Disa e cilësuan shfrytëzim posti si Drejtues i ISKK-së me qëllim largimin. Apo se “e gjithë lufta e tij për ndërgjegjësimin rreth komunizmit kishte qëllim vetëm largimin”. Por e vërteta nuk është kështu.

Vitet e fundit, pa i kuptuar mirë thelbin, apo idetë e debateve, shumëkush e përndoqi Zotin Tufa me komente të stilit “fletë-rrufe”. Politikanë, njerëz publikë, njerëz të rëndomtë deri dhe anonimë, iu vërsulën edhe gjatë ditës së hënë kur lajmi i kërkesës për azil qarkulloi në media.

Për fat të keq shoqëria nuk është e vetëdijshme dhe nuk ka ndërgjegjësimin e duhur rreth periudhës së komunizmit dhe aq më shumë rreth aktivitetit të Zotit Tufa.

Tridhjetë vite pas rrëzimit të komunizmit ende figura e diktatorit Hoxha nderohet në qendër të Tiranës. Kjo nuk ngjall reagim edhe pse regjimi që Hoxha ngriti vrau mbi 5 mijë njerëz, internoi mbi 20 mijë të tjerë dhe izoloi Shqipërinë për dhjetëra vite nga çdo marrëdhënie me botën.

Të pandërgjegjësuarit për krimet dhe pasojat e komunizmit nisën ta sulmojnë Zotin Tufa për shkak të detyrës. Të pamësuar për diskutime dhe debate publike apo shkencore, çdo nismë e përkrahur prej ISKK-së vitet e fundit, është sulmuar dhe kthyer në fyerje ndaj personit.

Fyerjet kaluan në kërcënime dhe me mungesë totale reagimi nga shoqëria. Të pakta ishin përpjekjet për të marrë në mbrojtje Institutin, apo dhe vetë Drejtuesin e saj, Zotin Tufa.

Kjo i ngjan dënimeve që kolektivi u bënte individëve në sistemin komunist. Largimi i Zotit Tufa për azil politik është njëfarë dëbimi që i bëhet atij nga shoqëria dhe shteti shqiptar.

Drejtori i ISKK-së, Tufa dhe një nga kërcënimet ndaj tij.

Debatet dhe sulmet publike

Në vitin 2017-të, Zoti Tufa nxiti debat me kërkesën që i bëri Kuvendit për të rishikuar mënyrën se si transmetohet kinematografia e regjimit komunist. Ai kërkoi që të dalloheshin filmat me nivel të lartë propagandistik. Të mos lejohej transmetimi i tyre, ose filmi të shoqërohej me mbishkrim njoftues se materiali nuk pasqyronte realitetin e kohës.

Kërkesa u mbështet nga shoqatat dhe Instituti i ish-të Përndjekurve, por në diskutimin publik ishin të paktë ata që mbajtën qëndrim krah Zotit Tufa. Në fakt kërkesa e tij u nxorr nga konteksti dhe nxiti shënjestrim publik. Komente të shumta fyese u nisën në adresë të tij me shqetësimin e gabuar se ISKK-ja po kërkonte të censuronte filmat shqiptarë, ku në fakt kërkohej të ndryshohej mënyra e transmetimit.

Në vitin 2018, në opinionin publik u hap debat rreth ish-kampit të Tepelenës. Disa historianë mbajtën qëndrim relativizues ndaj përpjekjes së ISKK-së dhe aktorëve të tjerë në fushën e kujtesës për ta kujtuar si “Auzhvici Shqiptar” kampin ku në vitet 1949-1953 thuhet se humbën jetën rreth 300 fëmijë. Zoti Tufa ishte një nga ata që u përfshinë në debat, por për faktin se drejtonte ISKK-në, vuajti reagime të ashpra edhe politike.

Viti 2019 ishte delikat për Institutin sepse përkonte me 75-vjetorin e Çlirimit të vendit. Angazhimi i qeverisë për ta përkujtuar me ceremoni dhe aktivitete krijoi përplasje politike. Përplasja nisi kur socialistët ndaluan me ligj që ISKK-ja të studionte kohën e luftës. Argumenti ishte se ISKK-ja e drejtuar nga Tufa po njolloste dëshmorët.

Socialistët e etiketuan Zotin Tufa fashist. Pothuajse e njëjta qasje u pasqyrua edhe në disa botime në media. Kjo i dha hov komentuesve në rrjetet sociale që ta përshkallëzonin edhe më shumë sulmin me fyerje dhe kanosje.

Kanosjet ndaj Zotit Tufa qenë edhe prej faktit se ISKK-ja mbështeti padinë për krime ndaj njerëzimit kundër ish-komandantit të burgut të Qafë-Barit.

1 koment

  1. Landi 4 Dhjetor, 2019 në 9:19 am

    Farë e poshtër komunizmi. Nëse keni dyshim që mund të jenë ndryshe shikoni seç bëjnë në Kinë me popullsinë ujgure.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme