Samiti i OKB-së për klimën, shtyhet për vitin e ardhshëm diskutimi për reduktimin e karbonit

Nga Redaksia
Samiti i OKB-së për klimën, shtyhet për vitin e ardhshëm diskutimi për reduktimin e karbonit Samiti i 25-të për Klimën në OKB.

Samiti i 25-të i Kombeve të Bashkuara për Klimën përfundoi këtë të dielë në Madrid me një marrëveshje modeste, duke shtyrë deri vitin e ardhshëm vendimin kryesor për emetimet e karbonit.

Delegatë nga pothuajse 200 shtete miratuan një deklaratë për të ndihmuar vendet e pazhvilluara që vuajnë nga efektet e ndryshimit të klimës, por nuk ndanë fonde të reja për ta bërë këtë.

Marrëveshja përfundimtare nënvizoi “nevojën urgjente” për të reduktuar gazrat që shkaktojnë efektin serë në përputhje me objektivat e marrëveshjes për ndryshimin e klimës, nënshkruar në Paris 2015. Por, edhe pse për klimën u diskutua më gjatë se kurrë më parë këto 25 vite, shumë shtete kundërshtuan thirrjet për të shtuar më tej politikat reduktuese.

Më konkretisht debati ishte përqendruar te Neni 6 i Marrëveshjes së Parisit, që flet për të ashtuquajtura tregje të karbonit. Çështja u shty për samitin e radhës, vitin tjetër në Glasgow, Skoci.

Deri konferencën e radhës të gjitha vendet do të duhet të vendosin objektiva të reja dhe më ambicioze për klimën. E mbështetur nga BE-ja dhe disa shtete ishullore, kërkesa për politika më të forta u kundërshtua nga një varg vendesh përfshirë SHBA-të, Brazilin, Indinë dhe Kinën.

Në vitin 2015, Marrëveshja e Parisit vendosi objektiv të përbashkët për të shmangur rritjen e temperaturës prej më shumë se 1.5 gradë celsius deri në fund të shekullit. Euronews raportoi se momentalisht me kushtet aktuale bota është drejt një ngritjeje të temperaturave mesatare me 3 deri në 4 gradë Celsius.

Pra rreth dyfish larg objektivit. Çka mund të ketë pasoja dramatike për shumë vende, si ngritje të nivelit të detit, stuhi dhe efekte natyrore më të ashpra.

Organizatat mjedisore dhe aktivistët akuzuan vendet më të zhvilluara të botës se treguan pak përkushtim për të trajtuar seriozisht ndryshimet e klimës. Reduktimi i emetimeve të karbonit do të thotë më shumë masa shtrënguese për përdorimin e lëndëve djegëse fosile si nafta. Për shumë vende të zhvilluara, industria e së cilave ka lidhje, apo varësi nga sektori i naftës, këto masa shihen të vështira për t’u marrë. Kjo shpjegoi faktin se vende si SHBA-të kundërshtuan idenë për politika më të forta reduktimi.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se ishte “i zhgënjyer” nga rezultati i samitit. “Komuniteti ndërkombëtar humbi një mundësi për të treguar ambicie të shtuar për zbutjen, përshtatjen dhe financimin e trajtimit të krizës klimatike” tha Guterres.

Zyrtarët e pothuajse 200 shteteve zgjatën qëndrimin në Madrid pasi nuk arritën marrëveshje. Samiti ishte planifikuar të përfundonte të premten, por u shtynë deri të dielën pasi vendet e zhvilluara dhe ato më pak të zhvilluara u përpoqën të zgjidhnin çështjet e mbetura pezull nga marrëveshja e Parisit 2015.

Financimet e pasigurta

Shtetet ranë dakord të caktojnë fonde për vendet më të rrezikuara nga ndryshimet e klimës. U ra dakord për t’i kompensuar ato për efektet e motit ekstrem. Çështje tejet e ngutshme kjo sidomos për shtetet e vogla ishullore.

Megjithatë, në samit nuk u sqarua se si do të sigurohen rreth 100 miliardë dollarë në vit financime për klimën, siç ishte rënë dakord në marrëveshjen e Parisit për vitin 2020.

Në fakt marrëveshja e Parisit kaloi shumë sprova, kur vende të zhvilluara si SHBA-të, nuk shfaqën angazhime serioze në përmbushjen e objektivave për reduktimin e emetimeve të karbonit.

Presidenti Donald Trump ka nisur zyrtarisht tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja e klimës së Parisit 2015, një proces që do të kryhet më 4 nëntor 2020, një ditë pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të SHBA.

Megjithëse SHBA-të janë kundër kërkesave për më shumë politika reduktuese, dhjetëra vende kanë thënë se do të paraqesin vitin e ardhshëm objektiva më ambicioze të reduktimit të emetimeve. Sidoqoftë ambientalistët thonë se angazhimet e bëra deri më tani nuk janë të mjaftueshme.

Shkencëtarët kanë llogaritur që emetimet globale të karbonit duhet të bien 7.6 përqind çdo vit, duke filluar nga viti i ardhshëm, nëse synohet që ngrohja globale të mbahet me rritje 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme