Eurodeputetja kërkesë qeverisë, si u dëbua turku Harun Çelik

Nga Exit News
Eurodeputetja kërkesë qeverisë, si u dëbua turku Harun Çelik Eurodeputetja Ramona Strugariu.

Eurodeputetja rumune, Ramona Strugariu, e cila kundërshtoi që në fillim dëbimin e mësuesit turk Harun Çelik nga Shqipëria, i është drejtuar me letër zyrtare Kryeministrit Edi Rama. Ajo kërkon përgjigjje rreth procedurave që u ndoqën për dërgimin e tij në Turqi.

Në letrën drejtuar Kryeministrit (kliko këtu për të lexuar letrën), eurodeputetja Strugariu thotë:

“Kemi ndjekur me shqetësim të thellë rastin e shtetasit turk Harun Çelik, i cili u dëbua nga Shqipëria më 1 janar dhe u dërgua në Turqi, ku ai përballet me akuzat se mbështet klerikun Fetullah Gylen. Do të donim të kishim nga ju qartësime për rastin dhe situatën ligjore të zotit Çelik, sidomos rreth ligjeve evropiane dhe ndërkombëtare që flasin rreth ekstradimit, kthimit të të huajve dhe mbrojtjes së azilkërkuesve.”

Ajo kërkon të dijë në bazë të çfarë procedurash u bë largimi i Çelikut, nëse vërtetë ka pasur kërkesa për ekstradim nga shteti turk, cila gjykatë i miratoi ato. Zonja Strugariu ka kërkuar të dijë edhe rreth kërkesës që mësuesi turk kishte bërë për azil, kërkesë që sipas avokatit të tij i qe refuzuar.

Eurodeputetja thekson se për çdo procedurë për shtetasit e huaj duhen ndjekur ligjet ndërkombëtare. Ajo ishte ndër të parat që reagoi nga BE pas dëbimit të Çelikut. Ajo pati shkruar në Twitter:

“Kryeministër i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni Harun Çelik në Turqi!”

Neni që citonte eurodeputetja thotë se “askush nuk mund të ekstradohet drejt një shteti ku ka rrezik serioz që t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera ç’njerëzore apo degraduese.”

Përveç zonjës Strugarius, ka shprehur shqetësim edhe eurodeputetja gjermane Rebecca Harms, e cila ka kërkuar edhe hetime.

Më herët në një intervistë eskluzive për Exit News, Raportuesi për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) e komentoi si shqetësuese mënyrën se si u veprua për rastin e Harun Çelik. Nga KiE u tha se ishin shkelur të paktën 2 konventa që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe se për këtë do të mbahej një vlerësim me raport të veçantë.

3 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme