Europa Nostra letër Metës e Veliajt: Mos e prishni Teatrin Kombëtar, të punojmë bashkë për restaurimin e tij

Europa Nostra letër Metës e Veliajt: Mos e prishni Teatrin Kombëtar, të punojmë bashkë për restaurimin e tij

Presidenti i Federatës Pan-Evropiane për Trashëgiminë Kulturore Europa Nostra Hermann Parzinger ka shprehur sot shqetësimin e tij për planin e qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Duke theksuar se teatri është një vendndodhje me rëndësi të madhe kulturore dhe arkitekturore në Europë, Zoti Parzinger në një letër për presidentin Meta dhe kryebashkiakun Veliaj, shkruan se me shumë gjasa Teatri Kombëtar do të zgjidhet si një nga 7 sitet kulturore më të rrezikuara të Europës:

“Teatri Kombëtar i Shqipërisë është nominuar nga Fondacioni Gjirokastra, si pjesë e një fushate të madhe të shoqërisë civile për të shpëtuar ndërtesën, për programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara për 2020”. K

jo është një fushatë e shtrirë gjerësisht e shoqërisë civile në mbarë Europën, që identifikon monumentet e rrezikuara dhe vendndodhjet në Europë si edhe angazhon partnerë publikë dhe privatë, në nivel lokal, kombëtar dhe europian për të siguruar një të ardhme rijetëzuese dhe të qëndrueshme për vendndodhjet.

Programi “7 vendndodhjet më të rrezikuara” nisi në 2013 nga Europa Nostra, me Bankën Europiane të Investimeve si partner themelues.

Duke u nisur nga vlerësimi unanim, i shfaqur nga Paneli Këshillues për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me probabilitet shumë të lartë Teatri Kombëtar do të përzgjidhet si një nga “7 vendndodhjet më të rrezikuara”.”

Zoti Parzinger thekson se asnjë nga monumentet e zgjedhura më parë në këtë program nuk ka rrezikur prishjen, ndaj kërkon bashkëpunimin e institucioneve shqiptare për të mos e prishur teatrin por për të punuar së bashku për rivitalizimin e tij:

“ Asnjë nga 29 vendndodhjet e përzgjedhura më parë në programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” është prishur dhe do të ishte risi nëse një fat i tillë i mjerueshëm do të ishte rezervuar për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me gjithë mbështetjen e treguar në nivel kombëtar dhe Europian. Ne sërish shpresojmë shumë që mund të kemi mbështetjen tuaj aktive në mbajtjen dhe zhvillimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe japim mbështetjen tonë për të vepruar në këtë drejtim.”

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila prej rreth 2 vitesh po lufton kundër planit Rama-Veliaj për shembjen e Teatrit, falenderoi për angazhimin e vazhdueshëm Europa Nostran dhe presidentin e saj Hermann Parzinger përmes një postimi në Twitter.

Europa Nostra është organizata më e madhe me shtrirje në hapësirën mbarë evropiane që merret me ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Ajo funksionon si një federatë me pjesëmarrës nga e gjithë Evropa dhe ka status këshillimor për UNESCO-n dhe Bashkimin Evropian.

Nëse Teatri Kombëtar do të përzgjidhet në listën e 7 siteve më të rrezikuara, atëherë Europa Nostra do të përdorë të gjithë rrjetin e saj për të sugjeruar mundësi për mbrojtjen e tij, përmes projekteve restauruese.

Sipas artistëve dhe mbështetësve të Aleancës, kjo është një mundësi e përkryer për kauzën e tyre, pasi godina e Teatrit Kombëtar ka mbetur e pambrojtur dhe tashmë qeveria do ta shembë atë.

Prej vitit 2017, Teatri Kombëtar është hequr nga ansambli kulturor që e përfshinte atë në qendrën historike të Tiranës.

Sikurse Exit.al e ka shpjeguar prej kohësh, godina rrezikohet nga një pazar mes qeverisë dhe ndërtuesve privatë që kërkojnë të përfitojnë sipërfaqe prone duke marrë përsipër ndërtimin e një godine të re.

Projekti i tyre është ndërtimi i një godine të vetme teatri dhe pas tyre 6 kulla të mëdha.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme