Kryebashkiaku i Bulqizës dëshmon në SPAK për videon me kokainë

Nga Exit News
Kryebashkiaku i Bulqizës dëshmon në SPAK për videon me kokainë Kryebashkiaku Lefter Alla, në dalje nga SPAK.

Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla dëshmoi sot pasdite në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) pas publikimit në media të një videoje ku ai pretendohet se përdor kokainë në ambient publik.

Gazetari Arsen Rusta raportoi për Report TV se Alla kishte mohuar të ishte ai në video dhe i ishte shprehur prokurorëve se për këtë duheshin pyetur ata që e kishin publikuar.

Videoja u publikua nga gazetari Artan Hoxha në Abc News. Gazetari është shprehur se e ka të konfirmuar nga burime te tijat se personi në video është kryebashkiaku Alla.

Alla dëshmoi për rreth 1 orë dhe në dalje iu shmang deklaratave për mediat. Ai u shpreh vetëm se tashmë “e ka në dorë drejtësia”.

Ndërsa avokati tij, Petrit Ismaili, e ka cilësuar videon montazh dhe ka theksuar se Alla nuk ka arsye të japë dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut.

“Montazh, video nuk duket fare se kush është. Nuk ka arsye të japë dorë dorëheqjen”

Më herët në një reagim publik Alla kishte paralajmëruar se do të padiste për shpifje ish-deputetin Ervin Salianji. Ai akuzoi PD-në se bashkë me një televizion lokal të Bulqizës kanë montuar videon në fjalë dhe se për këtë kishte dijeni prej rreth një viti.

Pas Allës ka dëshmuar edhe gazetari Hoxha. Ky u shpreh për mediat se kishte dhënë informacionet e nevojshme dhe se kishte besim që “SPAK-u do të bëjë punë”. Gazetari theksoi se nuk kishte lidhje me ish-deputetin Salianji apo me çështjen Babale, me të cilën janë bërë akuza nga Alla.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme