Oligarkët si garantët e regjimit autokratik shqiptar dhe roli i opozitës

Nga Vehap Kola
Oligarkët si garantët e regjimit autokratik shqiptar dhe roli i opozitës

Shqipëria nuk është as demokraci, as diktaturë—është një regjim hibrid, me tipare të përzjera demokratike dhe diktatoriale. Në renditjen e fundit të Indeksit të Demorkracisë të revistës The Economist, Shqipëria ka shkarë 7 vende nga viti i kaluar dhe është një nga vetëm dy vendet me regjim hibrid në rajon, krahas Bosnjes, e ardhmja territoriale e të cilës mbetet ende e pazgjidhur.

Regjimet hibride janë kryesisht rezultat i tranzicioneve të papërfunduara demokratike dhe gërshetojnë tipare autokratike me fasada demokratike.

Në qendër të këtij regjimi janë autokratët dhe institucionet kanë natyrë dekorative demokratike—zgjedhjet nuk sjellin ndryshim të pushtetit, opozitat formale votojnë njësoj si partia e autokratit, mediat përcjellin vetëm qëndrimet dhe propagandën e regjimit.

Ideologjia e regjimeve hibride është totalitarizmi dhe ato mbështeten tek metodat diktatoriale, me ndryshimin se mbajnë një nivel më të kontrolluar të dhunës në krahasim me diktaturat.

Regjimi i Edi Ramës i përmbush të gjitha këto tipare. I gjithë pushteti në Shqipëri buron nga dhe është në dorën e Edi Ramës. Institucionet që duhet të ishin të pavarura janë vetëm dekoracion për pushtetin e pakufizuar të Edi Ramës—gjyqësori dhe institucionet e sigurisë janë vetëm formalisht të pavarura, por veprojnë si seksione të bindura të qeverisë socialiste.

Zgjedhjet nuk kanë sjellë asnjë ndryshim, përveç thellimit të kontrollit të Edi Ramës në të gjitha nivelet e qeverisjes. Mediat kontrollohen plotësisht prej tij përmes skemave të shpërblimit korruptiv për pronarët e tyre. Opozita reale është tërësisht e paralizuar dhe ‘opozita e re’ në parlament voton në të njëjtin drejtim me pushtetin.

Natyrisht, nuk ka dhunë të dukshme dhe gjakderdhje—regjimi përdor një propagandë të sofistikuar për të parcelizuar edhe rezistencat më të vogla; pasi i përçan qëndresat lokale, regjimi përdor dhunën vetëm ndaj më të paepurve, të cilët janë pak.

Kur regjimet përvetësojnë format por jo funksionet e institucioneve demokratike perëndimore, si pluralizmin politik, zgjedhjet formale apo legjislaturat, krijohet një sistem që njihet si kamuflazh i totalitarizmit.

Kjo duket se është gjendja në Shqipëri, e cila rrezikon të kthehet në një gjendje të qendrueshme afatgjatë pasi Shqipëria nuk është në ndonjë tranzicion drejt demokracisë. Përkundrazi, gjendja e lirive dhe demokracisë në vend ka degraduar vazhdimisht që nga ardhja e socialistëve në pushtet para 7 viteve.

Ne sot jemi para mundësisë së madhe që regjimi politik i vendit të stabilizohet si regjim hibrid dhe të jetojë gjatë si i tillë. Në të vërtetë, sot në Shqipëri ka një koalicion aktorësh të pushtetshëm që ju intereson një gjendje e tillë e papërcaktuar politike e cila favorizon arritjen e synimeve të tyre politike dhe, si pasojë, ata nuk kanë asnjë arsye përse të synojnë një regjim të vërtetë demokratik.

Ka një farë konsensusi mes studiuesve politikë dhe politikanëve perëndimorë se kur bashkë-ekzistenca e tipareve autoritare me kamuflazhin demokratik zgjat për më shumë se dhjetë vite, mund të besohet se aktorët kryesorë të regjimit kanë gjetur mjetet e duhura për përjetësimin e pushtetit të tyre.

Shqipëria është renditur përherë si regjim hibrid që kur Indeksi i Demokracisë u hartua për herë të parë në vitin 2006. Edhe pse politika me justifikimin e rremë të integrimit në BE vazhdon t’u ofrojë shqiptarëve iluzionin e një demokracie në ndërtim dhe përparim, e vërteta është se sistemi ynë politik është tashmë një regjim hibrid i stabilizuar.

Faktorët kryesorë që e kanë stabilizuar dhe e mbajnë këtë regjim sundimit autokratik me fasadë demokratike janë dy: oligarkia ekonomike dhe oligarkia politike.

Marrëdhëniet e qëndrueshme e oligarkisë ekonomike me qeveritë e të gjithë krahëve gjatë dy dekadave të fundit janë të provuara. Oligarkët ekonomikë u krijuan përmes skemave kriminale të kontrabandës e trafiqeve, të skemave korruptive të privatizimit të pasurive shtetërore, të grabitjes së burimeve natyrore dhe fondeve publike përmes skemave të konçesioneve dhe kontratave monopoliste dhe ekskluzive me qeverinë.

Interesi i oligarkisë ekonomike që Shqipëria të mos bëhet asnjëherë një vend demokratik, ku sundon ligji, liria e sipërmarrjes dhe konkurrenca e ndershme, është i jashtëzakonshëm. Stabilizimi i konjukturës oligarkike në ekonomi është realizuar përmes përqëndrimit të pasurisë dhe monopolizimit të tregjeve me ndihmën e qeverive, duke vrarë lirinë e sipërmarrjes, duke bllokuar hyrjen në tregje të të tjerëve, duke shmangur konkurrencën e ndershme, duke siguruar kontrata dhe monopole afatagjata. Demokracia në politikë do të thotë liri dhe konkurrencë në treg, çfarë do t’i heqë kësaj klase pushtetin ekonomik.

Grupimi i dytë i oligarkëve, ai politik, është i kristalizuar në të gjithë partitë politike kryesore, përfshirë edhe partitë e vogla politike që shërbejnë si garniturë për krijimin e koalicioneve elektorale. Stabilizimi i tyre është i dukshëm në ngrirjen pothuajse të plotë të kupolave drejtuese të partive. Në vend që të demokratizoheshin, partitë politike janë bërë edhe më hermetike vitet e fundit.

Shkelja kaq e hapur e parimeve demokratike brenda vetë partive i ka shndërruar ato në klube të përhershme të gatshme për të përfituar pushtet të pakontrolluar. Ndërsa në një demokraci zgjedhjet janë një institucion demokratik për zëvendësimin legjitim të elitave, në Shqipëri ato janë një mekanizëm për shkëmbimin e pushtetit brendapërbrenda një oligarkie politike të stabilizuar.

Shpresa e vetme për të nisur daljen nga kjo zonë gri e autarkisë është ajo që filozofët e Greqisë së lashtë e quanin skenari i konfliktit brenda-elitë. Shkëputja e një oligarku apo një grupi oligarkësh të mëdhenj nga klubi i mbyllur i oligarkisë mund të shkaktojë dobësimin dhe rrënimin gradual të saj.

Megjithatë, skenari i përçarjes së oligarkisë ekonomike duket i pamundur me stabilitetin okult që kanë dëshmuar gjatë 15 viteve të fundit. Përçarja e oligarkisë politike mund të shpresohet gjithmonë dhe duhet pritur të vijë nga partitë e opozitës.

Por de-oligarkizimi i partive politike nuk është i thjeshtë. Ky proces do të duhej të ishte më i lehtë në opozitë dhe kërkon demokratizimin e vështirë të opozitës së stabilizuar shqiptare. Nëse ky stabilitet nuk cënohet nga opozita, asnjë ndryshim pozitiv nuk mund të pritet, pasi autarkia në natyrën e saj është përkeqësuese.

Elitat politike dhe mundësia  që ata kanë për të përjetësuar veten në pozitat e pushtetit përcaktojnë natyrën e regjimit. Prandaj demokratizimi i opozitës nuk arrihet thjesht me zhvillimin e zgjedhjeve, me ndryshimin e motiveve dhe mjeteve me të cilën kandidatët mund të çojnë përpara karrierat e tyre politike.

Janë pikërisht, metodat e rekrutimit dhe zëvendësimit të elitës që përcaktojnë në një masë të madhe natyrën e regjimit. Opozita do të jetë demokratike vetëm kur elita e saj të dalë nga zgjedhje të lira.

Vetëm një proces zgjedhjesh të lira brenda opozitës do të jetë hapi i parë i çarjes së oligarkisë politike dhe vullnetit të sinqertë për ta nxjerrë vendin nga regjimi autarkik.

Një vit e gjysëm përpara zgjedhjeve të përgjithshme, opozita nuk duhet të humbë kohë me përpjekjet për rrëzimin e qeverisë. Ajo mund ta shpëtojë demokracinë dhe Shqipërinë duke e përdorur këtë kohë për t’u demokratizuar vetë. Nëse opozita arrin të demokratizohet, Shqiptarët do ta shohin atë si forca që do të thyejë oligarkinë dhe do ta sjellin në pushtet.

11 komente

  1. SEO Company 24 Janar, 2020 në 10:29 pm

    Awesome post! Keep up the great work! 🙂

  2. Populli 25 Janar, 2020 në 11:30 am

    Analize e “bukur”por kur anashkalon kendin e deshkueshmerise per krimet makabre te diktatures komuniste dje dhe sot te bijve te eterve dhe mostrave te saje me nje barre krimesh mbi supe. Dhe keto te denoncuara me ze, figure e deshmi te gjalla, sa medjatike aqe dhe me shume popullore, bindesh se kjo analize eshte nje farse brenda jashteqitjes shqiptare nga eterit e diktatures komuniste,tek bijte,niperit e mostrat e tyre qe nuk kane te ndalur ne mashtrime, ne krime e korrupsione, gjithmone nese nuk gaboj. Por e shkruara e zeza ne te bardhe flet shume. Per kujtes e moral, pa u denuar krimet makabre te diktatures komuniste te eterve e bijve dhe mostrave te tyre qe montuan istitucionin e pandeshkueshmerise, ndaj krimeve qe ja kalojne disa here krimeve e viktimave te luftes qe lane pas dhe sot nuk kane te ndalur, ne Shqiperi nuk mund te mbulosh mutin me shurre. Demagogjive kriminale korruptive komuniste-nazifashiste-militariste “sherbe,perca e sundo dhe mashtro,mashtro se dicka do te fitosh, i doli boja. Vetem denimi i krimeve te diktatures kimuniste dhe bashkepuntoreve ne to do te ndal skenareve te peshtire nga eterit e diktarues kimuniste,tek bijte e mostrat e tyre me nje barre krimesh mbi supe si autore e bashkepuntore ne to dhe akoma “cicerone” ne krye te partive te pozites e opozites, ku sebashku me oligarket keta sherbetore te bindur vazhdojne te pastrojne leket e piset duke i bere avikatine krimeve te tyre ne vite.

    • Vehbi spahiu 27 Janar, 2020 në 9:05 am

      Jam plotesisht me komentin tuaj, por pse jo me emer, por “populli”? Me te tilla kinezerira, nuk i sherben askujt, pervec pushtetit, i cili mbrohet: ja, si njerzit shprehen lirisht dhe asgje nuk ju thot askush! Eshte tjeter kur flet me emer dhe kur njerzit luftojne direkt per mbrojtjen e lirise, te demokracise, kerkojne drejtesi

  3. MCara 26 Janar, 2020 në 1:14 am

    Nje alternative me realiste por teper sfiduese eshte formimi i nje levizje politike qe perfshin dhe motivon pjesen me te madhe te elektoratit gri ate pjese te popullsise shqiptare qe nuk voton asnje parti per shkak te skrupujve morale dhe qe demografikisht eshte me shume gjasa muslimane dhe kryesisht klase punetore (ose e papune) dhe pjeserisht shtrese e mesme intelektuale pasive apo e stepur. Kjo i heq Rames zellin per te perdhosur Kuranin me ligjerimet e tij kubiste. I heq dhe opozites luksin e pamerituar te mospasjes rivale si plan B. Kush do ta beje? Sigurisht jo figurat fetare te kompromentuara publikisht si te anshem. Normalisht u takon shtreses se mesme e cila duhet te artikuloje parimet morale per te Bindur njerezit qe neveriten nga kutite e votimit si nga bordellot qe votimi nuk eshte seks politik anal konsensual “me dallavere” cdo 4 vjet.

  4. emigrant 26 Janar, 2020 në 12:38 pm

    Ndonëse nuk më pëlqen identifikimi përgjithësues si pseudonim me fjalën “Populli”, mendoj se më afër realiteteve të problemeve në Shqipërinë e tranzicionit , qëndron komenti i të nënshkruarit “Populli” sesa në analizën e z.Kola.
    Ka në këtë analizë mjaftë të vërteta që përkojnë me realitetin aktual, por analizës i mungon evidentimi i shkaqeve, duke u përqëndruar vetëm tek pasojat.
    Asnjë analizë nuk mund të jetë bindëse, nese meresh vetëm me pasojat pa analizuar shkaqet.
    Nuk është i vetmi z.Kola që e bën këtë gabim, ndoshta ngaqë duket se është i ri e nuk e ka njohur plotësisht të kaluarën diktatoriale enveriste, por kësisoj analizash i bëjnë edhe “inzelektuale” të kohës së diktaturës.
    Është plotësisht i vërtetë konstatimi paradoksal se Shqipëria , pas 3 dekadave të kalimit nga një sistem monist diktatorial kriminal, në një sistem kapitalist demokratik pluralist, ka katandisur veçanërisht në vitet e fundit me një sistem hibrid totalitar
    Por këtij pohimi i mungojnë shkaqet reale.
    E para,- Shqipëria deri në vitin 1991, edhe kur pjesa më e madhe e vendeve me regjime komuniste, kishin bërë ca hapa të zbehta për ndëshkimin e të ashtuajturit “kult të individit, që në fillim vitet 70-ë, duke demaskuar diktatorin Stalin, ishte i vetmi vend që vazhdoi të ketë modelin e sistemit socialist stalinist.
    E dyta,- Ndonëse në të gjitha ish vendet komuniste kishte njëfarë grupimi disident demokratik të organizuar antikomunist, në fund vitet 80-ë në Shqipëri, nuk mund të gjeje asnjë intelektual të mirëfilltë antikomunist, pasi diktatura enveriste kishte eleminuar jo më ndonjë tentative disidence të organizuar, por kishte arrestuar me mijra njerëz vetëm për ndonjë shfaqje të rëndomtë pakënaqësie, me ligjin e famshëm kundër “agjitacionit e propogandës” kundër partisë
    E treta. Në vitin 1992, erdhi në pushtet partia demokratike si përfaqësuese e shtresave të persekutuara në diktaturën enveriste por edhe nga disa intelektualë, bile edhe ish antarë të PP që kishin kuptuar se kishte ardhur koha edhe për Shqipërinë që të flakte tej regjimin diktatorial enverist.
    Po ku do ti gjente ajo juristët, oficerët, punonjësit e administratës, që nga ato lokale deri në qeverinë qëndrore, të cilët ishin përzgjedhje selektive e diktaturës enveriste, kur antikomunistët pothuajse ishin shfarosur deri në brezin e tretë ?.
    Specialistët e fushave të ndryshme por edhe të administratës shtetërore, nuk janë si puna e domates që e mbjell në pranverë e ja mer frutat në verë. Që të përgatitet një jurist, oficer apo nëpunës civil duhen vite të shkollohen me shkolla larg propogandave politike komuniste e duhet gjithashtu një eksperiencë pune për të marë rol drejtues.
    E katërta, – Përse harojmë se edhe në sistemin demolratik perëndimor, politika ka qene e ndarë në dy grupime, në të majtë socialistë liberalë që të majtën shqiptare “socialiste” të dalë nga PP e quante parti “aleate” ?
    Përse harojmë faktin se pas hyrjes në BE të vendeve ish komuniste e majta europiane u fuqizua më shumë ?
    Është pikërisht ky realitet, që solli nl Europë edhe lindjen e fuqizimin e partive të spektrit të djathtë ekstremist.
    Ndërkaq Shqipëria, që kishte shumë arsye ku duhej të lindnin parti ekstremiste të djathta, paradoksalisht kemi “analistë politikë” që duke abuzuar me oligarkizmin korruptiv, bëjnë propogandë puniste kundër kapitalizmit

    • Vehap Kola 26 Janar, 2020 në 1:01 pm

      I nderuar, do t’ju sugjeroja te lexonit kete shkrim te prillit 2019 qe adreson kete akuze tuajen se shkrimi i mesiperm eshte propagande puniste kunder kapitalizmit.
      https://exit.al/2019/04/lufta-e-opozites-kunder-oligarkise-fillon-me-ligjerimin/

      Nderkohe, nese kapitalizmi nenkupton kete sistem oligarkik qe eshte ngritur dhe stabilizuar ne Shqiperi, doemos do te jem kunder ketij kapitalizmi. Por, mesa duket keni kuptim te vagullt per kapitalizmin dhe per demokracine.

      • emigrant 29 Janar, 2020 në 7:09 pm

        Z.Kola !
        Ju siguroj se nuk kam kuptim “të vagëllt ” të kapitalizmit pasi kam gati 30 vite që jetoj në një vënd europian me një sistem demokratik kapitalist, e veç që e kam përjetuar vetë sistemin e mirëfilltë demokratik kapitalist, lexoj vazhdimisht literaturën bashkëkohore që trajton sistemet politike..
        Kur kam shtruar rëndësinë e analizës politike duke evidentuar shkaqet nga të cilat lindin pasojat, kam parasysh pikërisht faktin se në Shqipëri, disa analiste me bindje majtiste deri edhe marksiste, kur duan të krijojnë bindjen në opinion se sistemi kapitalist është një sistem sipas tyre antinjerëzor. identifikojnë kapitalizmin demokratik të një shteti ligjor, me “kapitalizmin” korruptiv deri mafioz të modelit të qeverisjes aktuale në Shqipëri, që edhe ligjet i miraton në favor të korrupsionit.
        Problemi shihet me naivitet kur tentohet të njësohet oligarkia e biznesit korruptiv, me kapitalistët biznesmenë të aftë që respektojnë ligjet e shtetit e konkurojnë ndershmërisht e që janë motori i suksesit të ekonomisë në perëndim.
        Kur kam përmendur fjalën “punistë”, nuk ju kam cilësuar ju personalisht si të tillë, por kam shprehuar drojën se si rezultat i ndonjë medie shqiptare që akoma i bën hosanara enverizmit, propogandat “antikapitaliste” mund të depërtojnë edhe në brezat e rij që nuk e kanë njohur fare se çfarë ka qenë sistemi diktatorial komunist.

  5. Balo Benca 26 Janar, 2020 në 9:39 pm

    Kërkohet pra një grup idealistësh ..
    Jo Idiotische Motoren Werke ,tip Sazan Guri,gjyshja e të cilit mësonte fshehurazi shqip me Babë Dudë Karbunarë se nuk i lejonte turku…
    Patriotë pra…
    Po shqiptarët çdo gjë janë,vetëm patriotë jo..
    Prandaj dëm sapuni te lëkurëziu i thonë kësaj pune…nuk ka zgjidhje…

  6. edvin 27 Janar, 2020 në 7:35 pm

    Keni prekur pak thelbin por keni ceduar shume tek zgjidhja.Nuk mendoj qe demokracia ne Shqiperi eshte thjeshte hibride.Madje mendoj qe endrra per pak demokraci ka rivdekur.Ne se vertete demokrocine sot do e kishim vetem hibride,te pakten do te ndjenim edhe ndonje permiresim social ekonomik dhe politik.Por jo.”demokracia”e premtuar eshte shnderruar ne nje kriptodiktature e dakortesuar.Nuk kemi pozite dhe opozite politike reale.Po kemi vagabonde me kullare apo me brakushe.Duke injoruar fare partine soc-fashiste ne pushtet,sot eshte naivitet ti kerkosh “opozites”aktuale te rivendosin demokracine e brendeshme me zgjedhje ne parti,kur vete kryetaret e tyre jane product I autokracise partiake dhe kur kauza e tyre ka qene ushtrimi I kontrollit te disiplines komuniste ne radhet e subjekteve te tyre politike.Deklaratat e tyre per riorganizim,hapje etj,kane qene nje demagogji cinike me hedhje per publikun e gjere.Veprimet politike me dalje nga parlamenti,apo organizim protestash masive te vetekontrolluara,kane qene mashtrim ndryshe per shqiptaret e revoltuar.
    Ne jemi para faktit te humbjes se pluralizmit real.E sigurte qe pushteti do te alternohet ndermjet ketyre palo-partive,me marrveshje te kontrolluar nga jashte.Populli do vazhdoje te ndjehet I huaj ne vendin e vet.Vetem ndonje “aksident”politik mund ta shpetoje ate.Qofsha e gabuar!

    • Vehap Kola 28 Janar, 2020 në 10:23 am

      Pershendetje, faleminderit per komentin! Sa i perket verejtjes suaj ne keto rreshta:
      “Nuk mendoj qe demokracia ne Shqiperi eshte thjeshte hibride.Madje mendoj qe endrra per pak demokraci ka rivdekur.Ne se vertete demokrocine sot do e kishim vetem hibride,te pakten do te ndjenim edhe ndonje permiresim social ekonomik dhe politik.Por jo.”demokracia”e premtuar eshte shnderruar ne nje kriptodiktature e dakortesuar.”

      Ju ftoj te rilexoni keto paragrafe nga artikulli:

      “Regjimet hibride janë kryesisht rezultat i tranzicioneve të papërfunduara demokratike dhe gërshetojnë tipare autokratike me fasada demokratike.

      Në qendër të këtij regjimi janë autokratët dhe institucionet kanë natyrë dekorative demokratike—zgjedhjet nuk sjellin ndryshim të pushtetit, opozitat formale votojnë njësoj si partia e autokratit, mediat përcjellin vetëm qëndrimet dhe propagandën e regjimit.

      Ideologjia e regjimeve hibride është totalitarizmi dhe ato mbështeten tek metodat diktatoriale, me ndryshimin se mbajnë një nivel më të kontrolluar të dhunës në krahasim me diktaturat.

      … kur bashkë-ekzistenca e tipareve autoritare me kamuflazhin demokratik zgjat për më shumë se dhjetë vite, mund të besohet se aktorët kryesorë të regjimit kanë gjetur mjetet e duhura për përjetësimin e pushtetit të tyre.”

  7. JE 30 Janar, 2020 në 5:26 pm

    Demokracia në politikë do të thotë liri dhe konkurrencë në treg, çfarë do t’i heqë kësaj klase pushtetin ekonomik.

    Chapeau!

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme