Pikëpyetjet e pengmarrjes së Jak Prengës

Nga Exit News
Pikëpyetjet e pengmarrjes së Jak Prengës Foto ilustruese nga vendi dhe dinamika e pengmarrjes.

Pengmarrja e Jak Prengës kryqëzon tre banda me figura të njohura të krimit dhe tregon kapacitetet e tyre të narkotrafikut ndërkombëtar.

Mediat raportuan se pengmarrja e Prengës përfshin 3 banda të Vlorës, Shijakut dhe Shkodrës.

Për bandën e Shijakut njihet familja Hajri – kryesor Altin Hajri, shpallur në kërkim – për bandat e Vlorës dhe Shkodrës janë cituar personat me iniciale: D.R; K.G; G.D; dhe M.B.

Mediat zbuluan se banda e Vlorës është ajo e Dritan Rexhepit, i përfshirë në disa vrasje dhe rrjete ndërkombëtare të trafikut nga Ekuadori.

(Kliko këtu për të lexuar: Në gjurmët e “Narcos” — linja direkte e kokainës Amerikë Latine-Shqipëri)

Vëllai i Jakut, Astrit Prenga, përshkruhet si korrier i tre bandave në Angli. Ai thuhet se ka kërkuar të paguhet më shumë dhe për këtë ka prishur një pazar prej rreth 280 kilogramë kokainë duke mos ua kthyer ngarkesën bandave.

Ky veprim thuhet se ka nxitur hakmarrjen. Vendimi për të marrë peng vëllain e Astritit thuhet se e ka marrë Rexhepi. Mesazhin bandës Hajri në Shijak ua ka përcjellë K.G nga Vlora.

Më 17 janar në Kamëz banda e Shijakut mori peng Jak Prengën, baba i 5 fëmijëve. Policia thotë se ai vdiq nga dhuna dhe anëtarë të bandës së Shijakut e kanë zhdukur trupin e tij.

Personat e shpallur në kërkim nga policia:

1- Altin Hajri, 35 vjeç, i dënuar me 7 vite burg për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje, por i shpallur i pafajshëm në apel. Akuzuar 5 vite më parë se bënte pjesë në një bandë ndërkombëtare trafiku heroine nga Afganistani drejt Italisë. Në vitin 2017 u arrestua nga policia, por u lirua menjëherë. Rezulton i përfshirë në çështjen e vjedhjeve të votave në zgjedhjet e vitit 2017 dhe cilësohet me mbështetje të fortë politike.

2- (Gramoz) Dritan Rexhepi, 40 vjeç, i arrestuar 6 vite më parë në Ekuador me rreth 280 kilogramë kokainë dhe që duhej të ishte ekstraduar në Shqipëri ku rezultonte i dënuar me 25 vite burg. Përveç narkotrafikut, Rexhepi lidhet me disa vrasje me pagesë dhe grabitje bankash në Evropë ndërsa ka mundur t’u arratiset autoriteteve shqiptare, italiane dhe belge. Në Shqipëri në vitin 2009 u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy policëve Arben Keqi e Durim Kasmi. Por dënimi iu anulua dhe iu kthye në 25 vite.

3- G.D, i lidhur me bandën nga Vlora, i skeduar nga autoritetet e vendeve të BE. Konsiderohet njeriu kyç që urdhëroi rrëmbimi e Prengës.

4- M. B. nga Shkodra, person i rrezikshëm i lidhur me linjën e trafikut të drogës nga Ekuadori në vendet e BE-së.

5- K. G. nga Shkodra, i skeduar nga autoritetet shqiptare dhe ato të vendeve të BE-së. Mendohet të jetë personi që ka bërë rolin e ndërmjetësit, duke çuar mesazhin për marrjen peng të Prengës.

Ngjarja tronditëse nxorri në pah faktin se grupet e narkotrafikut pastrojnë paratë përmes resorteve. Familja Hajri kishte në Shijak kompleks luksoz hotelerie prej 1,4 hektarësh, ndërsa 5 vite më parë autoritetet italiane e përshkruanin familjen me një pasuri miliona euroshe.

Çështja e pengmarrjes tregon qartë bashkëpunimin deri në brutalitet mes bandave që trafikojnë qindra kilogramë kokainë në shtetet e Evropës dhe pastrojnë paratë në Shqipëri. Megjithatë qeveria propagandon se e ka fituar luftën kundër narkotrafikut. Madje sulmon edhe hulumtimet gazetareske, të cilat u japin dritë zhvillimeve të fundit.

Nga kjo histori mbeten pikëpyetje se:

  • si vazhdoi pa probleme aktiviteti ekonomik i familjes Hajri në Shijak edhe pse ajo akuzohej që prej vitit 2015 për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge
  • si u shpall i pafajshëm Altin Hajri edhe pse ishte dënuar më parë me 7 vjet burg për tentativë vrasje dhe armë mbajtje pa leje
  • si u hoq nga lista e të kërkuarve ndërkombëtar Altin Hajri
  • si nuk u zbulua asgjë nga linja e trafikut ndërkombëtar të drogës nga Ekuadori, edhe pse prej 6 vitesh Dritan Rexhepi është i arrestuar atje për 278 kilogramë kokainë

Të arrestuarit nga policia:
1-Bajram Hajri, 64 vjeç, baba i Altin Hajrit
2-Leonard Hajri, 36 vjeç, djal i Bajramit
3-Elton Hajri, 32 vjeç, nip i Bajramit
4-Olsi Turja, 36 vjeç shok i vëllezërve Hajri, pronar i furgonit që u përdor për të marrë trupin e Prengës
5-Festim Bexhdili, 30 vjeç, i dyshuar se dogji rrobat dhe kreu varrosjen e Prengës

7 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme