Punimet te Sheshi Shqiponja, Veliaj: Brenda javës paraqesim sistem të ri trafiku

Nga Gerard Gega
Punimet te Sheshi Shqiponja, Veliaj: Brenda javës paraqesim sistem të ri trafiku Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.

Bashkia Tiranë pritet të ndërhyjë në qarkullimin rrugor te Sheshi Shqiponja për t’i hapur vend punimeve për projektin e Unazës së Re.

Këtë gjë e paralajmëroi kryebashkiaku Erion Veliaj teksa promovoi sot zhvendosjen e stacionit të autobusëve ndërqytetas në kthesën e Kamzës.

Përmes një videoregjistrimi të transmetuar në Facebook, Veliaj tregoi se linjat e transportit të veriut dhe jugut do të zhvendosen nga ish-Dogana tek një sipërfaqe prej 85 mijë metrash katrorë truall përballë mbikalimit të Kamzës. Atje po punon kompania Salillari për projektin e terminalit, të dhënë me koncesion 33-vjeçar nga Bashkia Tiranë.

Terminali i autobusëve, Kamëz.

Zoti Veliaj e cilësoi shpërnguljen e stacioneve nga zona pranë Sheshit Shqiponja te kthesa e Kamzës, si shpërngulje të detyruar për t’i hapur rrugë punimeve për Unazën e Re, tenderi i së cilës është fituar gjithashtu nga Salillari.

“Në zonën e sheshit Shqiponja […] do të ketë gërmime nën tokë, punime masive me mjete të rënda, brenda kësaj jave do të paraqesim dhe një sistem të ri të trafikut dhe i kërkojmë qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë Rrugore dhe Policinë Bashkiake, që teksa punojmë projektin […], të kemi mundësi që edhe trafiku të lëvizë, por edhe puna të kryhet.”

Projekti dhe gjurma e tij në Sheshin Shqiponja.

Në zonën e Sheshit Shqiponja prej javësh nuk ka punime, pavarësisht se prishjet e ndërtimeve pa leje nisën në nëntor. Ky segment është segmenti për të cilin u zhvilluan disa tendera, pasi kompanitë që fituan tenderin e parë u kapën me dokumente të falsifikuara.

Aferat që shoqëruan tenderat kanë lënë në kaos të plotë trafikun. Në orare të ndryshme kalimi nga Sheshi Shqiponja kërkon deri në 30 minuta.

Nuk është e qartë se çfarë nënkupton kryebashkiaku i Tiranës me “sistem të ri trafiku”, por duket e vështirë që punimet të vazhdojnë pa krijuar trafik pasi qarkullimi nuk ka alternativë tjetër.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme