Qeveria hap garën për kreun e ri të AMF-së

Qeveria hap garën për kreun e ri të AMF-së

Qeveria ka hapur garën për të zgjedhur kryetarin e ri të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, pasi mandati i kryetarit aktual Ervin Koçi ka përfunduar.

Kandidatët kanë afat deri më 24 janar për të dorëzuar aplikimin pranë Kryeministrisë.

Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kryetar të AMF-së janë:

 – të kenë përfunduar studimet universitare në fusha si ekonomi, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve;

 – të ketë të paktën 7 vite eksperiencë pune në financë-kontabilitet; administrim të shoqërive tregtare; këshillim ligjor të shoqërive tregtare; hartim legjislacioni; shkencë e aktuarëve ose sigurime shoqërore dhe pensione;

 – në 3 vitet e fundit të mos ketë qenë ortak, aksionar apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve që AMF mbikëqyr;

 – të mos ketë lidhje familjare me ndonjë subjekt që është ortak, aksionar apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve që AMF mbikëqyr;

 – në 3 vitet e fundit të mos ketë qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet që AMF mbikëqyr.

Ervin Koçi, kreu i fundit i AMF-së, u emërua në këtë post më 6 prill 2017, pas shkarkimit të drejtueses së këtij institucioni Enkelejda Shehi.

Ervin Koçi, përpara se të emërohej si kreu i AMF-së, ka qenë deputet i Partisë Socialiste.

I krijuar në vitin 2006, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ështe një institucion publik përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar jobankar dhe operatorëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë sektor.

Fusha kryesore e veprimtarisë së AMF-së është rregullimi dhe mbikëqyrja:

 – e aktivitetit të tregut të sigurimeve dhe operatorëve të tij;e aktivitetit të tregut të letrave me vlerë dhe operatorëve të tij;

 – e aktivitetit të tregut të fondeve të pensioneve vullnetare dhe operatorëve të tij;

 – e veprimtarive të tjera financiare jobankare.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme