Rama mbron koncesionin e sterilizimit

Nga Exit News
Rama mbron koncesionin e sterilizimit Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi sot përurimin e rindërtimit të kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT) për të mbrojtur një nga koncesionet më të kritikuara në shëndetësi, atë të sterilizimit të pajisjeve mjekësore.

Duke folur në ambientet e reja, Kryeministri u shpreh me superlativa për projektin duke vënë vazhdimisht në krahasim se si e kishte parë ai gjendjen 6 vite më parë. Më pas justifikoi koncesionin e sterlizimit të pajisjeve mjekësore duke theksuar se në shëndetësi do të vazhdohet më tej me të njëjtën skemë.

“Jam shokuar kur kam parë në momentet e para të fillimit të detyrës raportin mbi infeksionet, që shkaktoheshin edhe si rezultat i instrumenteve mjekësore në dispozicion. Nga ana tjetër, më vjen mirë ta përmend këtu atë që ju e dini, me gërshërët që nuk prisnin dhe instrumentet që sterilizoheshin me alkool… edhe ky është një transformim i madh, që u bë i mundur falë modelit të mallkuar PPP.

S’besoj të ketë një mjek të vetëm, apo një infermiere të vetme që do të ishte dakord që ne të ndërprisnim financimin për instrumentat mjekësore dhe të ktheheshim mbrapsht te gërshërët që nuk presin te pincat që nuk kapin, pse, sepse na qenkëshka një partneritet publik privat, si mund të ndërpritet ky program, kjo marrëveshje, ky proces, për çfarë? Po sigurisht që kjo është një sfidë.”

Kjo është deklarata e parë publike e Kryeministrit Rama që mbron hapur koncesionin e ashtuquajtur të sterilizimit.

Sterilizimi është një nga koncesionet më të mëdha të qeverisë dhënë në kohën kur Ministria e Shëndetësisë drejtohej nga Ilir Beqaj. Ky koncesion ka kosto totale rreth 70 milionë euro për 10 vite dhe është një nga 4 koncesionet e dhëna në shëndetësi së bashku me check-up-in, dializën dhe laboratorët.

Koncesioni aktualisht është kallëzuar në SPAK nga nisma Thurje dhe mjeku Artan Koni.

Opozita e ka denoncuar shpesh se kontrata koncesionare është e dyshimtë, abuzive dhe me kosto të lartë për buxhetin e shtetit. Ajo ofron sete kirurgjikale me kosto të shtuar dhe një shërbim sterilizimi që deri në vitin 2015 spitalet e mbulonin vetë.

Hulumtime kanë treguar se pas koncesionit rreth 100 milionë dollarësh qëndron Ilir Rrapaj, biznesmen shqiptar, i cili deri në vitin 2015 nuk kishte përvojë në fushën e shëndetësisë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme